Një projektligj i propozuar nga deputetja demokrate, Ina Zhupa, për sipas saj synon që pasuritë e trashëgimisë kulturore të administrohen drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht vetëm nga shteti, me rast përjashtimor kur fondacionet janë në pronësi të institucioneve publike, u kundërshtua këtë të enjte nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve.
Fillimisht ishte Zhupa, e cila teksa prezantoi draftin që shfuqizon 2 nene të ligjit aktual i cili sipas ligjvënës është antikushtetues, tha shteti të jetë garant i trashëgimisë kulturore, jo privati
“Trashëgimia kulturore nuk mund të lihet në dorë të privatëve për ta menaxhuar dhe interpretuar. Shteti duhet të jetë gjithmonë garant dhe aksioner mazhoritar, të paktën 51 për qind”, tha Zhupa.
Zhupa ngriti shqetësime edhe për mungesën e kontrollit shtetëror mbi fondet dhe aktivitetet e fondacionit në Butrint, ndërsa tha se ndryshimet e propozuara synojnë çuarjen e këtij ligji konform Konventës së Parisit, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar.
“Trashëgimia kulturore është pjesë e sovranitetit dhe identitetit kombëtar dhe nuk mund të trajtohet si aktivitet i zakonshëm biznesi”, vijoi ajo.
Për mazhorancën kushtetuetshmëria e ligjit u konfirmua në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, teksa e rrëzoi në parim komisionin e Ligjeve, si komision për dhënie mendimi.
“Nuk ndaj qëndrimin që ligji është antikushtetues, për sa kohë që është në fuqi dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar shkelje. Propozoj rrëzimin në parim të kësaj nisme”, tha Manja.
Për socialistët tjetër gjë është mbrojtja dhe tjetër menaxhimi.
“Duhet të mos ngatërrojmë administrimin me mbrojtjen e trashëgimisë. Mbrojtja është gjithmonë e shtetit, ndërsa administrimi mund të jetë i përbashkët”, u shpreh Erjon Mile.
“Menaxhimi nuk mund të shkëputet nga mbrojtja. Kontratat nuk mund të qëndrojnë mbi detyrimet kushtetuese të shtetit”, tha deputeti Oerd Bylykbashi.
Drafti i ligjvënëses Zhupa tashmë do të shqyrtohet në komisione të tjerat, për të marrë miratimin apo rrëzimin përfundimtar në komisionin përgjegjës të Kulturës.
Komente











