Në prag të ndeshjes finale me Spanjën, trajneri i ekipit të Italisë Çezare Prandeli është shprehur se nuk i trembet aspak kundërshtarit. “Spanja e bazon lojën e saj në mesfushë, por ne nuk trembemi sepse kemi futbollistë shumë cilësorë që do të bëjnë diferencën si në rastin e Anglisë dhe Gjermanisë.

Nuk do të përqendrohemi tek zotërimi i topit, por në shfrytëzimin në maksimum të rasteve që do të kemi për të shënuar” thotë Prandeli, i cili vazhdon më tej duke shpjeguar disa detaje nga skema me të cilën do të zbresë në fushë.

“Në repartin e mbrojtjes do të luajmë me katër futbollistë duke minimizuar hapësirat për kundërshtarin. Kam besim të plotë që mbrojtësit do të jenë në lartësinë e duhur për t’i bërë ballë kundërsulmeve dhe për të treguar se nuk janë rastësisht në finale” përfundon italiani. Në ekipin “axurr” gjendja psiko-fizike e futbollistëve është mjaft e mirë.

Casano është rikuperuar plotësisht pas një dëmtimi të lehtë, ndërsa Baloteli shfaqet më supersticioz se kurrë duke mos folur edhe shokët e ekipit, pasi është përqendruar tërësisht për finalen. Presidenti i Italisë Napolitano gjatë ditës së djeshme ka ftuar ekipin në zyrën e tij ditën e hënë pas kthimit nga Ukraina, pavarësisht fitores apo jo të kompeticionit.

(d.b/shqiptarja.com)