Pas një muaji përkushtimi, sakrifice dhe adhurimi ndaj Zotit përmes agjërimit gjatë Ramazanit, besimtarët myslimanë në mbarë botën kremtojnë sot, 20 mars, festën e shenjtë të Fitër Bajramit ose siç njihet ndryshe, Bajramin e Madh.
Për herë të parë, këtë vit, besimtarët myslimanë në Durrës, për shkak të numrit të lartë gjithnjë e në rritje vit pas viti, e kryen ritualin e faljes edhe në sheshin “Liria”. Falja e Fitër Bajramit është më masive sesa falja e Kurban Bajramit, sepse njerëzit janë më të përfshirë në agjërim dhe më të përfshirë për të marrë pjesë në atmosferën e faljes së Bajramit. E për këtë arsye, u vu në dispozicion edhe sheshi përpara bashkisë.
Kjo ditë e veçantë simbolizon mëshirën, faljen dhe solidaritetin njerëzor, ku besimtarët ndajnë lëmoshë dhe kujdesen për ata në nevojë, në mënyrë që gëzimi i festës të jetë për të gjithë.
Pas faljes, besimtarët kthehen në familjet e tyre për të vijuar me ritualet e festës, që përfshijnë urimet, vizitat tek të afërmit dhe shtrimin e drekës së Bajramit, ku nuk mungojnë gatimet tradicionale dhe ëmbëlsirat festive.
Lajmi kryesor:
Pamjet me dron/ Mijëra besimtarë myslimanë falin namazin e Fitër Bajramit, kreu i KMSH: Lutjet tona shkojnë për ata që vuajnë









