‘Rindërtimi’ pas tëmretit të nëntorit 2019, ishte kryefjala e shqetësimeve që ngritën banorët e Kombinatit, gjatë dëgjesës mbi buxhetin e 2026-ën për Bashkinë Tiranë.
Nënkryetari i Bashkisë Tiranë Ilir Mëngra, iu përgjigj qytetarëve me shifra për familjet që kanë marrë aktualisht banesat e tyre, ndërsa 160 familje pritet të marrin çelësat brenda këtij muaj.
“Janë identifikuar 688 familje, 688 apartamente. Në këto moment që flasim rreth 230 familje i kanë marrë tashmë apartamentet e tyre. Një short që ka filluar sot dhe nesër kur do të ndahen 82 apartamente. 80 banesa të tjera do të ndahen në shortin e datës 31 dhjetor. 75 apartamente të tjera mbarojnë në muajin shkurt”, tha Mëngra.
Me 5 pallate ende vetëm në letra por pa nisur në terren, rindërtimi në Kombinat pritet të finalizohet në 2028-ën.
“Kemi dhe tre kontrata të lidhura për tre pallate të cilat do të ndërtohen gjatë vitit 2026. Ndërkohë në vitin 2026 kemi planifikuar dhe projektimin e dy pallateve të tjera të cilat me mbarimin e projektimit gjatë vitit 2026 fillon ndërtimi dhe mbaron brenda vitit 2027. Gjatë kohës që ne ndërtojmë për tërmetin lindin dhe nevoja për shpronësim sepse ndërtojmë në prona të banorëve të tjerë, që do të thotë i numrit prej 678 familjesh që janë identifikuar në fillim i shtohet dhe një numër prej 200 e ca të tjerë që preken nga shpronësimi dhe në total ky numër prej 1.000 apartamentesh do të mbarojë ndoshta në fund të vitit 2027 dhe ndoshta në vitin 2028”, tha Mëngra.
Pjesë e buxhetit të vitit të ardhshëm tha nënkryetarja tjetër e Bashkisë Vasilika Vjero, është edhe investimi në transportin publik.
“Do të rikonceptohet dhe njëherë lëvizja në tre linjat kryesore dhe besoj që një linjë është shumë e rëndësishme dhe për zonën e kombinatit është ajo kinostudio kombinat është linja e unazës dhe ajo e Tiranës së re ku do të rikonceptohet lëvizja, do rikonceptohen korsitet dhe do të eliminohen edhe vonesat apo qëndrimet e gjata pranë pikave të stacionit”, tha Vjero.
Po ashtu duke filluar nga viti i ardhshëm, do të fillojë dhe pilotimi nga kalasa e parë deri në klasën e pestë e ofrimit të ushqimit në shkolla.
Komente









