TIRANE- Qeveria shqiptare ka siguruar rreth 900 milionë dollarë financime me terma të butë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Bashkimi Europian. Ministria e Financave ka bërë me dije se marrja e këtyre kredive do të ndihmojë ekonominë, duke injektuar likuiditet në treg.

Paketa e kredisë që qeveria ka siguruar dhe pritet të marrë nga Banka Botërore në total shkon 320 milionë dollarë. Zëvendësministri i Financave Erjon Luçi tha dje për median se, veç dy transheve me vlerë total 220 milionë euro, tashmë të njoftuara, që lëvrohen këtë vit, do të ketë edhe një tjetër disbursim vitin e ardhshëm. “Është planifikuar edhe një transh tjetër për vitin që vjen, të paktën 100 milion dollarë, ndërkohë që ka bisedime për programe të tjera të reja, por, për momentin, ajo që është e sigurit është se shumë shpejt do të fillojmë me përpilimin e disa masave për transhin e dytë, që do miratohet më vonë”, tha ai.


“Këto fonde japin mundësinë që t’i japësh një goditje ekonomisë në momentin që ajo ka nevojë më shumë, ndërkohë që e kthen kredinë në një kohë më të mirë, kur ekonomia është në një gjendje shumë më të mirë dhe në gjendje për të paguar, përveç faktit që kushtet e kredisë janë jashtëzakonisht të buta. Kjo është e mira e parë që ne kemi synuar me këtë lloj financimi”, shton zv.ministri i Financave.
Por, sipas tij, këto marrëveshje financimi kanë dhe një tjetër efekt pozitiv, pasi nxisin reformat që ndihmojnë ekonominë. “Ky operacion është i lidhur me përmirësimin e kushteve në tregjet financiare pikërisht për t’i dhënë hapësirë rritjes më të shpejtë të kredisë, që, siç e dimë, ka arritur në një pikë stanjacioni, që të mbështesë rritjen ekonomike, po aq sa mund të mbështesë edhe pjesa e shpenzimeve publike”, sipas tij.

Paratë e siguruara nga donatorët po përdoren kryesisht për të shlyer detyrimet e prapambetura të shtetit ndaj biznesit. Për këtë vit qeveria ka parashikuar të paguajë 350 milionë dollarë, nga të cilat më se 100 milionë tashmë janë paguar. Nga ana tjetër, shuma do të përdoret edhe për konsolidimin e sektori bankar, që po has probleme të rritura me kreditë e këqia.
Kreditë do të shlyhen për 20-35 vjet dhe interesi varjon në shifra shumë të ulta, ndryshe nga kredia tregtare, e marrë nga qeveria e mëparshme për të blerë energji elektrike nga importi apo për të financuar rrugën e kombit në segmentin Rrëshen-Kalimash.

Gradualisht, sipas ndërkombëtarëve, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit do të fillojë të rikthehet në shifrat e mëparshme, mbi 3 për qind duke nisur nga viti i ardhshëm.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)