Maturantja durrsake Laura Sulaj ishte këto ditë protagoniste e dy koncerteve në Spanjë. Fituese e konkursit “Yjet e rinj”, që organizohet në kuadër të Bienales “Netët e Muzikës Klasike” çdo dy vjet në Durrës, njëlloj si edhe bashkënxënësit e saj fitues në vitet e kaluara, edhe pianistja e re ishte ftuar nga bashkëshortët Rediana dhe Florian Vlashi, të cilët jetojnë dhe punojnë në Spanjë që nga viti 1992.
Violinisti Florian Vlashi, I cili ka një aktivitet të gjerë si instrumentist, pedagog, solist dhe dirigjent në gadishullin Iberik, shkruan me këtë rast:
“Në Bienalen Netët e Muzikës Klasike që krijuam në Durrës në verën e vitit 2003 është dhe Konkursi për Talentet e Rinj të qytetit. Fituesin e konkursit e ftojmë në Spanjë për koncerte. Kjo ftesë, ku përfshihen çdo gjë që nga udhëtimi e deri tek muzetë, nuk paguhet nga buxheti i Bienales, as nga ai i Bashkisë apo i ndonjë enti spanjoll, por nga unë dhe ime shoqe, Rediana.
Në fillim menduam të krijonim nje çmim rreth 1000 Euro, -shton violinisti i njohur durrsak, por na u duk më e arsyeshme një ftesë e tillë, më me vlerë se sa dhenia e një shifre me të cilën mund të blihej një iPhone apo një kapriço dhe çdo gjë mbaronte me kaq. Ndërsa kështu, fituesi apo fituesja njihet me një vend e me një kulturë të madhe siç është Spanja, dhe, koncertet që japin aty nuk mbeten vetëm në CV por edhe në memorien dhe formimin e tyre.
“Në të vërtetë, ky është një borxh që i kemi shkollës ku kemi studjuar, një borxh që nuk deshëm të ishte vetëm një fjalë sterile-shkruan 56-vjeçari Vlashi. Por, dua të pohoj edhe diçka tjetër që është ndoshta e denjë për psikoanalistët: tek secili nga këta fëmijë unë takohem me veten time nxënës. Edhe unë kam ëndërruar atëhere për një ftesë të tillë që nuk erdhi kurrë”.
Laura Sulaj interpretoi solo në dy koncerte të organizuara në Akademinë Mbretërore dhe të nesërmen në Auditorin e Konservatorit Culluredo.
Koncerti i mrekullueshëm i pianistes durrsake
18-vjeçarja nga Durrësi morri vlerësimet më të mira nga dëgjuesit artistë të koncerteve të saj në Spanjë. Artistja Soledad Penalta, anëtare e Akademisë Mbretërore të Arteve të Bukura La Coruña shkruan: “Koncert i mrekullueshem i Laura Sulaj. Faleminderit!”
Kritiku Julio Andrade Maltes nën titullin “Duke zbuluar të ardhmen” shkruan në gazetën “La opinion” të 26 majit: “Në qytetin tonë kemi pasur privilegjin të dëgjojmë fillimin e rrugës se pianistes shqiptare Laura Sulaj, çka tregon se mund të jetë e shkelqyer.
Dhuntitë teknike të Laurës janë vërtet shumë të mira; në shume momente gishtëzimi është i pastër, "i perlëzuar", shkallët me dy linja, përfshi dhe ato kromatike, si dhe arpezhet më të vështirë e të rrëmbyeshëm, ishin zgjedhur me mjeshtëri; dora e majtë është e fuqishme dhe e shkathët. Dhe sikur të ishte pak, artistja dukej e palodhur përballë një programi që të linte pa frymë. Si përfundim: kemi asistuar në parathënien e një të ardhmeje. Do të ishte një kënaqësi e madhe të degjonim përsëri Laura Sulaj pas disa vitesh duke vërtetuar këtë vizion parashikues-përfundon Andrade.
Në tre vite, dhjetra koncerte nëpër Europë
Karriera në ngjitje e pianists Laura Sulaj ka lindur në Londër në vitin 2001. Ajo i ka filluar studimet për piano në moshen 6-vjecare dhe aktualisht po i vazhdon në klasën e pedagoges Linda Zemblaku në vitin e fundit të shkollës se mesme.
Laura ka dhënë shumë recitale dhe ka fituar shume konkurse si:
2017 ka fituar konkursin "Talentet e Rinj", i cili u organizua nga Florian Vlashi në Durrës. Ka fituar çmimin e parë në konkursin " Frederic Chopin ", e shoqëruar nga orkestra e RTSH nën dirigjimin e Zhani Ciko.
2018 Koncert me orkestren e harqeve në Durrës nën dirigjimin e prof. Petrika Afezolli, drejtor i katedrës së dirizhimit në Universitetit te Arteve në Shqipëri. Në maj 2018 ajo ishte e ftuar nga shoqata "Frederic Chopin" në Shqipëri që të performojë në Palma de Mallorca dhe të kryejë masterclasse me profesorët më të dëgjuar si: kryetari i konservatorit " Tchaikovsky " në Moskë, Mikhail Voskresensky, kryetarja e konservatorit në Seul, Sun Kyung Lee, kryetari i konservatorit në Teksas, Adam Ëodnicki dhe kryetarja e "Frederic Chopin" në Gjermani, Bozena Maciejoëska.
Ajo u vlerësua si 'Perla e Majorkës' për shkak të rezultateve shumë të mira që ajo pati në masterclasse-t dhe në koncerte. Ajo ishte e ftuar për të dhënë koncerte në Gjermani dhe në Korenë e Jugut. Më pas ajo fitoi mimin e pare ne konkursin "Talenti".
Laura ishte e ftuar të jepte koncerte në Gjermani dhe të punonte me Heribert Koch. Ajo performoi në Aachen,Düren dhe Bonn. Më pas ajo shkoi në Poloni për të punuar me Marian Sobula. Ajo ishte një nga 8 finalistet në "Albanian Young Musicians", shoqëruar nga orkestra e RTSH me dirigjentin Gridi Kraja. Ajo ka kryer dhe masterclasse me Karin Ëagner( Austri).
Repertori i saj është shume i gjerë duke filluar nga periudha baroke deri në atë kontemporane duke përmendur kompozitorë si: Bach, Hayden, Beethoven, Brahms, Chopin, Scriabin, Prokofiev, Rachmaninoff, Debussy, McDoëell si dhe kompozitorë shqiptarë. Ajo gjithashtu ka qenë e ftuar në disa koncerte nga Ambasada e Polonisë. Së fundmi ajo ishte në Francë ku mori pjesë në konkursin për piano, Epinal.