Kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Evropë, Champions League nis sot me fazën çerekfinale. Këtë të martë do zhvillohen dy ndeshjet e aktit të parë, ndërsa nesër janë në program dy sfidat e tjera. Mesjavën që vjen do luhen ndeshjet e kthimit mes këtyre çifteve, aty ku do mësohen edhe katër skuadrat që do kalojnë në gjysmëfinale.

Sot me fillim nga ora 21:00 luhen Real Madrid - Bayern Munich dhe Sporting Lisbone - Arsenal.

Në 'Bernabeu' sfida është e denjë për një finale të parakohshme pasi përballë janë dy nga klubet më në formë të sezonit. Megjithatë, te madrilenët situata nuk është e qetë. Humbja 2-1 ndaj Mallorcas, ku protagonist ishte Vedat Muriqi, ka komplikuar garën për titull në La Liga.

'Los Blancos' do të përballen me një Bayern Munich në formë të shkëlqyer, që vjen pas një serie rezultatesh pozitive në Bundesligë. Sfida pritet të dominohet nga duelet mes yjeve si Kylian Mbappe dhe Harry Kane.

Alvaro Arbeloa te 'Galaktikët' do duhet të bëjë pa portierin Thibaut Courtois, mbrojtësin Mendy dhe sulmuesin Rodrygo. Nga ana tjetër Kompany nuk do ketë të gatshëm Ulreich, Ndiaye, Mike dhe Kiala.

Në stadiumin 'Jose Alvalade' të Lisbonës, vendasit e Sporting presin kryesuesit e Premier League, Arsenalin.

Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta po kalon një moment delikat. Pas humbjes në finalen e Kupës së Ligës kundër Manchester City dhe eliminimit surprizë nga Southampton në FA Cup, 'Topçinjtë' rrezikojnë edhe në kampionat. Tashmë fokusi i tyre është përballja me Sporting, teksa portugezët vijnë me moral të lartë pas një përmbysje mbresëlënëse në turin e kaluar.

Champions League, faza çerekfinale:

E martë, 07 prill 2026 - 21:00

Real Madrid - Bayern Munich

Sporting Lisbone - Arsenal

E mërkurë, 08 prill 2026 - 21:00

Barcelona - Atletico Madrid

PSG - Liverpool

*Ndeshjet e kthimit do luhen më 14 dhe 15 prill