Fjala e Kryeministrit dhe njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në Forumin e Grave Socialiste

Mirëdita të gjithëve!

Është një situatë shume  e çuditshme që të jesh i vetmi burrë mes 500 grave që më kujtoi atë fjalën “kur një grua hyn në politikë, politika mund ta ndryshojë atë, ndërsa kur 1000 gra hynë në politikë, ato ndryshojnë politikën”.

Faktikisht nëse kthejmë kokën pas për të parë se nga ka nisur kjo përpjekje që sot ka marrë një përmasë krejtësisht tjetër, nuk e kemi të vështirë të kujtojmë gra që politika i transformoi në thuajse burra, ndërkohë që sot prania e shumë më tepër grave po transformon politikën, pavarësisht se me të drejtë ne të gjithë duam më shumë, presim më shumë dhe meritojmë më shumë nga politika.

Besoj se nuk është ekzagjerim dhe as vetëpëlqim i tepruar nëse unë nënvizoj që është Partia Socialiste forca që po e sjell këtë transformim dhe është Partia Socialiste që e ka ngritur këtë përpjekje për ti dhënë një kuptim krejt tjetër dhe për ta mbushur në fakt me thelb nocionin e barazisë gjinore. Është Partia Socialiste që ka bërë të mundur që sot të kemi një pamje krejtësisht tjetër të përfaqësimit të grave dhe vajzave në jetën politike të vendit. Është Partia Socialiste që aktualisht sot që flasim dhe kam parasysh këtë ditë, voton në Tiranë, në Durrës, në Shkodër dhe në Kukës për të zgjedhur delegatët e Kongresit dhe voton me dy lista të ndara për të çuar në Kongres më 19 mars, 50 % burra dhe 50 % gra.

Asnjë forcë tjetër përveç PS nuk mund ta sillte këtë transformim dhe asnjë forcë tjetër përveç PS nuk mund të sillte transformimin epokal, që në këshillat bashkiakë, tanimë Shqipëria të ketë mundësinë e përfaqësimit me 50 % burra dhe djem dhe me 50 % gra dhe vajza.

Ashtu sikundër është PS që solli në qeverinë e vendit, aq gra sa nuk kishin hyrë në qeveri në 23 vjet të marra së bashku, pra më shumë.

Nëse shkojmë pak më tutje, mund tu them se është Partia Socialiste që po garanton përmes vendosmërisë për të zbatuar në frymë dhe në germë ligjin për shërbimin publik, që përmes konkurseve, jo vetëm të ketë barazi mundësish për gratë dhe vajzat dhe për burrat dhe djemtë, por nga konkurset të dalin më shumë fitues gra dhe vajza, sesa burra dhe djem. Kjo është e vërteta e statistikave të konkurseve për shërbimin civil, ku në nivel përgjegjësish kemi një balancë që është e ndryshme. Pra kemi më shumë gra dhe vajza se sa kemi burra dhe djem.

Tani duam të marrim një tjetër iniciativë dhe duam të imponojmë me vendim qeverie që në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike dhe të institucioneve publike të ketë 50 % gra dhe vajza dhe 50 % burra dhe djem.

Për me tepër është e sigurtë që gratë ministre kanë sjellë më shumë sesa një ekuilibër të ri nga pikëpamja e statistikës së përfaqësimit, kanë sjellë edhe një cilësi të re në politikëbërje Mjafton tu sjell shembullin e ministres së arsimit e cila është një model i shkëlqyer lidershipi dhe kapaciteti për të përfshirë në dialog, të gjithë aktorët dhe faktorët që përfaqësojnë interesa të caktuara në procesin e reformës në arsim.

Është fakt dhe më vjen keq për të gjithë profesorët dhe doktorët që e kanë drejtuar burrërisht ministrinë e arsimit në 20 e kusur vite që një mësuese gjimnazi dhe pastaj një drejtoreshë gjimnazi është ministrja më e mirë e arsimit në 25 vjet që Shqipëria ka prodhuar. E di që profesorë doktorët nuk e pranojnë këtë. E di që përpiqen të provojnë të kundërtën, por sa më shumë përpiqen të provojnë të kundërtën, aq më shumë bindem që ka qënë zgjedhja më e mirë, por jemi duke i bërë shërbimin më të madh, fëmijëve, të rejave, të rinjve, prindërve që iu hoqëm për disa vite një burrë nga qafa në drejtimin e arsimit.

