Shqipëria firmos marrëveshjen me SHBA për futjen e gazit të lëngshëm natyror  në vendin tonë. Një projekt i cili përfshin konvertimin e TEC-it të Vlorës dhe  ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi duke e shndërruar Vlorën një port rajonal të gazit. Kryeministri Rama e cilëson këtë një zhvillim fantastik për energjetiken shqiptare.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku nënshkroi marrëveshjen sot në Huston me përfaqësuesit e dy kompanive amerikane Exxon Mobil e Excelerate Energy, për të vënë në punë termocentralin e Vlorës dhe është pjesë e traktatit të bashkëpunimit që u firmos mes Shqipërisë dhe Amerikës në vitin 2020.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim e ka cilësuar si gur themeli marrëveshjen e bashkëpunimit midis MIE dhe Exxon Mobil & Excelerate Energy për vlerësimin e kuadrit rregullator teknik dhe komercial të futjes së gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Shqipëri.

Edhe  kryeministri Edi Rama vlerësoi si mjaft të rëndësishëm për ekonominë shqiptare këtë projekt të sjelljes së gazit të lëngshëm në TEC e Vlorës duke e cilësuar si epokën e artë të gazit. Rama pati edhe një vlerësim për ambasadoren Yuri Kim, ku tha se pa mbështetjen e saj nuk do të ishte e mundur as ky projekt duke e shndërruar Vlorën një port rajonal të gazit, por as edhe ndërtimi i Skavicës.

Kjo marrëveshje është një hap historik për sektorin energjetik shqiptar është shprehur ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe synon të një vlerësim për kuadrin rregullator teknik dhe komercial të futjes së gazit të lëngshëm natyror në Shqipëri. Kjo vlerësohet si metoda e vetme për të vënë në punë TEC-in e Vlorës që ka 11 vite në konservim dhe nuk ka prodhuar asnjë ditë energji elektrike për shkak të një defekti teknik.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje synohet që kjo vepër energjetike të marrë jetë dhe të kalojë në prodhim, si dhe  përfshin zinxhirin e plotë duke nisur nga konvertimi i TEC Vlorë me LNG (gaz i lëngshëm), tek ndërtimi i një terminali të ri gazifikimi, e deri tek shpërndarja në shkalle të vogël e LNG. Rritja e sigurisë së furnizimit është thelbësore jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për fqinjët tanë Ballkanikë, ndaj zhvillimi i tregut të LNG- së do të sjellë përfitime për të gjithë rajonin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:08
Rama: Sot nis epoka e artë e gazit për Shqipërinë, s'do ishte e mundur pa ambasadoren Yuri Kim (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama vlerësoi si mjaft të rëndësishëm për ekonominë shqiptare këtë projekt të sjelljes së gazit të lëngshëm në TEC e Vlorës ndërsa tha se kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e Yuri Kim.

"Është tërheqëse të jesh këtu si një takim miqësor, pasi të përballesh me një kompani që ka të ardhura 20 herë më të larta se PPB është e shkëlqyeshme të kesh partner si ju. Në këtë luftim drejt së ardhmes ku jemi në gjendje ta transformojmë Shqipërinë dhe këtë ta bëjmë përmes një ekspertize më të mirë që do të realizohet  përmes një projekti me përmasa të tilla. Për ta bërë këtë projekt realist është një hap i rëndësishëm para për Shqipërinë. Ky është një projekt i dytë madhor i nënshkruar mes Shqipërisë dhe SHBA pas atij të ndërtimit të Skavicës. Këto dy projekte nuk do të kishin qenë të mundura pa ambasadoren amerikane e cila ishte ajo që i shty një hap para këto marrëdhënie duke i dhënë një përmasë të jashtëzakonshme bashkëpunimit ekonomik. Sot për Shqipërinë nis një epokë e artë e gazit. Duke transformuar Vlorën në një qendër për gazin e lëngshëm natyror dhe duke ia dalë të vëmë në jetë një nga investimet e së kaluarës që ka qenë një dështim është shumë e rëndësishme. 130 mln dollar u shpenzuan shumë keq. Konvertimi i Vlorës, io termocentralit nga nafta në gaz është një hap i jashtëzakonshëm.  Epoka e artë e gazit e parashikuar nga agjencia ndërkombëtare e energjisë po shfaqet mirëfilli sot.", tha Rama.

  

Ora 18:04
Nënshkruhet marrëveshja mes SHBA-së dhe Shqipërisë për gazin e lëngshëm natyror (VIDEO)

Është nënshkruar marrëveshja marrëveshje bashkëpunimi midis MIE dhe Exxon Mobil & Excelerate Energy për vlerësimin e kuadrit rregullator teknik dhe komercial të futjes së gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Shqipëri.

Ora 18:00
Marrëveshja me SHBA-në për gazin e lëngshëm, Yuri Kim: Nënshkrimi i memorandumit, akt i jashtëzakonshëm! TEC i Vlorës hap i rëndësishëm për të trajtuar sfidat e energjisë edhe në Rajon

Amabasadorja amrikane Yuri Kim e ka cilësuar si gur themeli marrëveshjen e bashkëpunimit midis MIE dhe Exxon Mobil & Excelerate Energy për vlerësimin e kuadrit rregullator teknik dhe komercial të futjes së gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Shqipëri.

 

‘Faleminderit shumë, është një nder që ndodhem këtu dhe të dëshmoj këtë nënshkrim, është një punë e jashtëzakonshme. Falenderoj ekipin e ministres Balluku që kanë finalizuar këtë marrëveshje. Është vërtetë i jashtëzakonshëm ky memorandum. Termocentrali i Vlorë do të shënoj një hap të rëndësishëm. Vlora do të jetë një hap tjetër për të trajtuar sfidat e energjisë edhe në Rajon. Kombinimi larmishëm i energjisë diellore, i erës, dhe gazit natyror të lëngshëm do të bëjë Shqipërinë një partner domethënës për këtë lloj ndryshimi. Rritja e lidhjeve ekonomike mes Shqipërisë dhe SHBA-së është e rëndësishme, e shoh si një gur themeli! Më 15 mars do të festojmë 30 vjet nga vendosjet diplomatike dhe nuk mendoja për një ngjarje më të përshtatshme sasa nënshkrimi i kësaj marrëveshje. Jemi shumë krenar për atë që kemi mundur të arrini!’- tha ambasadorja amerikane.