Fischer: Si u shpronësuan
shqiptarët në 1945

Fischer: Si u shpronësuan<br />shqiptarët në 1945
TIRANE- Bernd Fischer, një ndër ekspertët më të njohur për çështjet shqiptare, ka promovuar në Universitetin Europian të Tiranës librin e tij historik "Shqipëria 1943-1945", një vështrim përmes dokumenteve perëndimore. Prof. Fischer gjatë ditëve që ka qëndruar në Tiranë, por edhe më parë, ka guxuar të parashtrojë hapur pikëpamjet e tij mbi zhvillimet politike në Shqipëri, për tranzicionin shqiptar". "Ky është një libër i bazuar në dokumente, por dy dokumente mendoj se janë kryesore për të kuptuar Shqipërinë në atë periudhë. Janë të mbushura me statistika, por edhe i japin një pikëpamje të veçantë; atë amerikane dhe gjermane për Shqipërinë. Ajo që më bëri përshtypje është se këndvështrimet janë të ndryshme dhe parashikimet për të ardhmen janë të ndryshme. Mendoj se dokumentet na bëjnë të kuptojnë rëndësinë e përdorimit të tyre"- u shpreh Fischer. Dokumente e huaja, ku më të rëndësishme konsiderohen materialet britanike, gjermane, sipas Fischer janë më interesantet, sepse periudha e viteve 1943-1945 ishte një periudhë kritike edhe për vetë për Europën, që dëshmoi për betejat e mëdha të Luftës së Dytë Botërore, humbjen e Italisë dhe Gjermanisë, fazat e para të rimëkëmbjes pas luftës dhe fillimin e një epoke të re. Libri ngjall kureshtje mbi përfundimet dhe rekomandimet në lidhje me njohjen e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, përgatitur nga misioni special i Departamentit të Shtetit në Shqipëri, me J. E. Xhekobs (Jacobs), që ishte kreu i misionit. Xhekobsi rekomandonte që Shtetet e Bashkuara të njihnin regjimin e Hoxhës. Meqenëse Departamenti i Shtetit, përfundimisht, nuk e mbështeti atë rekomandim, marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara u ndërprenë dhe u rivendosën vetëm pas 46 vjetësh, në vitin 1991. Shqipërisë i ra shorti i ngritjes së regjimit komunist të Hoxhës, që sipas Fischer "do ta qeveriste Shqipërinë me grusht të hekurt në 45 vjetët e ardhshëm".

MARRJA E PRONAVE ME DHUNË
Këto dëshmi historike të habisin me argumentet sesi brenda dy vjetëve 1943-1945, ky grusht i hekurt, që e pati zanafillën në Labinot ra mbi pasurinë e popullit. Sipas shtojcës VI, ku përmendet statusi dhe rregullorja e Konferencës së dytë Nacional Çlirimtare në shtator 1943, duket qartë se kudo në Shqipëri po vendosej pushteti i këtyre këshillave me një Fond Nacional Çlirimtar që nis nga zero, dhe që do të ngrihet siç thuhet në faqen 35, duke parë "sesa është i përgatitur populli ynë për sakrifica materiale". Këto sakrifica nisin me furnizimin e ushtrisë nga populli, dhe pak nga pak filloi marrëdhënia e dhunshme, me një status që e ligjërohej si marrje me Rekuizim (blerje që nuk paguhet menjëherë, por jepen dëftesa). Rekuizimi nisi duke u marrë "tepricat" qytetarëve ose fshatarëve të pasur. Statuset e këshillave Nacional Çlirimtare që në hartimin e tyre nënkuptojnë marrjen e dhunshme të pronave që nis gradualisht nga rekuizimi tek konfiskimi i pasurisë.