Nga ana tjetër, unë mendoj se ne sulmohemi se i bëjmë gjërat ndryshe. Sulmohemi pikërisht për gjërat që bëjmë ndryshe. Prandaj edhe ne nuk mund të pranojmë as leksione dhe as shprehje të çfarëdollojshme të kundërshtisë ndaj nesh, që vjen në forma nga më të papranueshmet. Ne sulmohemi sepse jemi ndryshe.

Padyshim, nuk jemi të përsosur, jemi larg të qenit të përsosur. Psh, në këtë sallë, unë jam njeriu me më shumë të meta sot këtu, por jemi ndryshe dhe përfaqësojmë aspirata, të cilat i mbrojmë me pasion dhe për të cilat luftojmë me pasion.

I mbrojmë me pasion sepse kemi disa bindje të ngulitura fort në fiziologjinë e organizmit tonë politik dhe familjes tonë politike. Kemi vullnetin që përmes këtyre bindjeve të bëjmë beteja reale në një proces historik reformash transformuese për Shqipërinë. Sulmohemi, sepse i shohim gjërat ndryshe dhe nuk ngurojmë që ta themi hapur këtë gjë, edhe duke krijuar dhe duke vënë në vështirësi shumëkënd që mendon me stereotipe dhe që iu rri besnik stereotipeve duke menduar që kjo është ajo çka sjell më shumë sukses, kjo është ajo çka të sjell më shumë mbështetje në politikë.

 

Por ne po provojmë që e kundërta është e vërtetë. Ne po provojmë që shqiptarët kanë merituar më shumë në gjithë këto vite. E pikërisht, pse ne po i shohim të vërtetat dhe po i themi të vërtetat ashtu siç janë dhe po përpiqemi të bëjmë një operacion reformash radikale që të tjerët as nuk e kanë çuar nëpërmend se mund ta bëjnë dhe jo më ta ndërmarrin, - po meritojmë edhe mbështetjen e shqiptarëve.

 

Nuk është e rastit që në një moment ku kemi kapërcyer gjysmën e parë kohore të mandatit duke prekur shumë pika kyçe të organizmit të rrënuar nga një kancer i kthyer në sistem dhe duke krijuar edhe dhimbje edhe kosto, ne sot të jemi një parti, ku ka një prurje kaq të madhe anëtarësimesh të reja.

 

Nuk është e rastit që pavarësisht dhimbjeve dhe kostove që kanë pasur reformat që ne kemi ndërmarrë, në një anketim që ne kemi bërë, përpara fillimit të procesit të hapjes dhe riorganizimit të Partisë Socialiste, në funksion të një faze të re reformimi të organizatës tonë politike, kanë qenë 11% ata dhe ato që kanë thënë se: “Po, ne jemi të gatshëm të anëtarësohemi në Partinë Socialiste”, - 11% e një kampioni që përfaqëson bashkësinë e qytetarëve dhe qytetareve që jetojnë në Republikën e Shqipërisë.

 

Është shumë e lartë si shifër, për më tepër për një parti që udhëheq vendin në një proces kaq të vështirë reformash që sipas kalkulimeve stereotipike duhet të na kishin sjellë një rënie të popullaritetit dhe një ulje të aksioneve politike.

 

E ndërkohë, që ata që thonë jam i gatshëm apo jam e gatshme të anëtarësohem në Partinë Demokratikë janë vetëm 3%. E plus këtij 11% të  njerëzve që janë të gatshëm të anëtarësohen në PS, burra e gra, djem e vajza, në gjithë Shqipërinë, janë 16 % të tjerë dhe të tjera që thonë, “po, do ta konsideroja mundësinë e anëtarësimit në PS, nëse kjo do të më kërkohej.” Çka të bashkuara bashkë, këto përbëjnë një shifër fantastike, inkurajuese dhe frymëzuese për të vazhduar punën tonë me bindjen se jemi absolutisht në drejtimin e duhur dhe me kurajën për të shkuar përpara, pa u trembur nga gabimet e pashmangshme në një proces kaq horizontal dhe kaq të thellë reformash.

