/ATSH-L. Verdha/ -Pothuajse të gjitha sindikatat finlandeze kanë njoftuar se, si kundërpërgjigje ndaj shkurtimeve të ndjeshme buxhetore të Qeverisë, të Premten, me 18.9.2015, do të organizojnë një Grevë të Përgjithshme, që do të prekë pothuajse gjithë sektorët ekonomikë dhe social-kulturorë të Finlandës (pezullim nga disa orë deri në një-ditor i industrisë, transportit rrugor-hekurudhor-ajror, shkollave, bankave etj.).
Flitet se në grevë do të përfshihen edhe sindikatat e policëve, zjarrfikësve, nëpunësve shtetërorë etj. Sidoqoftë, është njoftuar se ambulancat, spitalet , farmacitë dhe disa shërbime të tjera jetike do të funksionojnë rregullisht me personel më të kufizuar. Po kështu, taksitë nuk do përfshihen në grevë.
Aktualisht Finlanda po kalon një periudhë mjaft të vështirë ekonomiko-financiare, ku, sipas pohimeve të Kryeministrit Sipilä, borxhi publik përbën gati 80 për qind të prodhimit bruto të vendit, niveli i papunësisë është mjaft i lartë, investimet janë jashtëzakonisht minimale, vala e refugjatëve e paparë ndonjëherë (rreth 30.000 vetë), etj., etj.
Qeveria mendon se përmirësimi i gjendjes kërkon masa drastike, të cilat janë paraqitur këto ditë gjatë diskutimit të buxheti të vitit të ardhshëm. Qeveria planifikon ta ndreqë gjendjen ekonomiko-financiare gradualisht, duke ngrirë pagat, shkurtuar pushimet vjetore, zgjatjen e orëve të punës me dy javë në vit, mospagimin e dy festave jo kryesore fetare (po qe se bien në ditë jave), heqja e pagesave shtesë për punën e kryer të Shtunave dhe të Dielave, shkurtim i disa kompensimeve për të papunët që s'pranojnë të punojnë aty ku ka punë, etj., etj. Këto masa kanë hasur në kundërshtimin e sindikatave, të cilat po bëjnë përpjekje të ruajnë përfitimet e garantuara në Kushtetutë dhe në një numër të madh marrëveshjesh punëdhënës-punëmarrës. Greva e Përgjithshme e së Premtes do jetë e para pas asaj të 1 Marsit 1956, që mori shkas vetëm nga mosmiratimi i shtimit të pagave me 6-10 për qind (afro 0,31 euro për njësi page).
Sonte në orën 21:05 lokale kanalet televizive dhe radiot e Finlandës do të transmetojnë Fjalën e regjistruar të Kryeministrit Sipilä, gjatë së cilës ai do t'i bëjë drejtohet direkt popullit për t'u solidarizuar me masat e parashikuara dhe për të anulluar grevën, dëmi i së cilës llogaritet në disa qindra mijëra euro.