TIRANË- Nën akuzën se ka cenuar sigurinë kombëtare, Partia Socialiste ka kërkuar nisjen urgjente të hetimeve për deputetet e Partisë së Lirisë, njëherazi bashkëshorten e ish-presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhi. Nga Kuvendit, deputeti Toni Gogu tha se organi hetimor do duhet të nisë hetimet dhe të zbulojë lidhjet që ka Kryemadhi me Rusinë.

“I bëjmë thirrje që të fillojnë urgjentisht hetimin, Kryemadhi mund të hesht, por prokuroria jo se është cenuar sigurua kombëtare dhe Shqipëria është njollosur", tha ai. 

Duke iu referuar shkrimit të bërë në Shqiptarja.com se Kryemadhi ka kaluar në këmbë kufirin e Shqipërisë një ditë para se të kalonte nga llogaria e saj bankare në Zvicër në llogarinë e biznesmenit rus Vitaly Savvin, shumën 9.6 mijë USD për shërbime marketingu, Gogu, tha se për gjithë këtë duhet të japë shpjegime.

“Gjithashtu Zonja Kryemadhi duhet t’u përgjigjet shqiptarëve edhe për lëvizjet e saja jashtë shtetit? Mediat kanë publikuar se lëvizjet e zonjës Kryemadhi në vitin 2017 kur janë bërë edhe këto pagesa korrenspondojnë me lëvizjet nëpër llogari”, tha ai.

Kjo deklaratë vjen pak ditë më parë dolën të dhëna sensitive që flasin për përfshirjen e Monika Kryemadhit, ish-kryetare e LSI, në financime dhe pagesa të dyshimta nga kompani off shore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës. Kryemadhi akuzohet ka marrë dy pagesa nga kompania Holdem Holdings Limited, një kompani e inkorporuar në Qipro, me pronarë oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan. Kryemadhi ka bërë edhe një pagesë për Vradus Holdings të rusit tjetër Vitaly Savvin. Këto transaksione nuk janë deklaruar në ILDKP. Kryemadhi ka mohuar që ka aksione dhe llogari jashtë vendit, por dokumentet konfirmojnë të kundërtën.

Nga verifikimet e Report Tv, rezultoi se Kryemadhi, në datën 17 korrik 2017, ora 14:26, ka kaluar kufirin në këmbë në pikën e kufitare të Qafë Botës, një veprim i pazakontë ky për një deputete dhe kryetare partia. Një ditë më pas, në 18 korrik 2017, ora 15 e 20 minuta, nga llogaria e Monika Kryemadhit në Credit Agricole Suisse SA në Zyrih të Zvicër kanë kaluar paratë drejt llogarisë së kompanisë Vradus Holdings Limited.

Kjo kompani figuron e regjistruar në Qipro dhe pas saj qëndron Vitaly Savvin, një biznesmen rus në tregun e naftës. Një ditë pas këtij transaksioni, në 19 korrik 2017, Monika Kryemadhi kthehet në Shqipëri, duke kaluar në pikën kufitare në Qafë Botë, këtë herë me makinë, në orën 11 e 39 minuta. Përputhja e lëvizjeve në TIMS me transaksionet e paligjshme në Zvicër konfirmon dokumentet e publikuara nga media evropiane EU Reporter, në 15 mars 2023, për transaksione të Kryemadhit me tre biznesmenë rus, të afërt me Putinin.