Fjala e Kryeministrit Edi Rama
në themelimin e “Konfindustria Albania”‏

Do të më pëlqente të filloja sot me një fitore të mbrëmshme. Por, sidoqoftë, nëse ishte ndonjë që dyshonte për italianizmin e Shqipërisë, dje ka pasur provën ekzemplare, jo vetëm për faktin e thjeshtë që trajneri është një trajner italian, por edhe për mënyrën se si u shfaq ai në fushë. Një Itali B ishte atje për të ngritur një mur të padepërtueshëm kundrejt pretendentëve më të mëdhenj të kampionatit europian.

Sidoqoftë, është thjesht një ndeshje futbolli, ndërsa italianizmi i Shqipërisë nuk është vetëm në fushën ku luan kombëtarja shqiptare, por është në fushën e të gjitha marrëdhënieve të Shqipërisë me botën, marrëdhënie që fillojnë gjithmonë nga Italia, jo vetëm sot, por historikisht.

I kam dërguar një mesazh Matteo Renzit duke i thënë që do jem i pranishëm në eventin e lindjes së binjakut më të vogël të Konfindustria-s italiane, një binjak shqiptar ky që shpresoj që do të jetë në lartësinë e pritshmërive tuaja, por që shpresoj edhe që do të japë një shtytje të rëndësishme këtij bashkëpunimi themelor.

Italia është partneri më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë, sepse shkëmbimet ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë në fushën ekonomike kanë një përqindje shumë të lartë. Deri në prill të 2016-ës kanë arritur në rreth 36% të shumës së përgjithshme. Edhe import-eksportet janë rritur. Importet janë rritur me 6%, nga prilli i vitit të kaluar, deri në muajin prill të këtij viti. 20% janë rritur eksportet, ndërsa sipas regjistrit tonë të ndërmarrjeve, ka 2600 ndërmarrje italiane të regjistruara në Shqipëri, krejtësisht italiane, ose italo-shqiptare që punojnë në të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare.

Por ka edhe një të dhënë të rëndësishme për të gjithë ne, që midis 2013-2015, numri i italianëve që kanë vizituar Shqipërinë, është rritur me 40%, gjë që do të thotë se jemi në një moment veçanërisht të rëndësishëm të marrëdhënieve të përzemërta që na lidhin prej shumë vitesh, jo vetëm që nga vitet pas rënies së regjimit komunist, por edhe më përpara.

Në këtë kontekst, unë besoj se kjo ngjarje është shumë e rëndësishme, sepse Konfindustria tashmë mund të jetë një instrument më shumë i një rëndësie shumë të madhe për 3 arsye; për kulturën e sipërmarrjes, për njohjen që mund të përcjellë, por edhe për ndërtimin e urave të reja mes Shqipërisë dhe Italisë, në kuptimin që të sjellim këtu më shumë investime dhe më shumë ndërmarrje italiane.

Unë e vë gjithmonë kulturën e sipërmarrjes në plan të parë kur bëhet fjalë për të zgjeruar portofolin e investimeve që vijnë nga jashtë, sepse ajo që sipërmarrjet italiane, apo dhe të tjera sjellin, mbi të gjitha është një kulturë e sipërmarrjes, që në Shqipëri është duke u rritur, por që ende ka shumë nevojë të konsolidohet. Pastaj është edhe njohja.

Kam pasur privilegjin që të takoj persona që janë këtu prej vitesh në Shqipëri dhe mendoj gjithmonë që nëse nuk do ishin ata, flas këtu për sipërmarrës italianë, niveli i njohurive do të ishte më i ulët, sepse ata kanë sjellë dhe sjellin gjithmonë më shumë njohuri në të gjitha fushat.

Sigurisht, prania e Konfindustria-s do të jetë e rëndësishme edhe për të vazhduar luftën kundër stereotipeve, kundër frikërave, kundër paragjykimeve që, për të thënë të vërtetën, në Itali janë shumë më të pakta sesa në vende të tjera të Europës, edhe sepse jemi të ngjashëm.

Ajo që tremb një gjerman, nuk tremb një italian, këtë duhet ta themi edhe ne. Ajo që i duket e pakapërcyeshme një francezi, për një italian është lojë, një gjë shumë e thjeshtë, nga të gjitha pikëpamjet. Kemi mësuar shumë nga ju, në të gjitha fushat.

Sidoqoftë, unë mendoj se është një moment i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, nga pikëpamja strukturore. Kemi kuptuar, ndoshta me shumë vonesë, që modeli ekonomik i ngritur mbi remitancat, ndërtimin dhe mbi borxhin gjithmonë e më të lartë në situatën e përgjithshme të një krize financiare që ka prekur në mënyrë të veçantë Greqinë, por jo pak edhe Italinë, - është një model i ezauruar.

U kthyem në një drejtim tjetër për të zhvilluar një model rritjeje, zhvillimi të qëndrueshëm, të mbështetur mbi investime, eksporte, domethënë të mbështetur mbi prodhimin dhe mbi eksplorimin racional të burimeve të vendit për një ekonomi që rritet në mënyrë të qëndrueshme, por edhe që garanton një rritje të qëndrueshme.

Ndodhemi në një pikë ndryshimesh shumë të rëndësishme që, sigurisht kanë nevojë për kohë për të krijuar impaktin e nevojshëm në vend, por sidomos në ekonomitë familjare.

Nga ana tjetër, kemi shumë të qartë që nga fillimi, nuk bëhet fjalë vetëm për një sektor, sepse ajo që ka të bëjë me ekonominë, nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë në fakt, por edhe me drejtësinë, mënyrën se si vendi është organizuar në nivel administrativ. Ka të bëjë me edukimin dhe garancinë mbi titujt e pronësisë, apo me mënyrën se si vendi i krijon burimet për të paguar pensionet, e kështu me radhë. Për këtë i jemi futur një procesi reformash shumë të dhimbshme, por dhe të domosdoshme, duke u nisur që nga energjia që për ne ishte problemi kryesor.

Sipërmarrësit italianë që janë këtu prej vitesh mund ta dëshmojnë faktin që mungesa gjithmonë e më dramatike në sektorin e energjisë, nga pikëpamja financiare, por dhe administrative ka krijuar një pengesë shumë të madhe për një rritje të qëndrueshme, por dhe për të stimuluar frymën e sipërmarrjes për të investuar më shumë.

Sot ndodhemi në një moment tranzicioni, ndërmjet një pike ku rrezikuam një dështim të vërtetë jo vetëm të sektorit energjetik, por edhe financiar dhe një pike ku ende nuk kemi mbërritur për të menaxhuar këtë sektor me shumë profesionalizëm dhe me një ndjenjë drejt së ardhmes.

Por, sidoqoftë, sot sektori i energjisë është shumë i stabilizuar e nga ana tjetër kemi dhe një reformë të liberalizmit të tregut të energjisë që është në fazë zhvillimi dhe që ne mendojmë ta përfundojmë në vitin 2019-2010.

Ndodhemi në një moment të veçantë, ku investimet në sektorin energjetik nuk kanë të bëjnë vetëm me pjesën e sektorit privat, që ka qenë gjithmonë i interesuar për të investuar në potencialin hidroelektrik të vendit, por kanë të bëjnë edhe me investime të rëndësishme publike për të ndërlidhur Shqipërinë e për ta bërë atë një aktor të rëndësishëm në tregun rajonal, por edhe për ta lidhur atë me Europën nëpërmjet Italisë.

Të vish sot në Shqipëri dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Serbi, në Kosovë dhe në vende të tjera të rajonit tonë, nuk do të thotë të vish vetëm në një vend. Nëse 4 apo 5 vjet më përpara të investoje në Shqipëri, do të thoshte të investoje vetëm në Shqipëri, sot duhet të kuptohet një ndryshim themelor që ka ndodhur ndërkohë, nga pikëpamja politike, në nivel rajonal, që i ka hapur udhën një tregu rajonal shumë më të gjerë se ai shqiptar apo se ai në Kosovë, Serbi, Maqedoni e kështu me radhë. Gjë që do të thotë që ka gjithmonë një perspektivë rritjeje të ndërmarrjeve që investojnë në një vend si Shqipëria, në mënyrë që të zgjerohen përtej kufijve të Shqipërisë dhe për të përfituar edhe nga një proces që tani ne jemi duke e shpënë përpara; procesin e heqjes së barrierave, pengesave jotarifore të rajonit, për të krijuar një rajon që të jetë krejtësisht i lirë nga pikëpamja e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare.

Sigurisht ka qënë shumë e rëndësishme reforma territoriale, që nga mbi 360 bashki e komuna t’i reduktonim në vetëm 60 në një periudhë shumë të shkurtër kohe. Ata që merren me reforma territoriale në Itali e dinë se çdo të thotë një gjë e tillë. Sesa e rëndësishme ka qënë të hynim në një reformë radikale rrënjësore të sistemit të edukimit, arsimit, nga dy pikëpamje, nga njëra anë duhej reformuar sistemi i arsimit të përgjithshëm, i sistemit universitar ku sot kam parë se studiojnë rreth 400 studentë italianë. Por ajo që unë mund të garantoj është se nuk janë më ato diplomat universitare të birit të Bossit, sepse diçka e rëndësishme ka ndryshuar, në sistemin tonë publik të arsimit, edhe pse ka shumë e më shumë për të bërë.

Ka rreth 20 mijë italianë që jetojnë në Shqipëri. Mbrëmë përpara ndeshjes takova një zonjë të moshuar. Burri i saj kishte qënë një sipërmarrës i rëndësishëm në Vlorë, që për fat të keq ishte ndarë nga jeta para dy vjetësh, ndërsa ajo vendosi që pas vdekjes së të shoqit të vazhdonte të jetonte në Shqipëri, ta çonte përpara aktivitetin e ndërmarrjes sepse ashtu siç e tha ajo vetë ndihet si në shtëpi.

Ashtu siç e thashë 20 mijë italianë, nuk janë pak, janë shumë, por mund të jenë edhe më shumë, sepse ka shumë hapësirë në mënyrë që të vazhdojmë, ta rrisim së bashku këtë vend dhe të krijojmë mundësinë për më shumë ndërmarrje italiane. Po të bëjmë një bilanc ndërmjet intensitetit të përzemërsisë, të dashurisë, mes Shqipërisë dhe Italisë, pra shqiptarë dhe italianë, dhe intensitetit të parave që hyjnë këtu, ende nuk mund të krahasohet.

Do të jem gjithmonë i lumtur të shoh pjesën e parë, (pra miqësinë) të jetë gjithmonë e më madhe se ajo e parave, por edhe paratë nuk do e dëmtojnë këtë miqësi mes nesh, por do ta bëjnë madje edhe më të fuqishme dhe më të qëndrueshme në kohë.

Doja të falënderoja mbi të gjitha atë që më thanë se është njeriu më i rëndësishëm në këtë sallë, zoti Edoardo Garrone. Për ne është një fat t’ju kemi këtu dhe për mua është një privilegj që të jemi këtu, por dhe ambasadorin. Kam qenë me fat që kam patur mundësinë të punoj me një ambasador si Alberto Cutillo. Ka qënë në fillim Massimo Gaiani dhe më pas ambasadori që kemi tani, por që të dy shumë të interesuar në atë përpjekje të përbashkët për ta zgjeruar gjithmonë e më shumë, zonën e bashkëpunimit në fushën ekonomike.

Sot nuk flasim për fushën e sigurisë, por në fushën ekonomike është shumë e rëndësishme kjo. Unë vazhdoj të besoj se Shqipëria ka gjithçka që shumë sipërmarrës italianë ëndërrojnë.

Ne jemi duke luftuar çdo ditë, ministri lançoi së fundi edhe një tjetër paketë masash për ta shpënë përpara reformën, që mund ta reduktojë burokracinë në mes shtetit dhe sipërmarrjeve. Por sidoqoftë mendoj se sipërmarrësit italianë që janë këtu të pranishëm dhe e kanë kaluar etapën e parë të vështirë në Shqipëri, mund të dëshmojnë që ka shumë më pak burokraci dhe shumë më tepër lehtësi.

Për ne Konfindustria e Shqipërisë do të jetë një partner i nivelit të parë, një partner shumë i rëndësishëm në këtë udhë gjithmonë e më të përbashkët, mes nesh, sepse nuk është vetëm Shqipëria që ka nevojë për Italinë, por edhe Italia që ka nevojë për Shqipërinë dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta.

Jemi pothuajse të ngjashëm dhe mendoj që e ardhmja do të jetë një e ardhme e bukur për të gjithë ata që do të vazhdojnë të investojnë në Shqipëri, apo për ata që do të vijnë të investojnë në Shqipëri. E ndoshta qëllimi i parë i Konfindustrias është që ta marrë mënjanë bankierin italian Silvio Pedrazzi dhe t'i thotë që t’i hapë më shumë xhepat dhe të vërë më shumë para në dispozicion të ndërmarrjeve, sepse ata kanë shumë para në Shqipëri, por nuk shpenzojnë si ne. Do të donin që ta bënin dhe jam i sigurt që edhe për këtë ka shumë për të mësuar nga ana e sipërmarrësve shqiptarë, në mënyrën me të cilën duhet të përqasen tek bankat, por edhe sesi të krijojnë një skuadër të përgjithshme si ajo mes sipërmarrësve italianë dhe shqiptarëve në mënyrë që t’i bëjnë presion bankave.

Ata janë Franca e djeshme, ne jemi Shqipëria e së nesërmes.

Jam i sigurt për këtë që ju them.

Nga sot, industrialistët italianë të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, do të përfaqësohen me shoqatën e tyre, Konfindustria Albania, me krijimin e së cilës, plotësohet projekti i Konfindustrias italiane për të krijuar përfaqësi në të gjitha vendet e zonës ballkanike.

Në takimin e organizuar me rastin e firmosjes së Akt Themelimit, mori pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Financave Arben Ahmetaj, Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi, përfaqësues të lartë të Konfindustria- s, si dhe sipërmarrës italianë, me aktivitet në Shqipëri.

Konfindustria Albania aderon si përfaqësi ndërkombëtare në sistemin Konfindustria dhe njëkohësisht aderon si anëtar i zakonshëm i Konfindustria- Balkani, Federata e shoqatave të biznesit italian, në Europën Juglindore, një forcë organizative e cila numëron më shumë se një mijë kompani italiane.

Midis objektivave të Konfindustrias italiane, e cila koordinon aktivitetet në vendin tonë përmes ambasadës italiane ne Shqipëri, janë orientimi dhe informimi mbi mundësitë dhe problematikat e tregut shqiptar, lehtësimi dhe krijimi i partneriteteve, bashkëpunimi dhe sinergjia; forcimi i dialogut nëpërmjet ndërmarrjeve italiane në Shqipëri dhe biznesit vendas, përhapja e njohurive ekonomike për Shqipërinë, në Itali dhe konsolidimi i kulturës së ndërmarrjeve në vend. ​

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Media britanike ‘Metro’: Shqipëria mes pesë destinacioneve spektakolare për të vizituar në 2025