Finlanda ka nisur stërvitjen më të madhe të mbrojtjes civile në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, mes rrezikut se lufta ruse në Ukrainë mund të kapërcejë kufijtë e NATO-s dhe të godasë vendet europiane,

Në stërvitje morën pjesë mbi 2 mijë banorë dhe rekrutë ushtarakë. Simulimi u zhvillua në qytetin Kuopio, ku pjesëmarrësit u trajnuan për reagimin në rast sulmesh ndaj infrastrukturës kritike dhe situatash lufte.

Gjatë stërvitjes, civilët u strehuan në bunkerë nëntokësorë të ndërtuar për t'i bërë ballë sulmeve bërthamore, kimike dhe me raketa. Skenari parashikonte edhe dëmtimin e rrjeteve të energjisë dhe ujit si pasojë e sulmeve kibernetike.

Sipas autoriteteve finlandeze, mbrojtja e vendit mbështetet edhe te përgatitja e popullsisë për të përballuar të paktën 72 orë në mënyrë të pavarur në rast krize. Pas anëtarësimit në NATO dhe ndërprerjes së importeve të karburantit rus, kompanitë e energjisë në Finlandë kanë raportuar shtim të sulmeve kibernetike dhe fluturimeve të dyshimta të dronëve mbi infrastrukturën energjetike.

Finlanda ruan një sistem të detyrueshëm të shërbimit ushtarak, të ndërtuar mbi përvojën historike të luftërave me Bashkimin Sovjetik dhe mësimet e nxjerra nga lufta në Ukrainë.