Sot jemi mbledhur për një temë konkrete që quhet “Korrupsioni zgjedhor” dhe unë e vlerësoj shumë faktin që nuk na keni mbledhur thjesht për shfaqje apo për deklarata të përgjithshme, ndonëse rreziku është i madh që të mos flitet për rrezikun zgjedhor por për çfarë bëra unë, e çfarë bëre ti, e çfarë bëj unë, e çfarë bën ti, e çfarë do të bëj unë, e çfarë do të bësh ti.
Korrupsioni zgjedhor është thelbi i problemit në Shqipëri, është valvula që shkarkon korrupsionin në tendera, në koncesione, në dogana, në tatime. Ky është problemi më i madh sot.
Tema e sotme nuk është akademike, njerëzit duhet ta dinë, njerëzit e dinë, “Pushteti dhe paraja” –“Paraja dhe pushteti” janë të lidhura ngushtë dhe jo vetëm këtu, kudo në botë. Por në Shqipëri lidhja e parasë me pushtetin, lidhja e parasë së korruptuar dhe kriminale me pushtetin është edhe shkaku kryesor i korruptimit të pushtetit, i shikimit të pushtetit si një mjet për tu pasuruar, për të siguruar influenca të jashtëligjshme dhe të kundërligjshme dhe jo si një mënyrë për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të përcaktuar dhe implementuar ndryshimet që një shoqëri ka nevojë ti jetojë e prekë në ekonomi, bujqësi, shëndetësi, arsim, siguri, integrim e kudo tjetër.
Në qoftë se ka një armik të madh sot ky është korrupsioni zgjedhor, korrupsioni zgjedhor që ju keni zgjedhur si temë dhe të cilës dua ti qëndroj fort në 15 –minutëshin që më keni caktuar. Nga një shqetësim në të shkuarën, ai u kthye në një kërcënim në vitin 2013 dhe sot është kanceri më i rrezikshëm për procesin zgjedhor.
Në 2013 u testua tregu i votës dhe komisionerëve dhe u gjet çmimi dhe pastaj në zgjedhjet e Korçës u shndërrua në një poligon testimi të armës së sofistikuar të blerjes së votave në masë, të përpunimit të skemës të shpërndarjes së parave, të gjetjes së alibive si pagimi i autobusit, mbulimit me praninë me kokën anash dhe sytë mbyllur të policisë, të heshtjes së prokurorisë dhe në përfundim të amnistisë me ligj nga qeveria në Parlament të hetimit për shit-blerjen e votave në Korçë.
2015 ishte skema e implementimit të blerjes industriale së zgjedhjeve. Vota që bliheshin, karta identiteti që bliheshin për të mos shkuar në votim, kjo është më e keqe se blerja e një vote sepse anulon të drejtën e votës. Emigrantë që nuk vijnë më me bileta të paguara sepse mund të rrinë në shtqëpi në Itali, në Greqi e gjetkë, e ndërsa për ta votojnë militantët me karta të falsifikuara dhe të blera me para të paligjshme.
Sot një votë ka çmim, një mandat ka çmim, një zonë shumë emërore ka çmim, një Parlament ka çmim në euro, sigurisht mund të përkthehet edhe në dollarë, apo lekë. Ky është fundi i demokracisë para se të fillojë ashtu siç duhet. Sot blihet vota, blihet karta, blihen komisionerët, blihen mediat, blihen aktorët e shoqërisë civile, blihen “badge” vëzhguesish për të mbushur qendrat e votimit me militantë e shpeshherë me kriminelë e persona në kërkim. Kur s’mjafton kjo përdoren burime shtetërore, përdoret ligji i amnistisë që miratohet me mandate të blera, ndryshohet në mënyrë të njëanshme pa konsensus ndarja territoriale. Ky është pushteti i fituar me çdo çmim. Dhe meqenëse çmimi është i lartë duhen shumë para.
Jo sa merr një parti, por sa harxhon një parti, ky është treguesi i vërtetë. Kandidati i shumicës në Tiranë, sot kryetar i bashkisë përdori miliona e miliona euro për fushatën mediatike në Tiranë përmes reklamës. Sipas ligjit duhet ti deklaronte burimet dhe shpenzimet. Mjafton të mbledhësh minutat e reklamës me çmimin e ditur dhe të shpallur botërisht në çdo media dhe të arrijmë në shumën. Kush e nxori këtë shumë? Cila OJF? Cila parti politike e shpalli? Ekspertët tanë bënë një përllogaritje të minutave, intervaleve dhe çmimit të deklaruar të mediave dhe çmimi që arrinte në fund të fushatës ishte 1.8 milionë euro që është larg shumës së deklaruar sot nga kryetari i bashkisë.
