MALI I ZI- Vetëm 115 ditë ka zgjatur qeverisja e kryeministrit shqiptar Dritan Abazoviçit, pak mesnate Kuvendi i Malit të Zi votoi pro mosbesimit ndaj Qeverisë së tij. Pas një seance rreth 12 orë me diskutime e debate, Qeveria u rrëzua me 50 vota pro dhe një kundër. Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga 81 që janë gjithsej në Kuvend.

Pas shkarkimit të tij, Abazoviç mbajti një fjalim ku pranoi humbjen, por tha se ndihet krenar për çfarë ka bërë dhe se qeveria e tij do të mbahet mend për vendimet më të vështira që janë marrë ndonjëherë. Ai akuzoi sërish kundërshtarët politikë se janë të lidhur me krimin e organizuar.

“Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë në 100 ditë. Ne do të kujtohemi si qeveria që zgjati më pak, por që mori vendimet më të vështira”, tha ai.

Deri në zgjedhjen e qeverisë së re, do të formohet një qeveri teknike, por Abazoviç deklaroi se nuk do të marrë pjesë.

Shkak për shkarkimin e tij u bë marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe që u cilësua si e dëmshme për interesat kombëtare të shtetit. Por, sipas Abazoviç nënshkrimi i kësaj marrëveshje është mënyra për të arritur një konsensus parlamentar për çështjet e rëndësishme për integrimin në BE.

Për rrëzimin e qeverisë votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, të cilët dorëzuan në Kuvend mocionin e mosbesimit, Demokratët e Aleksa Beçiçit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet. Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviçit nuk morën pjesë në votim.

Abazoviç propozoi ristrukturimin e qeverisë
Gjatë seancës së djeshme në Kuvend, Abazoviç u propozoi partive opozitare që të bashkëpunojnë për ristrukturimin e qeverisë, por nuk u ra dakord. Propozimi për ristrukturimin e qeverisë përfshinte: forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, reformën zgjedhore dhe reformat ekonomike, me qëllim të përmirësimit të standardit jetësor, integrimet evropiane, bashkëpunimi rajonal dhe përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Por, u firmos vetëm nga nëntë deputetë të Lëvizjes Ura dhe Partisë Socialiste Popullore.

Formimi i qeverisë së re
Rënia e Qeverisë së Abazoviç hap rrugën e formimit të një Qeverie të re, të tretë, bazuar në rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020. Partitë politike do të fillojnë negociatat për formimin e Qeverisë së re. Nëse një parti politik mbledh 41 nënshkrimet e deputetëve, ata do të mund t'i paraqesin kërkesë presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, për t'i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së tretë.

Çfarë përmban Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe
Marrëveshja parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd. Me marrëveshje, shteti njeh vazhdimësinë ligjore të kishës që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi. Marrëveshja i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla.

Përveç kësaj, autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës, kurse shteti ka marrë përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Në shtator votohet shkarkimi i kryetares së Kuvendit
Kuvendi i Malit të Zi do të votojë më 2 shtator për shkarkimin e kryetares së Kuvendit Danijela Gjuroviç. Kërkesa për shkarkimin e Gjuroviç është bërë nga Fronti Demokratik dhe Demokratët opozitarë. Ata pretendojnë se Gjuroviçit ka shkelur vazhdimisht aktet që rregullojnë funksionimin e Kuvendit të Malit të Zi.

Abazoviç vetëm 115 ditë kryeministër
Dritan Abazoviç u zgjodh kryeministër më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë. Dritan Abazoviç ishte kryeministri i parë i Malit të Zi, i cili i përket një komuniteti kombëtar pakicë. Ai u bë kryeministër zgjedhjeve të vitit 2020, kur përfundoi qeverisja tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve Milo Gjukanoviç. Në atë kohë, Lëvizja Civile URA e Abazoviçit ishte "pika e kthesës" për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.

Në qeverinë e mëparshme të Zdravko Krivokapiçit, ai ishte nënkryetar. Pas inicimit të rrëzimit të Qeverisë së Krivokapiçit në shkurt të këtij viti, Abazoviç u bë kryeministër i ri me ndihmën e Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviçit në fund të prillit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:04
Pas rrëzimit të qeverisë, BE-ja bën thirrje për një qeveri 'vërtet pro-evropiane' në Mal të Zi


Pas votimit për rrëzimin e qeverisë në Malin e Zi, ka ardhur një reagim nga kryetarit të delegacionit të Parlamentit Evropian për bashkëpunim me Malin e Zi, Vladimir Bilçik. Ai shkruan se Mali i Zi ka nevojë për një qeveri vërtet pro-evropiane që mund t’i japë përparësi reformave strategjike të Bashkimit Evropian, në vend të interesave të ngushta politike.

“Pas votimit të mosbesimit të mbrëmshëm, Mali i Zi ka nevojë për një qeveri vërtet pro-BE, e cila mund t’i japë përparësi reformave strategjike të BE-së mbi interesat e ngushta politike”, ka shkruar Biliçik në Twitter.

Ai thotë BE ështe e gatshme të ndihmojë.

“Ne jemi të gatshme të ndihmojmë”, ka shtuar ai.

Ora 07:50
U shkarkua nga Kuvendi, Abazoviç: Krimi i organizuar vazhdon të përdorë tentakulat në politikë

Pasi Kuvendi i Malit të Zi votoi pro shkarkimit, Dritan Abazoviç tha se e pranonte humbjen, por vijoi me akzuat se kundërshtarët politikë janë të lidhur me krimin e organizuar. 

“Përgëzoj koalicionin e ri të (Alekse) Beçiqit dhe Gjukanoviqit, jemi gati të pranojmë humbjen. Më vjen keq që krimi i organizuar në Mal të Zi vazhdon të përdorë tentakulat e tij për të rregulluar marrëdhëniet politike”, tha zoti Abazoviç.

Ai shtoi se nëse formohet qeveria e re para zgjedhjeve, ai nuk do të marrë pjesë në to.

"Dhe e kuptova se as SNP-ja nuk do të bëjë. Le të ulen në tavolinë Milo Gjukanoviç, Aleksa Beçiç dhe Damir Shehoviç dhe të bien dakord për një shumicë të re," tha Abazoviç.

Ora 07:28
U shkarkua nga Kuvendi, Abazoviç: Krenarë për çfarë kemi bërë, do kujtohemi si qeveria që mori vendimet më të vështira

Kuvendi i Malit të Zi ka votuar pro shkarkimit të Dritan Abazoviçit. Pas votimt, ai mbajti një fjalë,ku u shpreh se është krenar për çfarë ka bërë qeveria e tij.

"Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë në 100 ditë. Ne do të kujtohemi si qeveria që zgjati më pak, por që mori vendimet më të vështira. Ne jemi këtu për të vazhduar luftën së bashku për një Mal të Zi civil, demokratik dhe ekologjik”, tha Abazoviç pas votimit.