Standardet e kredisë dhënë individëve u shtrënguan gjatë tremujorit të tretë. Analiza e Bankës së Shqipërisë tregon se sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u shtrënguan si për kreditë konsumatore, ashtu dhe për kreditë me qëllim financimin e banesës. Shtrëngimi i standardeve rezultoi në një masë më të madhe për kreditë konsumatore se për kreditë me qëllim financim banese. Balancat përkatëse shënuan vlerat -4.0% dhe -0.4%, në rënie krahasuar më një tremujor më parë.
Faktorët që dhanë kontribut në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë dhënë individëve janë: niveli i huave me probleme, gjendja financiare e individëve dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Nga ana tjetër, faktorët që kanë ndikuar në kahun lehtësues të standardeve janë: niveli aktual ose i pritshëm i likuiditetit të bankës, konkurrenca në sistemin bankar, vendimet e Bankës e Shqipërisë, si dhe mjaftueshmëria e kapitalit të bankës.
Bankat zbatuan një politikë shtrënguese të standardeve të kredidhënies për individë, kryesisht nëpërmjet rritjes së marzhit për kreditë me rrezik dhe uljes së madhësisë së kredisë. Në tremujorin e tretë, si instrument për lehtësimin e standardeve u përdor dhe zgjatja e maturitetit maksimal të kredisë, zbutja e kërkesave për kolateral, si dhe zvogëlimi i komisioneve.
Kërkesa për kredi
Kërkesa e individëve për kredi u vlerësua në rënie, gjatë tremujorit të tretë. Balanca përkatëse shënoi vlerën -2%. Vlerësimi mbi kërkesën nuk përputhet me pritjet e shprehura në tremujorin e kaluar, për rritje të kredisë në tremujorin aktual. Kërkesa për kredi rezultoi në rënie për kreditë me qëllim blerje banese, balanca përkatëse e të cilave shënoi vlerën -11.7%. Ndërkohë, kërkesa për kredi me qëllim financimin e konsumit shënoi rritje, ndonëse më të ulët se në tremujorin e kaluar.
Balanca përkatëse rezultoi 7.6%. Ekspertët e kredisë presin rritje të kërkesës së individëve për kredi, në tremujorin e katërt të vitit 2013.
Ndër faktorët me ndikimin më të madh në krahun rënës të kërkesës së individëve për kredi ishin: rënia e besimit të konsumatorëve dhe përdorimi i burimeve alternative të financimit. Nevoja për financimin e banesës dhe të konsumit, kushtet e aplikuara nga bankat dhe kushtet e kreditimit vijojnë të ndikojë pozitivisht në nivelin e kërkesës për kredi të individëve.
Shkrimi u publikua sot (17.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)