Klientët
Organizatorët e lojërave të fatit duhet t'u kthejë lojtarëve, në formën e fitimit: Bingot tradicionale dhe televizive jo më pak se 80 për qind të shumës së vënë në lojë; kazinotë elektronike jo më pak se 80 për qind të shumës së vënë në lojë. Lotaria kombëtare për çdo lotari duhet të japë për klientët jo më pak se 80 për qind të shumës së vënë në lojë. Për rastet kur shuma në dispozicion të lojtarëve nuk u shpërndahet fituesve, ajo mbartet në lotarinë pasardhëse, si shumë në dispozicion të lojtarëve. Kazinotë elektronike në distancë duhet të japin jo më pak se 90 për qind të shumës së vënë në lojë. Ndërsa kazinotë, jo më pak se 80 për qind të shumës së vënë në lojë, përveç lojërave “live” që zhvillohen në tavolina.
Licensat
Pavarësisht nga vendi se ku do të hapet një kazino, për të marrë licensën për të duhen paguar 1 miliard lekë të reja, rreth 10 milionë dollarë amerikanë. Tarifat për marrjen e licensës për kazino aktualisht janë si më poshtë: për licensë në zonën e Tiranës, 1 miliard lekë; për licensë në zonën e Durrësit, 600 milionë lekë dhe për licensë në zonat e tjera të Republikës së Shqipërisë, 300 milionë lekë. Tarifat e licencimit për bastet sportive, bastet për garat në pistë për të gjithë periudhën e licensimit do të jetë 100 milionë lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur deri në 300 NIUS-e sekondare në total.
Tarifa e licensimit për kazinotë elektronike dhe kazinotë elektronike në distancë për të gjithë periudhën e licensimit parashikohet 25 milionë lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur vetem 5 NIUS-e sekondare (për kazinotë elektronike). Tarifa e licensimit për bingot tradicionale për të gjithë periudhën e licensimit është 5 milionë lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur 10 NIUS-e sekondare. Kurse tarifa e licensimit për bingot televizive për të gjithë periudhën e licensimit është parashikuar 25 milionë lekë.
Kriteret
Kriteret për organizimin dhe ushtrimin e lojërave të fatit në kazinonë elektronike do të jenë si më poshtë: të jetë shoqëri aksionare me aksionarë maxhoritarë në masën 51% apo më shumë shtetas shqiptarë, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku në objektin e veprimtarisë të pasqyrohet veprimtaria për lojëra fati, sipas llojit të lojës që kërkohet (e njëjta gjë si tek bastet) dhe kapitali themeltar i shoqërisë duhet të jetë jo më i vogël se 20 milionë lekë. Kjo shifër tani është 10 milionë.
Pronarët
Pronar do të konsiderohet ai që zotëron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të paktën 25% të aksioneve, që përcakton “de facto” vendimet e marra nga personi juridik, që kontrollon në çdo lloj mënyrë zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së administratorëve të personit juridik.
Shkrimi u publikua sot,9 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)