Federata Ndërkombëtare e Skive (FIS) ka marrë një vendim të prerë lidhur me pjesëmarrjen e sportistëve rusë dhe bjellorusë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026. Në deklaratën zyrtare të publikuar së fundmi, FIS konfirmon se atletët nga këto dy vende nuk do të lejohen të marrin pjesë në garat kualifikuese, madje as nën statusin e “Atletëve Individualë Neutralë” (AIN).

Ky vendim mbyll çdo mundësi që sportistët rusë dhe bjellorusë të konkurrojnë në ski alpine, ski në terren të hapur dhe snouboarding, disiplinat që janë nën administrimin e FIS-it.

“Këshilli i FIS-it ka vendosur të mos lejojë atletët nga Rusia dhe Bjellorusia të marrin pjesë si ‘Atletë Individualë Neutralë’ në ngjarjet kualifikuese për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Milano-Cortina 2026”, thuhet në deklaratën zyrtare të federatës, e drejtuar nga Johan Eliasch.

Ky qëndrim vjen në kundërshtim me linjën e disa federatave të tjera ndërkombëtare, si ISU (Federata Ndërkombëtare e Patinazhit) dhe ISMF (Federata Ndërkombëtare e Alpinizmit me Ski), të cilat kanë pranuar garimin e sportistëve rusë në mënyrë neutrale.

Nga ana tjetër, Federata e Skive e Rusisë ka reaguar me tone të ashpra, duke e cilësuar vendimin si “diskriminues dhe politik”.

“Shprehim zhgënjimin tonë të thellë me vendimin e FIS-it, i cili pengon sportistët tanë të garojnë ndërkombëtarisht, madje edhe si atletë individualë neutralë. Ky vendim bie ndesh me parimet e neutralitetit që duhet të udhëheqin organizatat sportive”, thuhet në reagimin e tyre.

Për pasojë, rusët dhe bjellorusët do të mund të marrin pjesë në Milano-Cortina 2026 vetëm në disiplina si patinazhi artistik, pista e shkurtër, patinazhi i shpejtësisë dhe alpinizmi me ski, duke reduktuar ndjeshëm shanset e tyre për të konkurruar për medalje në ngjarjet tradicionale të sporteve të dimrit.