Shqyrtimi i çështjes së gjyqtares së GJKKO Irena Gjoka, pasi Prokuroria e Përgjithshme bëri verifikimet për akuzat se ajo ka fshehur në dënim në Greqi, mbetet në “udhëkryq”. Vetëm 5 ditë pasi KLGJ refuzoi të marrë në shqyrtim dosjen, Report Tv ka mësuar, njëri prej anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor Klodian Kurushi, ia ka dorëzuar atë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë përmes një ankese.
Ky veprim vjen pasi, me 6 vota kundër dhe 4 pro në mbledhjen e datës 30 janar u rrëzua një relacion që kërkonte nisjen e procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares, me argumentin se kjo i takonte ILD-sëm Artur Metani.
Është e paqartë procedura ligjore që ka ndjekur KLGJ me këtë veprim, ndërsa gjithashtu nuk dihet nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë do ta pranojë shqyrtimin e fatit të Irena Gjokës. Për momentin burime nga ILD, thonë se ka nisur shqyrtimi i kësaj ankesë, ligjshmëria e saj dhe nëse meriton apo jo të merret në shqyrtim.
Më 30 janar, 6 anëtarë të KLGJ votuan kundër një projektvendimi që e çonte çështjen në Komisionin e Karrierës, me argumentin se vendimmarrja i takon ILD. Vetë magjistratja Gjoka në një letër që i pati dërguar KLGJ shprehet e bindur se nuk ka bërë asnjë shkelje kur nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit vendimin e Gjykatës së Janinës së korrikut 2005. Ajo shpjegon se vetëm i është refuzuar pa shpjegime hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka patur dijeni as për procesin dhe as vendimin gjyqësor, i cili sipas vetë ligjeve greke është arkivuar dhe asnjëherë nuk mori vendim të formës së prerë. Po për këto arsye ajo deklaron se nuk është në kushtet ligjore ku funksioni i saj si gjyqtare, mund të vihet në dyshim.
Komente









