Fiqëri Goxhi, letër artistes Loretta
Goggi: Njihe Borshin e gjyshit tënd

Fiqëri Goxhi, letër artistes Loretta<br />Goggi: Njihe Borshin e gjyshit tënd
VLORE - Fiqëri Goxhi, një intelektual nga Vlora, ka vendosur që t’i dërgojë letrën e fundit artistes së famshme italiane Loreta Goxhi, pas disa letrave që i ka nisur më parë. Ai ka thënë për “Shqiptarja.Com”, se pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes, Dianës, e vetmja “Mësuese e Merituar” në Vlorë, nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Kisha dy pengje-thotë ai: të botoja librin “Elegji për Dianën”, që doli në dritë dhe më mbetet pengu tjetër, që nuk do të më tretë dheu. I kam dërguar dy letra, por asnjëherë nuk kam marrë përgjigje. Jam siguruar që i ka marrë, i kam dërguar pemën e familjes, letrën e fundit e kam bërë edhe publike, por nuk e kuptoj përse nuk përgjigjet. Le të më thotë që nuk dëshiroj të vij dhe unë e fisi qetësohemi”.
 
Cila është përmbajtja e letrës, që i keni dërguar artistes italiane zoti Goxhi?

I kam folur me fakte, argumente, që provon katërcipërisht që ajo është mbesë në Borshin e Sarandës, është kushërira ime e dytë. Sikurse e shihni unë kam një dosje me dokumente, data, foto, me aktivitetin e disa prej burrave të këtij fisi. Është hartuar saktë pema e fisit, ku përfshihen 7 breza. Gjithçka ka ardhur në duart e mia e ruajtur me kujdes nga stërgjyshi, gjyshi, babai dhe unë Fiqiriu do t’ia kaloj tim biri. Dëshiroj ta fillojmë duke sqaruar se nga rrjedh mbiemri Goxhaj.
 
Mund të komentoni pemën e fisit, kush e ka ndërtuar dhe mbi çfarë baze?
Pemën e ka bërë gjyshi im, Xhelil Goxhi, që i përket vitit 1870. Që këtu mund të nis të shpjegoj. Gjyshi im, Xhelili, vëllezërit e tij Rexho dhe Muslimi, që janë djemtë e Tahir Goxhit, në vitin 1908 vendosën që të shkonin në Turqi. Gjyshi im kishte gruan, djalin dhe vajzën në Shqipëri dhe nuk qëndruan, ndërsa Rexho dhe vëllai tij Mysliu, shkuan në Stamboll dhe u vendosën atje.

Mysliu ishte i martuar këtu, la edhe dy fëmijë, një djalë e një vajzë. Rexho, pra vëllai i gjyshit tim, ka qenë një djalë shumë i bukur. Ndoshta edhe për këtë shkak, ai është vendosur menjëherë në punë, në një kafaz në një konsullatë në Stamboll.Sikurse dihet nga i gjithë fisi, në këtë kohë, ai dashurohet me një vajzë greke, gjë që nuk e dëshiroi askush dhe iu kërkua që të mos martohej me të, por në të vërtetë ai u martua. Ishte ky shkaku që të gjithë Goxhillarët e abandonuan dhe i thanë të kemi bërë lanet, sepse na prishe fenë.Megjithëse ndodhi një farë ndarjeje, përsëri gjyshi interesohej për të vëllanë.

Ai mësoi se Rexho mori gruan greke dhe iku në Greqi më pas u vendos përfundimisht në Kajro, Egjipt. Dua të theksoj edhe një hollësi tjetër. Burrat e këtij fisi kanë qenë shumë të pashëm. Rexho, gjyshi i Loretës, ka qenë yll djalë. Bukuria e tij trashëgohet nga stërnipi, djali i Miranda Goxhit në Tiranë, që është dhëndër i ish-Presidentit Bamir Topi.
lane goxhi
Keni të dhëna konkrete rreth kësaj historie?

Na e ka treguar im atë, jo vetëm kaq por atje e ka gjetur edhe një njeriu ynë, që shkonte atje e shiste qitro për pashkët. Bëhet fjalë në vitet ‘30. Kaq dihej, por nuk kishin korrespodencë.
 
Flitet se fisi Goxhi ka pasur burra patriotë? Keni ndonjë të dhënë?

Eja të shohim bashkë këtë foto, që është bërë në Berlin në vitin 1933, ku janë tre burra. Ai që është ulur, quhet Lano Goxhi-Borshi, është xhaxhai i babait tim. Historia e njeh si fanolist, madje ai ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes në periudhën e Fan Nolit. Është pikërisht personi që i ka bërë gjyqin Ahmet Zogut dhe e ka dënuar me vdekje, ka qenë jurist në profesion.

