TIRANE- Ministria e Financave po shqyrton mundësinë e emetimit të një eurobondi të ri në tregun ndërkombëtar të borxhit, vitin tjetër.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha të martën se ka filluar punën për emetimin e eurobondit të ri, i cili do të mundësonte shlyerjen e eurobondit të maturuar, apo dhe do të siguronte para shtesë për investimet.
'Në mënyrë që të lëmë sa më shumë hapësirë për kredimarrje nga biznesi ne synojmë tregjet e huaja", tha Cani.
Sipas tij, ne synojmë të gjejmë një zgjidhje optimale që merr parasysh edhe risqet dhe përfitimet dhe aletrnativën që është më e mira për ekonominë. Ministri tha se eurobondi mund të jetë 300 deri në 500 milionë euro.
Në tetor 2010, Shqipëria debutoi në tregun e eurobondeve, duke arritur të shesë shumën prej 300 milionë eurosh, me një normë interesi prej 7.5%.
Planet e financave shumë shpejt do të dalin publikisht me kërkesën e tyre për emetimin e eurobondit në tregjet ndërkombëtare, në mënyrë që deri në nëntor të kenë përfunduar të gjitha procedurat për sigurimin e shumës së kërkuar.
Deklarata e ministrit Cani u bë sot në Komisionin e Ekonomisë. /ATSh/