Pianistja Laura Sulaj drejt studimeve të larta në Akademinë e Varshavës mes duartrokitjeve të artdashësve

Pianistja Laura Sulaj drejt studimeve të larta në Akademinë e Varshavës mes duartrokitjeve të artdashësve

Pianistja Laura Sulaj

 

Pianistja Laura Sulaj do ta mbajë mend gjatë koncertin e së mërkurës në Durrës.15 orë më vonë ajo u nis drejt Varshavës, ku do të ndjekë studimet e larta në një nga Akademite më të njohura muzikore në botë. 20-vjeçarja është nisur drejt Polonisë, atdheut të Shopenit, pasi ka marrë urimet më të ngrohta të muzikantëve të qytetit të saj, si dhe të dhjetra dëgjuesve që mbushën sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Dirigjenti Petrika Afezolli e çmon Laurën si një instrumentiste tejet të talentuar, nxënëse e pedagoges së shquar Linda Zemblaku dhe vazhduese e traditës më të mirë të të shkollës durrsake.

Koncerti i orkestrës së harqeve “Aleksandër Moisiu” dhe pianistes Sulaj nisi me interpretimin e veprës “Kuksialera” të pedagogut të shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, violoncelistit Moni Kuriçi, një krijim i mbështetur në dy valle popullore të zonës së Kukësit, e të ndërthurura mjeshtërisht me ritmet braziliane. Kuriçi është i njohur për krijimet e tij interesante, duke nisur nga vepra “Bosniana”.

“Serenade opus 20” nga Edëard Elgar (1857 – 1934), nën drejtimin e dirigjentit Afezolli fitoi vemendjen e publikut të shumtë, ndërsa më pas gjithçka u përqëndrua te vepra e Franz Listz (1811 – 1886) “Malediction” S.121, që orchestra e harqeve të Durrësit e solli premierë për herë të parë në vendin tonë. Një vepër impenjative, me histori tepër të veçantë krijimi, “Malediction” zbuloi për të pranishmit cilësitë artistike interpretative të pianistes Laura Sulaj si dhe aftësitë e saj të veçanta në tastierë edhe në momente mjaft të vështira.

20-vjeçarja durrsake u duartrokit gjatë nga publiku, që e uroi me gjithë zemër në ditën e parë të rrugëtimit të saj të gjatë në fushën e artit interpretative. Laura e ka krijuar personalitetin falë një pune të pandërprerë, ndërsa ka patur mbështetjen e vendosur të familjes së saj. Specialistët e huaj e kishin parathënë këtë dy vjet më parë, kur Laura Sulaj interpretoi solo në dy koncerte të organizuara në Akademinë Mbretërore dhe në Auditorin e Konservatorit Culluredo (Spanjë). Kritiku spanjoll Julio Andrade Maltes nën titullin “Duke zbuluar të ardhmen” shkroi në gazetën “La opinion”:

“Në qytetin tonë kemi pasur privilegjin të dëgjojmë fillimin e rrugës se pianistes shqiptare Laura Sulaj, çka tregon se mund të jetë e shkelqyer. Dhe sikur të ishte pak, artistja dukej e palodhur përballë një programi që të linte pa frymë. Si përfundim: kemi asistuar në parathënien e një të ardhmeje.

Do të ishte një kënaqësi e madhe të dëgjonim përsëri Laura Sulaj pas disa vitesh duke vërtetuar këtë vizion parashikues” - shkruante Andrade. Gjatë viteve të fundit pianistja Laura Sulaj ka patur një veprimtari të dendur solistike edhe në vende të tjera si Gjermani, Palma de Majorka, Francë, etj.

Repertori i saj është shume i gjerë duke filluar nga periudha baroke deri në atë kontemporane duke përmendur kompozitorë si: Bach, Hayden, Beethoven, Brahms, Chopin, Scriabin, Prokofiev, Rachmaninoff, Debussy, McDoëell si dhe kompozitorë shqiptarë.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike