TIRANE - Ministria e Financave pritet që brenda pak ditësh të marrë një vendim për  disiplinimin e shpenzimeve buxhetore. Pak ditë më parë, gjatë takimit ndërmjet kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe atij të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, iu kërkua qeverisë aktuale ndalimi i prokurorimeve të reja, të mos merren vendime për koncesione të reja të pasurisë publike, të garantohet që administrata të mos përfshihet në veprime antiligjore apo joetike të orës së fundit me arkën e shtetit.

Ndërkohë, specialistë të dikasterit të Financave, po hartojnë një vendim për bllokimin e të gjitha veprimeve për shpenzimet publike. Në këtë projekt thuhet se, duke nisur nga data 8 korrik, botimi i çdo lloj njoftimi, duke përfshirë këtu edhe negocimin pa publikim, me përjashtim të  njoftimit të kontratës së nënshkruar, për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzimet kapitale dhe korrente të njësive të qeverisjes së përgjithshme, do të bëhet vetëm me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Nga ky rregull do të përjashtohen fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve, në ato njësi ku kryhet ky shërbim, prokurimet për blerjet e vogla, ku hyjnë blerjet deri në 10 mijë lekë dhe investimet nga të ardhurat e realizuara nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme.

Gjithashtu, do të reduktohen shpenzimet operative e të gjitha njësive më 20 %, reduktohet 30 % masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare për të gjithë ata që përfitojnë, fondet e papërdorura për pagesën e telefonisë fikse, për periudhën e mbetur përgjysmohen, si dhe hiqen pagesat e anëtarëve të bordeve të ndryshme.

Nuk do të ketë  të punësuar të rinj me kontrata në administratë, thuhet në projekt-vendim,  ndërkohë që hiqen dietat e udhetimeve jashtë vendit për të gjithë nëpunësit e administratës publike. Nga kjo perjashtohen aktivitete që përfshijnë titullarët e institucioneve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)