Partitë e pushtetit hapën qindra zyra elektorale. Nuk ka asnjë metodë matje por të gjithë e dinë se zyra kushton me miliona për tu marrë me qira, për tu mobiluar, për pajisjen, për mirëmbajtje. A ka një verifikim zyrtar se sa kushtuan këto zyra. Askush nuk e ka bërë se po të bëhej shifra do të dilte dhjetëra milion euro, të padeklaruara. Po të bëheshin llogaritë personat përgjegjës në një sistem drejtësie funksional do të ishin prapa hekurave.
Korrupsioni zgjedhor dhe blerja e votës janë sekrete publike. Të gjithë i bëjnë muhabete, barcaleta në tavolina, të gjithë e dinë çmimin e votës, të kartës së identitetit por në tavolina si kjo apo në studio mediatike kur flet opozita analistët e qeverisë dalin dhe e përqeshin. Ligji me standarde pra siç e deklaron OSBE-ja edhe në raportin e fundit nuk i ndalka dot metastazat e këtij kanceri, as raportet ndërkombëtare nuk i ndalin dot, as kjo tryezë nuk e ndal dot nëse shprehja e vullnetit mbetet këtu dhe nuk përkthehet në një aksion të thellë politik ku rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të jenë emëruesi më i ulët i përbashkët, minimumi i minimumeve, e domosdoshme por tërësisht e pamjaftueshme për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri.
Korrupsioni zgjedhor është vetëm një aspekt i korrupsionit politik që është nëna e nënave të korrupsionit. Korrupsioni politik prodhon çdo derivat.
Pushteti me çdo kusht prodhon korrupsionin politik, ky pjell korrupsionin zgjedhor që blen pushtetin. Pushteti i korruptuar prodhon mega korrupsionin e tenderave, të ankandeve, të koncensioneve. Ky korrupsion blen mediat, lidh policinë, prokurorinë, gjykatat dhe këtu fillon e gëlon edhe krimi i organizuar nën tutelën e qeveritarit të korruptuar. Ky është modeli i shtetit mafioz-oligarkik ku nuk ka më demokraci por ka një merkato. Në vlerësimin tim dhe të opozitës këtë e kemi sot këmbëkryq në Tiranë dhe në Shqipëri.
Dy janë burimet kryesore të financimit të korrupsionit politik dhe atij zgjedhor, korrupsioni i madh i tenderave që bëjnë qeveritarët dhe paraja e krimit të organizuar, trafiqet dhe sistemi i gjobave që ngre me shpejtësi ky krim.
Për këtë të dytën kemi hedhur një hap të madh përpara sëbashku, nuk do të arrihej dot pa një bashkëpunim politik, që është ligji për dekriminalizimin. Ligji për dekriminalizimin i cili pret akoma aktet nënligjore që uroj të miratohen së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë për ti hapur rrugë zbatimit të këtij ligji.
Por është vetëm një gjysëm hapi sepse nëse 2008 solli një sistem që fuqizoi kryetarët e partive politike nën parimin se do të ishte kështu më e lehtë të diktohet cilësi më e lartë e kandidimit ky parim u zhgënjye, u tradhtua dhe prodhoi për rrjedhojë parlamentin më të inkriminuar në historinë 25 vjeçare të pluralizmit.
Spastrimi i listave me ligj nga personat me rekorde të tmerrshme kriminale do të mbetet i pamjaftueshëm nëse vullneti politik i liderëve të cilët nën këtë sistem caktojnë listat zgjedhore do të çojë që në vend të personave me rekorde kriminale në listat e ardhshme të kemi prezentë motrat, nipat apo mbesat e tyre duke iu lënë këtyre personave në dorë fijet për ti tërhequr ata si pelushanë. Prandaj problemi i krimit dhe lidhjes së krimit me politikën është problemi më i madh, më i rëndë, më unik i korrupsionit zgjedhor, i korrupsionit politik sot në Shqipëri.
Kjo tryezë dhe hapat që duhet të hedhim pas saj janë vendimtarë në qoftë se konfirmohet vullneti politik për të shkuar përtej germës së ligjit, tek shpirti i ligjit. Për të pastruar listat e ardhshme zgjedhore, jo thjesht nga personat me rekorde kriminale sepse këtë tashmë e dikton ligji, por nga çdo influencë kriminale. Për ti dhënë shqiptarëve atë që meritojnë, më të mirën mes demokratëve, socialistëve, lësëistëve dhe çdo partie tjetër. Për të mos i dhënë mundësi zgjedhjeje mes një ish të dënuari për prostitucion dhe një ish të dënuari për trafik droge, por mes një profesori, një profesionisti, një militanti që i bashkohet partisë politike për idealet dhe vlerat që ajo mbart jo për peshën e kuletës apo numrin e “Range Rover”-va, apo numrin e djemve të armatosur që do të mobilizojë ditën e votave.
Së dyti, çështja e parave që mobilizohet përmes korrupsionit. Sigurisht korrupsioni nuk bëhet vetëm për të financuar zgjedhjet por fakti që përmes korrupsionit të zyrtarëve publikë, skemave korruptive, shpeshherë të kaluara deri në nivelet më të larta, me VKM-ra dhe me ligje një pjesë e parave shkon për blerjen e votës, përbën një kancer të avancuar sepse në këtë rast hajduti, firmëtari i kontratës korruptive, përfituesi, kërkuesi i ryshfetit edhe glorifikohet se çon paratë te partia, i shërben grupit.
Ky është legjitimi i korrupsionit të paktën në sytë e një grupi që e pranon në heshtje dhe e përdor në fushatë ryshfetin e marrë në dogana, në tatime, në tendera, në koncesione dhe në forma të tjera të korrupsionit publik.
Kështu që këtu mendoj se Shqipëria ka nevojë për një hap radikal. Çfarë i kushton më pak shqiptarëve: të financojnë plotësisht, 100% fushatën e partive politike nga taksat e tyre në mënyrë transparente apo të vidhen me miliarda euro fondet publike me tendera, me koncensione nga buxheti i tyre në mënyrë që një 5% e kësaj vjedhje t’ju shpërndahet si 50 mijë apo 20 mijë lekësh natën para zgjedhjeve?
Cila është fatura më e madhe?! Pyetja është retorike sepse shkatërrimi i zgjedhjeve e ka vendosur se cila faturë është më e madhe. Sepse nuk ka faturë që nuk ja vlen të paguhet për të ruajtur demokracinë.
Ndaj jo vetëm çështja e reklamave për të cilën bie dakord me atë që tha kreu i ekzekutivit dhe kryetari i PS-së por çdo çështje financimi duhet të futet në lupën e reformës zgjedhore. Nuk është çështje ligji është çështje e vullnetit politik.
Të financojmë 100% fushatat politike, të kriminalizojmë çdo donacion që vjen në mënyrë private për të blerë me 5 lekë tenderin e ardhshëm 500, 5000 apo 5 milionë dollarë. Modele të tilla ka, nuk do ta shpikim ne rrotën. Nuk argumentojmë për sistem “sui generis”, argumentojmë për një ndarje sa më të madhe, sa më të thellë midis parasë së pistë, parasë së korrupsionit dhe parasë së krimit nga njëra anë dhe pushtetit e aspirantëve për pushtet nga ana tjetër.
Nuk është e lehtë. Pushteti korrupton, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. S’ka gjë më të vështirë sesa të dorëzosh pushtetin apo pjesë të pushtetit, veçanërisht për ne kryetarët e partive. Unë jam këtu për të demonstruar vullnetin tim personal, të Partisë Demokratike dhe besoj të gjithë aktorëve politikë opozitarë për të dorëzuar atë pjesë të pushtetit që vjen me një kosto të papërballueshme për qytetarët shqiptarë dhe për të kërkuar të njëjtin vullnet tek krerët e shumicës aktuale.
Prania ime këtu sot nuk është thjesht në shenjë respekti ndaj punës në kushte tmerrësisht të vështira të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë apo në mirënjohje të partnerëve ndërkombëtarë që e mbështesin këtë aktivitet.
Nuk ka asnjë tërheqje të opozitës sa përket faktit se establishmenti aktual, përgjegjës për gjendjen ekonomike dhe të korrupsionit në vend të cilin e kemi denoncuar me shifra, me fakte dhe vazhdojmë të denoncojmë ditë për ditë, - nuk dua të abuzoj me këtë tavolinë për ti rikthyer këtyre denoncimeve - nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj një parakusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një qeveri teknike.
Por prania ime sot këtu është një shenjë vullneti edhe në këtë situatë të rëndë, të paprecedentë në këto 25 vite për të tuulur pa paragjykim për të nesërmen, por ama duke mos shmangur asnjë përgjegjësi dhe duke mos i ikur asnjë sfide që shtron për zgjidhje rekordi i tmerrshëm i prishjes dhe kapjes së zgjedhjeve, i korrupsionit zgjedhor, i blerjes së votave dhe i manipulimit të vullnetit të popullit në këto dy vitet e fundit.
Ky është vullneti që dua të shpreh sot dhe për hir të qytetarëve shqiptarë - që me të drejtë na perceptojnë në një autobus të izoluar nga jeta dhe dita e tyre e përditshme, ku luhen fatet e tyre dhe shpenzohen miliardat e tyre – qytetatërt shqiptarë të kenë më në fund një proces transparent dhe që t’u përgjigjet atyre. Sepse sovrani janë ata, paratë janë të tyre, pushteti është i tyre.
Çdokush që është në pozitat e uzurpimit duhet të marrë faturën. Shmangien e kësaj fature përmes deformimit të vullnetit të zgjedhësve Partia Demokratike nuk mund dhe nuk do ta pranojë më. Ky është një stacion fundor i tranzicionit ndaj është emergjente që të nisim me problemin e problemeve, me korrupsionin zgjedhor dhe ti japim një zgjidhje radikale, të qëndrueshme, afatgjatë dhe në përputhje të plotë me modele ekzistuese europianë dhe euro-atlantike.