DOKUMENTI, KONFISKIMI I PASURISË SË ARMIQVE TË POPULLIT
Shtojca 1, fq 38: "Këshillat Nacional Çlirimtare, si organe të pushtetit demokratik të popullit, zbatojnë konfiskimin e pasurive mbi të gjithë armiqtë e popullit: të xhandarëve aktivë e të milicëve, që janë krejtësisht në shërbim të okupatorit, të tradhtarëve, etj.
Konfiskimi do të bëhet prej pushtetit ushtarak, ose gjyqit ushtarak në bazë të propozimit të këshillit Nacional Çlirimtar ose në bazë të detyrës së vetë ushtarake. Në këtë mënyrë këshillat nacionale të komunave janë të detyruara që më ndihmën e këshillave nacionalçlirimtare të lagjeve ose të përfaqësuesve të tyre të hetojnë imtësisht çdo ngjarje, të mbajnë shënime mbi të gjitha pasuritë e tundshme dhe të patundshme të armikut të popullit, qoftë ai u pushkatuar prej pushtetit nacionalçlirimtar, qoftë i ikur në tokat e kontrolluar prej okupatorit. Këshillat nacionalçlirimtare të komunës informohen mbi këto çështje dhe i propozojnë konfiskim ose Këshillit Nacionalçlirimtar të nënprefekturës, ose komandës së vendit.
Gjithë pasuria e tundshme dhe patundshme e konfiskuar bëhet pasuri e popullit dhe derdhet në fondin Nacional Çlirimtar, domethënë ndodhet nënë kontrollin dhe drejtimin e Këshillit Nacionalçlirimtar (komunës ose prefekturës" në vendet ku ende nuk ka Këshill: pasuria e konfiskuar drejtohet përkohësisht prej pushtetit ushtarak. Nga pasuria e konfiskuar prej armiqve të popullit pushteti ushtarak merr atë çka është e nevojshme për ushtrinë. Këshilli Nacional Çlirimtar është i detyruar me dhënë raport, në të cilin kallëzohet se në bazë të çfarë faktesh ai njeri është shpallur armik i popullit dhe është marrë vendimi i konfiskimit të pasurisë. Për vërtetësinë e atyre fakteve është përgjegjës Këshilli Nacional Çlirimtar.
Mund të ngjasë që ndonjë familje të jetë larguar nga frika se mos vritet nga lufta ose nga bombardimet ku asnjeri nga pjesëtarët e saj nuk është armik i popullit si spiun, xhandar, milic, etj, atëherë të tilla familjeve pasuria nuk mund t'u konfiskohet, porse Këshilli Nacional Çlirimtar merr nën kujdesin e tij pasurinë e tundshme dhe të patundshme dhe u jep familjeve të dëmtuara prej okupatorit fashist të drejtën e përdorimit të përkohshëm të pasurisë së patundshme; pjesën e tundshme të pasurisë e derdh në fondin e Këshilli Nacional Çlirimtar dhe e përdor pikësëpari për ushtrinë dhe për popullin. Çdo marrje pasurie e tillë quhet e përkohshme gjersa të kthehet i zoti. Kur ndodh rasti i konfiskimit të pasurisë së ndokujt të deklaruar armik të popullit, që ka në shtëpi familjen, Këshilli Nacional Çlirimtar gjithnjë në marrëveshje me autoritetin ushtarak të lartë të vendit, duhet të llogarisë që t'i lejë një pjesë të pasurisë familjes, aq sa është e nevojshme me jetue, kurse teprica shkon në favor të fondit Nacional Çlirimtar në bazë të vendimeve të pushtetit ushtarak ose të gjyqit ushtarak. Gjithë pasuria e konfiskuar në një komunë, rri nënë kontrollin dhe drejtimin e Këshilli Nacional Çlirimtar të komunës, i cili duhet të mbajë regjistra të rregullt dhe me ja raportue Këshillit Nacional Çlirimtar dhe nënprefekturës, i cili në këtë mënyrë do të ketë në kontroll të gjerë mbi gjithë pasurinë e nënprefekturës. Këshilli i nënprefekturës do të bëjë kontrollin dhe do të shikojë se cila familje duhet me ia dhënë atë pasuri për përdorim, në radhë të parë duhet të ndihmojë familjet e djegura dhe të larguara prej okupatorit, si dhe familjet e luftërave.
Janë armiqtë e popullit dhe u duhet konfiskuar pasuria këtyre: 1) gjithë xhandarëve dhe milicëve aktivë, si dhe ndihmësve dhe organizatorëve të tyre; 2)të gjithë atyre që i shërbejnë okupatorit si informatorë, spiunë, korrierë dhe agjitatorë; 3)të gjithë atyre që mbledhin armë në çdo mënyrë, qoftë nga populli dhe ia dorëzojnë okupatorit; 4)të gjithë atyre që kanë tradhtuar luftën NC dhe kanë qenë në marrëveshje me okupatorin; 5)të gjithë atyre që shmangen nga pushteti popullor dhe punojnë në favor të okupatorit; 6)të gjitha atyre që shkaktojnë frikë dhe panik në popull; 7)gjithashtu konsiderohen armiq të popullit të gjithë ata që përçajnë dhe dezertojnë nga ushtria Nacional Çlirimtare: po ashtu edhe ata, që bëjnë vrasje dhe plaçkitje në tokat e çliruara. Një kujdes i veçantë duhet pasur që të mos konsiderohen armiq të popullit ata fshatarë dhe qytetarë që kanë qenë të mashtruar nga okupatori ose nga shërbëtorët e tyre,nga organizatorë dhe rekrutues të milicisë dhe xhandarmërisë; Të gjitha ndërtesat e shtetit dhe pasuria qeveritare janë nën kontrollin e autoriteteve ushtarak, gjithashtu dhe spitalet, farmacitë dhe veçanërisht ato barëra që shërbejnë për ushtrinë.
(Aprovuar prej Konferencës së Dytë Nacionalclirimtare 1943)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza