Ky është një lajm i mirë për firmat private e përfshirë në këto projekte, si edhe bankat. Për alokimin e këtyre fondeve në një kohët të shkurtër, nevojitet një akt normativ.
Për pasojë Financat kanë propozuar ndryshimet në ligjin e buxhetit të vitit 2013 në formën e aktit normativ, nr. 7, datë 14.12.2013, “për disa ndryshime ne ligjin nr. 119/2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, të ndryshuar”. Ky akt normativ është propozuar në mbështetje të nenit 101, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në këtë dispozitë kushtetuese parashikohet që Këshilli i Ministrave, ka të drejtën e nxjerrjes së këtyre akteve rregullatore me fuqinë e ligjit.
ARSYET
Ndërhyrja me një akt normativ për të ndryshuar planin e buxhetit për vitin 2013 është argumentuar nga Financat, duke iu referuar nenit 101 të Kushtetutës, se “aktualisht situata e krijuar vlerësohet e pamundur të presë aq kohë sa duhet për nxjerrjen e ligjit të nevojshëm nga organi ligjvënës, qoftë edhe nëpërmjet proçedurave të përshpejtuara”. Konkretisht janë dy ministri të cilave u nevojiten fonde shtesë, në mënyrë që të perballojnë shpenzimet. Ministria e Mirëqënies dhe Rinisë i nevojiten, për të paktën 1 muaj, edhe 1.9 miliardë lekë më shumë se sa ishte planifikuar në planin e buxhetit e vitit 2013. Ndërsa, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e ka të pamundur përballimin e pagesave, të krijuara nga muaji shtator 2013 e në vazhdim, të cilat përllogariten në masën 3 miliardë lekë.
Ecuria
Ky akt normativ është hartuar duke u nisur nga rivlerësimi pozitiv i situatë makroekonomike dhe fiskale të kohës. Gjatë periudhës tetor-nëntor 2013, nga doganat dhe tatimet janë mbledhur në total 3.3 miliardë lekë më shumë se parashikimi për këtë periudhë të vitit. Pra ecuria përtej parashikimeve e të ardhurave ka mundësuar që Qeveria t’i përgjigjet nevojave financiare të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe rinisë si edhe atyreve të Ministrisë së Transportit dhe infrastrukturës.
PLANIFIKOHEN 1.9 MLD LEKË SHTESË PËR NDIHMËN SOCIALE
Në bazë të relacionit të Ministrisë së Financave për aktin normativ, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë (MMSR) e ka të pamundur të përballojë pagesën për personat me aftësi të kufizuar dhe ndihmën sociale.
Në buxhetin 2013, këto shpenzime ishin planifikuar në masën 17.4 miliardë lekë. Ndërkohë, si rezultat i rritjes së numrit të përfituesve, MMSR-së i nevojiten edhe 1.9 miliardë lekë më shumë në buxhetin e saj.
Shkrimi u publikua sot (22.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)