 

Nuk ka një sektor ku ne të mos kemi ndërmarrë një reformë që duhet të ishte marrë me kohë. Po rikthehem tek arsimi për t’ju sjellë një shembull shumë të thjeshtë. Nëse ne, do të kishim ndërmarrë reformat që po ndërmarrim prej 2 vitesh e gjysmë në arsim, nëse ne do të kishim vendosur shumë vite më parë, 20 vjet më parë që në vend se të ndërtonim një xhungël tekstesh jashtë standardeve dhe ta kthenim në një xhungël të korrupsionit, të klientelave për të botuar sa më shumë libra që rezultuan një tufë marrëzish anti-didaktike, e do të kishim vendosur që atëherë që të fusnim në sistemin tonë arsimor librat e Kembridge, Oxford, Pirson, për fëmijët tanë, sot ne do të kishim 414 mijë njerëz nga mosha 25-30 vjeç  të cilët do të ishin të super kualifikuar e do të përfaqësonin një forcë pune të një cilësie dhe të një niveli kualifikimi që Shqipëria nuk e ka.

 

Nëse ne do të kishim bërë 20 vjet më parë atë që po bëjmë sot duke çelur rrugën e arsimit profesional e duke ju krijuar mundësinë vajzave dhe djemve të këtij vendi që të marrin një zanat dhe jo vetëm të shikojnë universitetin si të vetmen mundësi, ne sot do të kishim minimalisht 250 mijë njerëz më shumë, të punësuar dhe do të kishim një shifër shumë herë më të ulët të papunësisë rinore.

 

E për ta mbyllur, nëse ne 20 vjet më parë do të kishim ndërmarrë atë përpjekje që ndërmorëm vetëm këto dy vjet, për t’ju thënë shqiptarëve një gjë shumë të thjeshtë, energjia nuk vidhet, dhe energjia paguhet, pra, as mund ta vjedhësh e as mund ta marrësh pa e paguar duke akumuluar borxhe në kurriz të shtetit, do të kishim fituar 40 vjet investime në arsim e nuk do të kishim sot nevojë për asnjë shkollë kopsht apo çerdhe, krahasuar me kërkesat që kemi sot. Do ti kishim ndërtuar që të gjithë me standarde europiane, e nuk do të kishim sot shkolla në rrezik shembje, apo kopshte dhe çerdhe që mungojnë.  Që do të thotë që reformat që ne po bëjmë janë reforma, mungesa e të cilave ka përvëluar një gjeneratë. E kjo është një e vërtetë e hidhur dhe e thjeshtë. Le të thonë çfarë të duan. Le ta kthejnë si të kenë qejf muhabetin. Le të bëjnë sa të duan kultin e shqiptarit që i di të gjitha. Dëgjova një profesor një ditë që thoshte, “si mund ti kërkojë qeveria të rinjve shqiptarë që të shkojnë të punojnë nëpër ndërmarrje, ndërkohë që ata janë të gjithë me diploma e meritojnë punë të larta”.

Po, se u çuan nëpër universitete ku prindërit e këtij vendi harxhuan 148 milionë euro për rreth 28 mijë diploma që rezultojnë pa asnjë vlerë dhe krijuan popullin me koeficientin më të lartë të juristëve në planet. Kërkon hidraulik, nuk e gjen dot se të del juristi në telefon. Kërkon marangoz, nuk e gjen dot se të del juristi në telefon. Kërkon elektricist, të vjen juristi. Këtë bëmë ne. E prandaj problemi ynë i madh sot në krijimin e punësimit real është mungesa e zanateve. E prandaj sfida jonë reale sot është që të çojmë përpara reformat. Sepse reformat që ne po bëjmë nuk përcaktojnë se si do jetë Shqipëria vitin tjetër dhe as nuk përcaktojnë se si do të jetë rezultati i zgjedhjeve vitin tjetër, po përcaktojnë se si do të jetë Shqipëria e 20 viteve të tjera. Përcaktojnë se çfarë do të përfitojnë ata që sot shkojnë në klasë të parë, ata që sot shkojnë në klasë të pestë, ata që sot shkojnë në vit të parë dhe që marrin librat e të njëjtës cilësi me bashkëmoshatarët e tyre në vendet e BE, e që mësojnë me të njëjtën metodologji, pa folur këtu për faktin se në tërësinë e vet, ky proces reformash po jep rezultate edhe tani që reformat janë në momentin e operacioneve të thella.

