Finalizohet ‘Bethoveni’ i plotë, Tedi Papavrami shkëlqen në ‘Opera’ me francezin Guy! Ç’ndodhi në 2 orë koncert, rrëfimi i artistëve prej skenës ku interpretuan

E diela merr ngjyrat e Bethovenit në “Opera”... Publiku zë vend në sallën e madhe, për të shijuar  tri sonata të Bethovenit, në lojën e violinistit Tedi Papavrami, i shoqëruar në piano nga francezi François-Frédéric Guy.

Për afro 2 orë në kuadër të Festivalit ‘Different Trains’, luhen sonata e 3-të, e 8-të dhe e 9-të e Bethovenit, duke u përmbushur kështu vepra e plotë me 10 sonata të interpretuar nga dy virtuozët.

Në fund, pak “Pranverë” bethoviane, dhe publiku shpërthen në duartrokitje e i rikthen artistët në skenë..

Papavrami i rezervon dashamirësve në paskuinta kohën e përshëndetjes... Më pas i presim në skenë për të na rrëfyer emocionet pas koncertit.

“Ndihem mirë. E ndjeva veten mirë gjatë koncertit, çka më lejoi të shprehë shumë ndjesi dhe të ndihem i lirë. Edhe me publikun u krijua ndërveprimi që ndodh kur gjërat shkojnë siç duam, edhe që ne arrijmë të shprehim botën e kompozitorit. Edhe e ndiejmë që këtë publiku e kap. Pra arrijmë ti përfshijmë në një botë tej së përditshmes. Ndaj mendoj se ishte një moment i bukur!”, thotë Papavrami.

Cikli me 10 sonatat e Bethovenit në violinë dhe piano, i nisur në 2015-ën, përmbushet kështu për herë të parë në Shqipëri, me duon Papavrami dhe Guy, si dhe iniciativën e violonçelistit Vlorent Xhafaj, drejtues i Festivalit.

“Është gjithmonë e kënaqshme kjo në Shqipëri, sepse ka misione të tilla për tu realizuar. Ngaqë e kaluara nuk i ka lejuar që të bëhen shumë cikle dhe shumë integrale të veprave. Kështu që është gjithmonë kënaqësi që ti sjellësh për herë të parë disa gjëra një publiku që i pret dhe që i njeh nga incizimet apo forma të tjera por që nuk i ka parë në skenë. Ndaj, është gjë e mirë! Mbase, pas disa vitesh kjo do bëhet më e zakontë për publikun”, thotë violinisti.

“Është një kënaqësi e veçantë që patëm shansin të performonim këtë koncert përmbyllës të ciklit të plotë të sonatave të Bethovenit me Tedin në Tiranë. Dhe pas kësaj periudhe të tmerrshme të shkaktuar nga Covid-19, ku koncerti u anulua, është një kënaqësi e madhe që të ndanim sërish skenën bashkë përballë një publiku kaq entuziast. Kështu që ndjesitë e mia janë vetëm ndjesi gëzimi e lumturie, që jemi bashkë në këtë rrugëtim gati 8-vjeçar”, thotë Guy.

“Jam shumë i lumtur për këtë koncert final, pasi edhe artistët ishin në gjendje mjaft të mirë dhe publiku  e ndjeu këtë. U luajtën tre sonata themelore që nga rinia e Bethovenit deri tek sonata e Kreutzer që është finalizimi mbase i gjithë veprës së tij. Ishte një mbrëmje mjaft e veçante! Ndjeva një energji duke qenë në publik, muzika ishte e pëlqyer dhe i çonte njerëzit për një moment të vogël në një botë tjetër, që është edhe qëllimi i muzikës, thotë violonçelisti Vlorent Xhafaj, njëherazi drejtor i Festivalit DIfferent Trains.

Janë të shumta shkaqet që e nxisin Papavramin të rikthehet në vendin e tij.

Emocionet i shtohen kësaj performance, edhe në sajë të sallës së ‘Operas’ ku violinisti interpretoi për herë të parë në moshën 6-vjeçare. Ndan me ne përshtypjen për skenën e rikonstruktuar, por edhe për pianon Steinway and sons me të cilën Guy e shoqëroi.

“Sigurisht që është një moment i ngarkuar me njëmijë kujtime për mua që lidhen dhe me ‘Operan’. Para koncertit unë jam tërësisht i fokusuar tek ajo që do të luajmë, ndaj pjesa ku u përqendrova ishte akustika e sallës dhe më pëlqeu. Është një akustikë e mirë që ka një thellësi në tingull dhe për këtë repertor ishte perfekt. Për disa repertorë të tjerë, mbase perdet përpijnë pak tingull, sikur të kishte një mundësi tjetër mbase për koncertet instrumentale, por e di që ky është Teatër Opere. Megjithatë, është vërtetë një sallë me vlerë që mund të bësh në kondita shumë të mirë muzikë, përveç pianos, që ka një problem që është goxha e shkatërruar, edhe pse është një pianoje e një marke shumë të mië, ose ka nevojë për një riparim të tërë të thellë, ose për një instrument të ri. Kjo do të ishte për koncertet instrumentale një nevojë, vërtetë!”, tregon Papavrami.

E siç rrëfen, Bethoveni, si thuajse për çdo muzikant,  zë një vend të veçantë edhe në rrugëtimin e tij artistik.

“Bethoveni zë një vend krejt të privilegjuar, të veçantë është një mrekulli e historisë së njerëzimit, sesi ky njeri ka arritur të krijojë me kaq energji, me kaq fisnikëri... Është një muzikë e pafund që sa herë që e luan të duket gjithmonë si hera e parë, dhe shpirti i tij është aty gjithë kohën”, rrëfen violinisti.

Ndërsa, për pianistin francez, njohja e kureshtja për Shqipërinë nis pikërisht me rrëfimin autobiografik Tedit në “Fugë për violinë”.

“Sigurisht që historia e Tedit dhe e vendit të tuaj është diçka shumë prekëse për ne.  Në familjen time ne të gjithë e kemi lexuar librin e tij ku rrëfen vitet e hershme të tij. Ky libër është një bestseller në Francë. Kështu që do të ishte tepër emocionuese që ta ndaja një pjesë të kësaj historie me të...”, tregon Guy.

Nuk ngurron të ndajë me ne edhe përshtypjen e tij, për Tedi Papavramin në paskuinta.

“Tedi është një miksim i një njeriu befasues me cilësi të jashtëzakonshme njerëzore fillimisht. Kur dikush e sheh për herë të parë, të krijon përshtypjen si një njeri që është në botën e vet, por bota e tij është gjigande, kështu që nëse ti ke shansin që të kesh sadopak akses në botën e tij, ti je me fat. Po ashtu ai është një partner i mrekullueshëm në skenë dhe muzikanti më i mirë i mundshëm”, thotë pianisti francez.

Ndërsa Papavrami thotë se ky rikthim ka qenë gati çlirues për të, e ndonëse koha ishte e shkurtër, thotë se arriti ta shijojë Tiranën në një dimension më shpirtëror.

“Në fakt kësaj here u mundova të mos takoj shumë njerëz. Çka ndoshta nuk gëzoi shumë ata që duan të më takojnë. Por ishte hera e parë që pas ardhjeve të para në vitin 1993 që më në fund dola pak vetëm. Shëtita nga liqeni, shkova në dyqan etj., dhe vura re se gjërat po përparojnë”, thotë violinisti.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja