LeBron Xhejms ka lënë pas të gjitha pasiguritë e një viti më parë dhe po udhëheq me qetësi Majemin drejt titullit kampion në NBA. MVP i sezonit të rregullt shënoi 29 pikë e 14 topa në tabelë për t’i dhënë skuadrës së tij suksesin 91-85 dhe kryesimin 2-1 në këtë seri finale.

Forma e shkëlqyer e Xhejms duke se ka zgjuar edhe Duejn Uejd, i cili shënoi 25 pikë, 7 topa në tabelë dhe 7 pasime, ndërsa Kris Bosh shtoi 10 pikë e 11 topa në tabelë. Treshja e Majemit ishte vendimtare në thuajse çdo aksion në periodën e tretë dhe të katërt kur arritën të përmbysnin disavantazhin prej 10 pikësh ndaj Oklahomas për të marrë kryesimin e më pas për të fituar ndeshjen.

Nga ana tjetër, Kevin Durant kishte përsëri telashe me faullet dhe u kufizua vetëm me 25 pikë. Dy “ndihmësit” e tij, Uestbruk dhe Harden nuk u paraqitën në nivelin e kërkuar pasi i pari shënoi 19 pikë ndërsa i dyti vetëm 9.(rb/shqiptarja.com)