Kryeministri britanik Keir Starmer ndërmori këtë të enjte një sulm të ashpër ndaj ish-ambasadorit të tij në SHBA, Peter Mandelson, duke u përpjekur të qetësojë zemërimin në të gjithë spektrin politik britanik. Ai deklaroi se i vjen keq që kishte besuar “gënjeshtrat” e tij përpara se ta emëronte në detyrë.

Starmer nën një presion të madh publik tashmë, përfshirë edhe nga deputetë të Partisë Laburiste që ai drejton, për vendimin për ta emëruar Mandelsonin si të dërguar të Britanisë në Uashington në dhjetor 2024, në një kohë kur lidhjet e tij me, abuzuesin seksual amerikan Jeffrey Epstein, ishin tashmë të njohura.

Dokumentet e publikuara javën e kaluar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë përfshijnë email-e që nxjerrin në pah se sa e afërt ishte kjo marrëdhënie dhe sugjerojnë gjithashtu se Mandelson mund të ketë ofruar dokumente qeveritare te Epstein.

“Ishte e ditur publikisht prej kohësh që Mandelson e njihte Epsteinin, por askush prej nesh nuk e dinte thellësinë dhe errësirën e asaj marrëdhënieje”, tha Starmer.

Mandelson, i cili ishte ministër kur Laburistët ishin në pushtet mbi 15 vite më parë, dha dorëheqjen të martën nga Dhoma e Lordëve për shkak të lidhjeve me Epsteinin dhe tani është nën hetim policor për dyshime për keqpërdorim të detyrës.

Ai ka deklaruar se nuk i kujtohet të ketë marrë pagesa dhe nuk ka komentuar publikisht akuzat për rrjedhje dokumentesh.

Kundërshtarët e Starmerit, por edhe figura brenda partisë së tij, kanë thënë se zbulimet ngrenë pikëpyetje serioze mbi gjykimin e tij. Reuters shkruan se me sondazhet që tregojnë se Starmer është tashmë shumë jopopullor në opinionin publik britanik, disa brenda partisë së tij thonë se pozicioni i tij është në rrezik.

Starmer përdori fjalë të ndjera në pendesën e tij për viktimat, kur tha se njerëzit me pushtet  kanë sjellë atyre zhgënjimin e jetës.

“Dua t’u them këtë viktimave të Epstein: më vjen keq. Më vjen keq për atë që ju është bërë, më vjen keq që kaq shumë njerëz me pushtet ju kanë zhgënjyer, më vjen keq që kam besuar gënjeshtrat e Mandelsonit dhe e kam emëruar atë”, tha ai.

Starmer shtoi se dëshiron të publikojë këshillat e verifikimit që kishte marrë kur zgjodhi Mandelsonin për rolin në Uashington, por theksoi se duhet të respektojë kërkesën e policisë për të mos bërë asgjë që mund të dëmtojë hetimin.