Këtë të dielë në orën 20:00 do të luhet El Clasico mes Real Madrid dhe Barcelonës e vlefshme për Superkupën e Spanjës. Siç dihet tashmë superpërballja zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite ku Real Madrid stërvitjen e fundit e ka kryer me prezencën e Cristiano Ronaldo-s, i transferuar nga janari te skuadra e Al Nassr.
Si Reali ashtu edhe Barcelona vijnë në këtë finale të kualifikuar me penallti, ndërsa ndryshe nga ‘blaugranët’ galaktikët kanë disa mungesa. Alaba dhe Tchoumeni e kanë humbur finale, ndërsa në pikëpyetje janë Camavinga dhe Militao.
Për t’u theksuar se Ancelotti nuk ka humbur asnjë finale me Real Madrid, e fundit në 2010 kur drejtonte Chelsea-n. Mirëpo përballë ka Xavi-n, i cili kërkon trofeun e parë nën drejtimin e Barcelonës. Trajneri katalanas thotë se e motivojnë statistikat e pathyeshme të italianit, ndërsa shtoi se ‘me një titull në xhep ai dhe skuadra do shihen me sy tjetër’. Sakaq Ancelotti u kujdes të konfirmonte se ‘Real Madrid nuk është një skuadër e ngopur me trofe, pasi konkurenca kërkon të fitosh sa më shumë’.
Dy skuadrat e mëdha të Spanjës dhe jo vetëm i kanë llogaritë të hapura edhe në La Liga. El Clasico-n e parë të sezonit e fitoi Real Madrid, mirëpo Barcelona aktualisht udhëheq kampionatin me 3 pikë më shumë se ‘galaktikët’. Sonte ndërkohë do jepet verdikti i parë i sezonit në Spanjë.