 

E njësoj si një organizëm që kalon një operacion shumë të rëndë nuk mund të çohet mbas operacionit dhe t’ia japi vrapit, ka nevojë për rehabilitim, ka nevojë për ushtrime përpara sesa të fillojë të eci dhe të vrapojë, kështu është edhe me sektorët. Por ama, nga ana tjetër, nuk ka pikë dyshimi që ka një fakt të pakontestueshëm: në fund të vitit 2013, në librin e llogarive të këtij shteti ishin mbi 470 mijë njerëz që rezultonin të punësuar. Mbi 470 mijë që rezultonin të punësuar, të siguruar dhe taksapagues. Sot janë mbi 630 mijë që do të thotë mbi 160 mijë të punësuar të rinj. Të punësuar të rinj sepse janë hapur vende të reja pune, të punësuar të rinj sepse ne  kemi nxjerrë nga skllavëria e punës në të zezë mijëra e mijëra burra e gra, djem e vajza që deri dje ishin thjesht dhe vetëm skllevër të të përditshmes që shkonin në punë në mëngjes dhe nuk e dinin a do të kishin një punë në darkë.

Ashtu sikundër kemi mundësuar hapjen e një kapitulli krejt të ri për t’ju qenë pranë grave dhe vajzave. Dua t’ju them se nga kontrolli mjekësor falas që këtë muaj po arrin një shifër rekord analizash, pjesa më e madhe e përfituesve janë gra dhe vajza. Janë gra, të cilat përndryshe do e kishin të pamundur. Do e kishin të pamundur të bënin një kontroll mjekësor, pasi kontrolli mjekësor me tarifat për ata që janë të pasiguruar kushton 51 mijë lekë të vjetra, ndërsa ne u japim mundësi të gjithëve që ta marrin atë falas.

 

Nuk dua të zgjatem më shumë, por dua ta mbyll duke shprehur bindjen se ky forum, ky rrjet grash dhe vajzash që janë pjesë e Partisë Socialiste dhe që jam i bindur do të zgjerohet dhe do të forcohet, duke e fuqizuar dhe më shumë Partinë Socialiste, është fuqia e duhur për të ndërmarrë nismën e nxjerrjes së çdo gruaje dhe çdo vajze nga kushtet e punës në të zezë, për të mos lejuar që në territorin e Republikës së Shqipërisë, qoftë dhe një sipërmarrës i vetëm të mbajë qoftë dhe një grua dhe një vajzë të pasiguruar, nga pikëpamja shoqërore dhe nga pikëpamja shëndetësore. Kjo ka një rëndësi shumë të madhe, në mënyrë që reforma jonë e pensioneve e cila faktikisht ka bërë të mundur që në 2 vjet 20 mijë gra të marrin një pension më të lartë sesa ç’do e kishin marrë po të mos e kishim bërë ne reformën, të japi rezultate edhe më të prekshme për pjesën më vulnerabël që janë gratë dhe vajzat.

 

Ju falënderoj për këtë ftesë, dhe është gjithmonë nder dhe privilegj i madh që të jesh burrë midis kaq shumë grave dhe kaq shumë vajzave. Ju e keni dëgjuar që edhe këtë ma përflasin shumë, ma përflasin shumë dhe ma përflasin keq shumë, po unë nuk kam çfarë të bëj. Unë jam feminist, se jam socialist. Por, duan s’duan, jam dhe artist. E të jesh socialist dhe të jesh dhe artist dhe të mos jesh i emocionuar kur ke përpara gra dhe vajza, është e pamundur. E nga ana tjetër unë nuk mund të pranoj dot asnjë leksion nga ata që kur ishin në qeveri e kishin qeverinë një çetë me burra dhe mbanin një grua të vetme për hajmali. E aq më tepër pastaj të marrësh leksion nga burra që i abuzojnë gratë për t’i bërë viktima, siç abuzuan me atë të shkretën që unë i thashë “motër”, ata thonë i tha “mostër” se duan ta përdorin viktimën për të luftuar me mua dhe me ne.

 

Por, sa më shumë të na luftojnë, aq më shumë na forcojnë. Saliu thotë “e kam dëgjuar nga Enver Hoxha”, por Enver Hoxha e kishte dëgjuar nga populli, kështu që unë për vete nga populli e kam marrë: Qentë le të lehin, karvani do eci përpara.

 

Faleminderit!
   

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Makinat përplasen ‘kokë me kokë’ në aksin Fushë-Krujë-Thumanë, një nga mjetet përfundon mbi barrierë! Një i plagosur