Kukësi i këtij sezoni në Superligë nuk ka bërë një fillim të mirë, teksa në ndeshjet e fundit e ka marrë disa veten duke mbajtur pozitën e pestë me 14 pikë. Në kohën kur pritej që ekipi të forcohej me elementë të rinj, nga ekipi ka ardhur një largim i papritur.
Mesfushori 25-vjeçar, Arbër Basha nuk është më pjesë e ekipit, kjo pasi palët kanë gjetur akordin që marrëveshja të mbyllej me konsensus. Nuk dihen arsyet e këtij "divorci", teksa fakt është se Basha ka zhvilluar nëntë nga 12 ndeshjet e këtij sezoni.
Pjesë e Kamzës, JK Trans Narva në Estoni dhe Kastriotit, Basha spikati te krutanët dhe në verën e 2022 u bashkua me verilindorët, teksa një dëmtim i rënë në gju e mbajti jashtë për pjesën më të madhe të sezonit të kaluar. Basha ka qenë pjesë edhe e U-21 të Shqipërisë në dy takime.