Sot në mbrëmje në orën 21:30 në "Santiago Bernabeu" luhet finalja e Kupës së Mbretit. Derbi madrilen mes Real Madrid dhe Atletico Madrid pritet të dhurojë spektakël, pasi Kupa e Mbretit është e vetmja mundësi për të fituar trofe mbi të gjithë për Los Blancos.

Të dyja skuadrat pritet të zbresin në fushë me formacionet më të mira dhe i kanë të gjithë futbollistët në dispozicion. Në konferencën e shtypit, sulmuesi Radamel Falcao ka konfirmuar se ende nuk ka asnjë të re për të ardhmen e tij.

Falcao, autor i 28 golave këtë sezon, ka sqaruar se po mendon vetëm për finalen e Kupës dhe për Atletikon, dhe jo për Monakon, skuadër me të cilën lidhet e ardhmja e tij.

Trajneri i Atletikos Diego Simeone preferon t’ia lërë Murinjos rolin e favoritit: “Reali i Madridid është më i fortë se ne dhe kjo nuk ka dyshim, por në një ndeshje të vetme siç është finalja, gjithcka mund të ndodhë dhe ne do bëjmë të pamundurën për të siguruar trofeun”, përfundon trajneri argjentinas.

Murinjo nuk është paraqitur në konferencën e shtypit dhe ka nxjerrë kapitenin Sergio Ramos. Reali e fitoi Kupën e Mbretit në 2011 ndaj Barcelonës ndërsa vitin e kaluar fitoi titullin kampion.

Kapiteni Ramos ka siguruar në qëndrimin e Ronaldos në Madrid ndërsa ka shtuar “Pas eleminimit nga Championsi, kemi Kupën e Mbretit për të cilën do luftojë sot në mbrëmje. Nuk duam që ta fitojmë Kupën për të shpëtuar sezonin, por për të mbyllur mirë sezonin", përfundon qendërmbrojtësi.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja)