Avokati Plarent Ndreca komentoi vendimin e GJKKO për të rrëzuar kërkesën që Erion Veliaj të mos qëndrojë në kafaz gjatë seancave gjyqësore. Ndreca tha se kjo është e vetmja pengesë që e bën të pamundur që Veliajt të mos jetë në GJKKO, duke theksuar se ai ka vullnet të përballet, por vetëm në kushte të barabarta. Ndreca tha se nuk ka ndalim ligjor që pengon zhvillimin e seancave live, duke theksuar se është një parim që e garanton Kushtetuta. 

Plarent Ndreca: Një pjesë e akteve siç u provua dhe sot nuk janë hapur, nuk janë vlerësuar dhe nuk janë marrë në konsideratë me marrjen e vendimit si nga gjykata paraprake, por fatkeqësisht dhe nga kjo gjykatë që sot mori vendimin.

Gazetari: Ju patët debate me prokurorinë e posaçme, të cilët mbajtën qëndrimin që ju keni bërë kërkesa për të zvarritur në njëfarë mënyre procesin. Ndërkohë që ju rrëzua kërkesa për transmetimin live.

Plarent Ndreca: Siç dhe ju ishit prezentë dhe patë, që unë bëra një kërkesë të gjatë dhe të argumentuar pse duhet të transmentohen live këto lloj procesesh, ku palë është një person që tërheq interes të lartë publik, siç është Erion Veliaj, i cili është kryetari i bashkisë së Tiranës. Dhe nuk ka asnjë ndalim ligjor që transmetimi live të bëhet nga gjykata. Argumentet e prokurorisë ishin argument të përgjithshëm, teorikë por që nuk bazoheshin në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në kodin e procedurës penale. Transmetimi live nuk është gjë tjetër përveçse pjesëmarrje e publikut në mënyrë më të gjerë përtej atyre gazetarëve dhe transmetimi i çdo lloj kërkesë apo debate në procesin penal, vendimi i gjykatës është një vendim që nuk e zbaton këtë parim Kushtetues. Sa i përket kërkesës time për njohjen me aktet dhe kundër argumentit që është kthyer në klishe nga ana e prokurorisë që çdo lloj kërkese që është një kërkesë që i referohet të drejtës për t’u mbrojtur, e konsideron si zvarritje. Në fakt më shumë se kundërshton argumentet tanë, ekspozon qëllimin e prokurorisë e cila nuk ka qëllim të realizojë projekt të rregullt ligjor por ka qëllim të paketojë një çështje e cila duhet të jetë në sy të publikut dhe nuk duhet të kalojë asnjë element i procesit pa u debatuar dhe pa u kundërshtuar nga palët.

Gazetarja: Tashmë dosja ndahet dhe zoti Veliaj dhe të pandehurit që janë me gjykim normal, do duhet të shortohet dhe njëherë dosja. Do të jetë një tjetër trupë gjykues. Do i paraqisni sërish këto kërkesa që paraqitët ndaj trupit tjetër gjykues, për seancat live...

Ndreca: Sigurisht, sigurisht që do i paraqis. Sepse unë mendoj se të gjitha kërkesat që unë kam bërë, lidhen me një proces të rregullt ligjor, pra lidhen me kushtet për të pasur një gjykim kushtetues, dhe për t’i garantuar të gjithë palëve një mbrojtje efektive dhe një debat profesional, dhe konstruktiv por edhe kushtetues me njëri tjetrin

Gazetarja: Po për tu njohur me provat?

Ndreca: Zotit Veliaj i janë vënë në dispozicion disa prej materialeve, e ka konstatuar dhe vetë gjykata dhe prokuroria që zotit Veliaj i mungojnë 24 fashikuj. Përsëri ky fakt u relativizua. Pavarësisht se vetë gjykata ka marrë vendim për t’ u njohur me të gjitha aktet. Njëkohësisht zoti Veliaj nuk ka asnjë provë digjitale. Pra zoti Veliaj nuk ka as mundësinë, por as nuk i ka as fizikisht provat digjitale të cilat ka të drejtën kushtetuese t’ i lexojë, t’ i dëgjojë dhe t’ i verifikojë, ashtu si mbrojtja e tij. As mbrojtja nuk i ka dhe as zoti Veliaj nuk i ka. Ky nxitimi për të vijuar një proces ndërkohë që nuk janë garantuar elementë thelbësorë dhe bazikë të një procesi të rregullt ligjorë, unë mendoj se ekspozon vetëm ata që marrin vendimmarrje.


Lajmi kryesor:

Veliaj kërkon gjyq live, GJKKO e rrëzon: S'pranojnë të pandehurit e tjerë! Dumani: Nuk mund të ekspozohen dëshmitarët! Rrëzohet kërkesa për të marrë fashikujt në mënyrë dixhitale