TIRANE- Ministria e Financave njoftoi dje se ka shlyer të gjithë shumën e parashikuar në buxhetin e shtetit për këtë vit, në zërin e detyrimeve të prapambetura. Deri më datë 5 dhjetor, ministria ka alokuar rreth 35 miliardë lekë detyrime të prapambetura.

Të ndara sipas kategorive ato janë si më poshtë: Për “Investime publike” janë alokuar 9.5 miliardë lekë, për “shpenzime korente për mallra dhe shërbime” janë alokuar rreth 6 miliardë lekë, për “rimbursimin e TVSH” janë alokuar rreth 13.4 miliardë lekë dhe për kategorinë “të tjera”, ku përfshihen detyrimet për vendimet gjyqësore, janë alokuar rreth 3.8 miliardë lekë, shpronësimet janë alokuar rreth 400 milionë lekë dhe personat me aftësi të kufizuara janë alokuar rreth 2.3 miliardë lekë.

Në lidhje me rimbursimin e TVSH, pas rakordimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Ministria e Financës ka proceduar me listën e subjekteve për detyrime që i takojnë periudhës deri më 31 dhjetor 2013, subjekte për të cilat ka alokuar rreth 13.4 miliardë lekë.

Duke qenë se po shkohet drejt mbylljes së vitit buxhetor 2014, Ministria e Financave u bën thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve të verifikojnë listat e detyrimeve, të publikuara në faqen në internet të Ministrisë. Nëse janë pjesë e tyre, të paraqiten sa më shpejt pranë institucioneve përkatëse.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)