Punonjësit e Policisë së Shtetit do të testohen në mënyrë periodike përsa i përket konsumit të lëndëve narkotike. Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano, ka firmosur urdhrin që është shpërndarë në 12 drejtoritë e qarqeve, përmes së cilit informon se punonjësit e policisë do të testohen për drogën. Ky vendim vjen pas përfshirjes së një numri të lartë të punonjësve të policisë në aktivitete kriminale.

Deri me tani, ky lloj testi është bërë për punonjësit e policisë vetëm kur kanë marrë emërimin për uniformën blu. Duke filluar nga ky urdhër e në vazhdim do të bëhet çdo vit, por me një kleçkë të vogël. Pvararësisht se një efektiv policie mund të rezultojë negativ në test, vetë struktura mund të ketë informacione në vazhdim se ai është konsumues i lëndëve narkotike dhe ritestimi i tij do të bëhet bë mënyrë krejt rastësore dhe surprizë.

Në lidhje me këtë vendim, drejtori Gledis Nano nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi më laboratorin mjekësor “Intermedica Center sh.p.k”. Marrëveshja e konsiston në krijimin e mundësive për ekzaminimin mjekësor periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, në kuadër të rritjes së standardeve dhe integritetit personal, për të ndaluar përdorimin e lëndëve narkotike nga ana e tyre.

Kryepolici Nano e konsideron këtë test droge si mundësi të vlefshme për rritjen e imazhit të Policisë në komunitet dhe për fitimin e besimit të qytetarëve, sepse kryerja e testit periodik për përdorimin e lëndëve narkotike do të eliminojnë akuzat e dashakeqësitë ndaj Policisë së Shtetit. Përgjatë viteve, Policia e Shtetit është përballur me situata të pakëndshme të përfshirjes së efektivëve në aktivitete kriminale duke vënë gjithë strukturën në fokus të akuzave publike. Po ashtu, nuk kanë munguar edhe qëndrimet arrogante të punonjësve të policisë në raport me qytetarët, gjë që ka ndikuar në besimin tek policia.