Personi tjetër është Dr.Omer Nishani dhe në të djathtë të tij, është Heroi i Popullit Halim Xhelo. Ata kanë dalë në Berlin, ku u detyruan të largohen pas rrëzimit të qeverisë së Nolit dhe gjetën strehë në Gjermani. Ata morën pjesë në Konare dhe kanë qenë në shoqërinë e Gjergj Dimitrovit, Vilhem Pikut, Oto Grotovorit. Kur u dogj Raishtagu, të tre këta, u cilësuan komunistë dhe  rrezikonin që Hitleri t’i fuste në burg. Në këto rrethana ai shkoi u strehua tek e motra në Turqi, ndërsa dy të tjerët shkuan në Bashkimin Sovjetik.
 
Z.Fiqëri si e mësuat që artistja italiane Loreta Goxhi, është mbesa e Rexho Goxhajt. Mos ju ngatërron mbiemri?
Gjithçka është e mbështetur në fakte dhe jo thjeshtë nga mbiemri. Kur doli Gani Goxhi në pension shkoi në Turqi, për të takuar të afërmit, që i kish ndarë sistemi. Atje Goxhillarët i thonë: “A e dini ju se Rexho ka një mbesë, që është këngëtare me famë në Itali dhe emrin e ka Loreta Goxhi. Madje ajo vjen shpesh në Turqi për punët e saj”.

Pas kësaj unë mora përsipër t’i dërgoj një letër, që daton në vitin 1992. I tregova pemën e familjes, duke i shpjeguar se gjyshi i saj Rexho, ishte vëllai i gjyshit tim, se kemi të njëjtin gjak. Të vetmen gjë që të kërkojmë, i theksova në letër, është që të vish të njihemi, të shohësh Borshin, ku ka lindur gjyshi yt dhe ku është origjina e të parëve tuaj. Letrën ia dërgova në adresën e TV Rai, ku ajo punonte dhe jam i sigurt që e ka marrë, e ka lexuar, por, sikurse u shpreha më lart, nuk ktheu asnjëherë përgjigje.
 
Mos ndoshta do të ishte më mirë të lidheshit me babanë e saj, që është më afër jush?

Jemi interesuar në të gjitha mënyrat dhe verifikuam që babai i saj, është gjallë, quhet Xhulio, se ai ka edhe dy vajza, njëra quhet Daniela, artiste, dhe tjetra Lili. Flitet se babai i saj  punon në Parlamentin Italian, por nuk jemi të sigurt. Sa jemi të informuar, Loreta është martuar së fundmi, pasi e kemi parë në TV italiane. Loreta është e datëlindjes 1950, kurse Daniela 1953.

lane goxhiDo të bëni përpjekje për ta takuar vetë artisten italiane, kushërirën tuaj Loreta Goxhi?
Nuk kam mundësi shëndetësore për ta kërkuar, pastaj ne kemi dinjitet, nuk kemi pse t’i lutemi. Ia kam theksuar Loretës, po e ritheksoj publikisht se unë dhe fisi, që mezi presim ta shohim Loretën, nuk kemi asnjë nevojë dhe interes, na thërret gjaku.

Të them të drejtën u shqetësova, që në CV e saj, që ndodhet  edhe në internet, Loreta nuk përmendte as të atin dhe as gjyshin e saj, pa lëre të bëhej fjalë për origjinën e tyre. Nuk mund të kuptohet pse ndodh kjo. Kam vënë edhe njerëz të afërm që jetojnë në Itali, që janë angazhuar për vite të tëra dhe mos interesimi i saj do të thotë: Jo. Jam i bindur që e di çështjen, por ka gjykuar të mos përzihet. Gjithsesi unë po e dërgoj edhe këtë letër.
 
Çfarë keni gjë tjetër?
Në Romë është një firmë shumë e dëgjuar që e ka emrin “Borshi”, prodhon pije të ndryshme. Në vitin 1990 ka shkuar një delegacion nga Shqipëria, ku ka qenë edhe ish sekretarja e KE të Vlorës, zonja Shtylla, si dhe Hulsi Izmo, kushëriri im që punonte në Ministrinë e Jashtme.

Pronari ishte shprehur se ishin me origjinë arvanitas dhe se kishin ardhur aty që në kohën e Skënderbeut dhe u tha se “për respekt të vendlindjes së të parëve që ishin me origjinë nga Borshi, kemi vënë këtë emër”. Pra të bën përshtypje që ata që nga koha e Skënderbeut dhe nderojnë  vendlindjen e të parëve. Nuk ndjehemi mirë kur artistet e tjera si Ana Oxa, apo Rafaela Kara, thjeshtë se  janë  produkt i një dashurie shqiptare, pranojnë origjinën nga Shqipëria, ndërsa Loretës i ka lindur gjyshi, ka tërë fisin e të atit në Borsh të Sarandës. Nuk jam në gjendje ta kuptoj. Të shpresoj se këtë herë do të përgjigjet, ndoshta do të vijë të na takojë, se jetës nuk i dihet. S’jam mirë me shëndet dhe brenga do të më shoqërojë edhe në varr.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)
Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print,dt.18/09/2013

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024