VATIKAN - “Ju falenderoj që keni ardhur kaq të shumtë në audiencën time të përgjithshme, të fundit si Papë. Ju falenderoj me zemër; jam shumë i prekur dhe shikoj Kishën gjallë dhe mendoj se duhet të falenderojmë Zotin për kohën e bukur me diell që na dhuron edhe pse është dimër”.  Me këto fjalë Benedikti i XVI-të ka përshendetur rreth 200 mijë besimtarë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, që kishin mbushur plot e përplot sheshin e Shën Pjetrit.

Benedikti i XV-të, mbajti audiencën e fundit të përgjithshme si Papë, e cila ishte edhe dalja e parafundit publike që nga njoftimi i tij se do të japë dorëheqjen si kre i Kishës Katolike.

Gjatë fjalës së tij, Ati i Shenjtë është shoqëruar me brohoritje dhe këngë: “At’ i Shenjtë, të duam dhe lutu për ne; Ti je Pjetri dhe ne të rijntë të duam”, thoshin mijëra pelegrinë, që kishin mbërritur këtë mëngjes në sheshin “Shën Pjetër” duke e konsideruar si të pavdekshëm këtë ngjarje historike.

Benedikti XVI ka theksuar se “gjatë papatit të tij 8-vjeçar, Zoti më ka qëndruar pranë, duke e ndierë prezencën e tij çdo ditë. Kisha ka patur ditë të lumtura, por edhe momente të vështira, në të cilat jam ndjerë si Shën Pjetri në barkë me peshkatarët, në detin e trazuar, por Zoti nuk të braktis asnjëherë. Duhet të besoni tek Zoti”, - tha Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar besimtarëve të shumtë.

Mes shumë brohoritjeve, Papa tha se “nuk jam ndjerë asnjëherë i vetëm” dhe ka falenderuar kardinalët dhe bashkëpunëtorët e tij, duke përmendur edhe Sekretarin e Shtetit, Bertone, që e ka shoqëruar me besnikëri gjatë këtyre viteve. “Nuk do të braktis kishën”, - ka përfunduar fjalimin e tij Ratzinger duke bërë thirrje të luten për pasuesin e tij si Papa i ri.

Të ejnten në orën 20.00, Rojet Zvicerane do të mbyllin portën e Pallatit Apostolik në Vilat Papnore, duke i dhënë fund kështu, zyrtarisht, papnisë së Benediktit XVI-të.


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)