Euro është rimëkëmbur pas rënies më të ulët ndaj dollarit në 11 vitet e fundit, pasi investitorët u ndikuan nga fitorja e Syrizas në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Greqi dhe rëndësinë e këtij fakti për Eurozonën. Edhe tregjet kryesore të Evropës patën një rritje, pas rënies së mëparshme, me shpresën se do të gjendet një kompromis mbi çështjen e borxhit Grek për daljen nga kriza. Euro ra më herët në nivelin më të ulët me 1.1088 dollarë, por mëngjesin e sotëm pasur një rritje me 0.4% duke u shkëmbyer me 1.125 dollarë. Tregjet e euros kanë qenë nën presion gjatë javëve të fundit me deklaratën e Bankës Qendrore Europiane për programin stimulues, ku do të injektoheshin 200 miliardë euro. 

Syriza kërkon të rinegociohet borxhi masiv prej 240 miliardë eurosh dhe të ulë masat shtrënguese në vend. Lideri i Syrizas Alexis Tsipras deklaroi se dëshiron të negociojë dhe jo të konfrontohet, me liderët ndërkombëtare të Greqisë. Tsipras tha se “Qeveria e re e Greqisë do të jetë e gatshme të bashkëpunojë dhe negociojë për herë të parë me kolegët, për përfitime të dyanshme dhe zgjidhje praktike.”

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)