Fitorja e pastër 2-0 kundër Lazio-s i ka dhënë Interit jo vetëm 3 pikët, por edhe kryesimin e Seria A pas javës së 11 të kampionatit. Në San Siro zikaltërit zhbllokuan shumë shpejt rezultatin me golin magjik të Lautaro-s, i cili la të shtangur portierin Provedel. Për të parë golin e dytë u desh të kalonte shumë, më ekzaktësisht deri në minutën e 62 kur Bonny konkretizoi asistin e Dimarco-s, duke i dhënë qetësinë skuadrës së Chivu-s.
Në vijim VAR anuloi golin e tretë të Interit, ndërsa Lazio u përpoq të rihapte llogaritë, por rasti më i mirë i tyre u përplas në shtyllë.
Me 24 pikë Inter udhëheq Seria A bashkë me Romën, që më herët fitoi 2-0 kundër Udinese-s. Skuadra e Gasperinit realizoi fillimisht me Pellegrini-n, i cili goditi saktë penalltinë, ndërsa në pjesën e dytë vulosi rezultatin Zelih Celik.
Roma dhe Inter morën kryesimin për shkak të disfatës së Napolit, që u mposht 2-0 në transfertën e Bologna-s. Ky sukses e ngjiti skuadrën e Italianos në vendin e pestë në kuotën e 21 pikëve, 3 më pak se kryesuesit.
Në La Liga Barcelona ka ngushtuar në 3 pikë diferencën me Real Madridin kryesues që më herët barazoi 0-0 kundër Vallecano-s. Ndërkohë katalanasit e Flick fituan 2-4 kundër Celta Vigo-s, teksa Robert Lewnadowski shkëlqeu me ‘dopietë’. Vendasit në dy raste arritën të barazonin rezultatin, por në fund ishte Barcelona që siguroi 3 pikët.
Komente







