Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar për dhunën që anëtarë të fisit të deputetit socialist Rrahman Rraja kanë ushtruar në Krujë, ndaj dy kushërinjve Maja, pas ankesave të tyre për shpërthimet në gurore. Në një postim në rrjetet sociale, Bledi Çuçi shkruan se pamjet e dhunës në Krujë janë të papranueshme, ndërsa bën të qartë se askush nuk është mbi ligjin.

Ai shkruan se autorët nuk mund t’iu shpëtojnë përgjegjësive në asnjë rrethanë. Ministri thekson se policia ka ushtruar kontrolle dhe se janë arrestuar 4 nga autorët e përfshirë në ngjarje dhe se po punohet për kapjen e tre personave të tjerë.

"Të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë. Askush nuk është mbi ligjin dhe s'mund t'u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë. Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje. Çdo insinuatë tjetër s'ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë", shkruan Çuçi. 

Deri tani për dhunën brutale që anëtarë të fisit Rraja ushtruan drejt dy kushërinjve, Bilbil dhe Jashar Maja janë arrestuar 4 persona, ndërsa 4 janë shpallur në kërkim mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja. 

Shkak për dhunën është bërë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth, 200 metra në vijë ajrore nga gurorja. Mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bëhen prehë e një dhune barbare.