Një pyetje do të doja t’i bëja të gjithë atyre që po e ndjekin këtë aktivitet: “A ju ka rënë rasti të shihni ndonjëherë ndonjë qytet, ndonjë lagje apo ndonjë vendbanim të shëmtuar ku njerëzit jetojnë mirë?!”

Nëse secili e ndjek me mend filmin e imagjinatës, për të gërmuar në kujtesën e vetë çka ka parë, besoj që do ta ketë të pamundur që të thotë “Po! Unë kam parë një qytet, unë kam parë një lagje, unë kam parë një vendbanim të shëmtuar, të papastër, ku njerëzit ishin të pasur, jetonin mirë dhe buzëqeshnin!”

Nga ana tjetër, vjen një pyetje e radhës: “A është paraja që e sjell bukurinë e një qyteti, e një lagjeje, e një vendbanimi apo është bukuria që sjell paranë?”

Unë besoj që të dyja sjellin njëra-tjetrën dhe vazhdimisht më mundon një pyetje: “Si shpjegohet që stërgjyshërit tanë, që kishin shumë më pak para, shumë më pak njohje të botës që ndodhej përtej kufijve, ndërtuan vendbanime dhe godina që sot kanë një vlerë të pakrasueshme, jo vetëm estetike po edhe pasurore në raport me gjithçka u ndërtua në rrumpallën e tranzicionit, pavarësisht se u investuan shumë para. Stërgjyshërit tanë nuk kishin informacionin që kemi ne sot, por askush prej tyre nuk ndërtoi mbi lumë. Askush prej tyre nuk i gdhendi gurët e shtëpisë dhe nuk ia vuri asaj dritaret, duke i bërë karshillëk natyrës. Askush prej tyre, nëse do ta kishin marrë këshilltar për zhvillimin urban në fillim të viteve ’90, nuk do të na këshillonte që të ndërtonim “Zvicrën” në buzët e Lanës, në Tiranë. Ju e mbani mend mirë se si në buzët e Lanës u predikua model i një kapitalizmi agresiv, vibrant shqiptar, një model i panjohur në botë. Apo e keni parë sesi ndërtimi, lagja informale e Bathores, u quajt zyrtarisht nga një Kryeministër “Mrekullia e 8-të e botës”. E para shëmbëlltyrë e zhvillimit urban që u bë pa leje, tha Kryeministri.

Ndërkohë, duke u rikthyer përsëri te raporti i bukurës me mirëqenien dhe i qytetit si një element përbashkues për një komunitet që bashkëjeton në një hapësirë urbane me mirëqenien dhe me të ardhurat që ai gjeneron, unë kam dëshirë të sjell një shembull shumë modest dhe të thjeshtë. Në kohën kur filloi operacioni që u bë pastaj botërisht i famshëm i ngjyrosjes së fasadave të shkatërruara të Tiranës, të gjithë e mbajnë mend mirë se çfarë përqeshjeje dhe se çfarë cinizmi u derdh nga ata që i dinë të gjitha, pikërisht, sepse nuk dinë asgjë, por ndërkohë një fakt i thjeshtë ndodhi aty për aty. Në rrugët apo në minisheshet ku u bë kjo ndërhyrje, vlera e apartamenteve dhe e dyqaneve menjëherë u dyfishua apo trefishua. Menjëherë! Pra, me një ndërhyrje, në dukje për t’u dukur, të gjithë banorët e atyre pjesëve ku ndodhi ndërhyrja u bënë menjëherë zotëruesit e një pasurie të patundshme që kishte një vlerë shumë më të madhe. Sigurisht, ka një arsye pse ndodh kjo, ashtu siç ka një arsye të madhe, sepse raporti mes pasurisë dhe bukurisë, në kuptimin e një hapësire publike të organizuar bukur, është kaq i drejtpërdrejtë.

Ka një arsye të madhe që është e njëjta arsye që sot në Korçë çon disa dhjetëra herë më shumë vizitorë dhe turistë, sesa çonte përpara sesa ky operacion të fillonte. Është e njëjta arsye që, ju siguroj, në Kavajë do të çojë dhjetëra herë më shumë vizitorë dhe turistë nga ata që do të vijnë për në plazh, por me siguri do të dëshirojnë që një pasdite apo një darkë, ta kalojnë në një qytet të rilindur që për kë nuk e ka parë është i falur të nënqeshë, por për mua që e kam ndjekur procesin e transformimit është një nga surprizat më të mëdha, se si një shëmbëlltyrë e transformuar në një quazi qenef nga një politikë e verbër dhe tërësisht idiote, mund të transformohet papritur nëpërmjet një ndërhyrje në zemrën e vetë, në një qytet të vogël mesdhetar, që ju siguroj, nuk ka asgjë më pak sesa plot qytete të vegjël mesdhetar të Mesdheut Perëndimor, që ne e shikojmë me aq admirim.

Më kujtohet, në fund të viteve ’90, unë isha Ministër i Kulturës dhe erdhi në Tiranë një gazetare shumë dashamirëse e një revistë të madhe italiane dhe në fund, pas ikjes së saj bëri një shkrim dashamirës për Shqipërinë. Dhe kur u rikthyer në Tiranën e rilindur përmes ngjyrave më tha një shprehje që më ka mbetur në mend: “Kam hequr një ankth shumë të madh, sepse kur jam larguar nga Tirana nuk më është ndarë për javë të tëra pezmi që vizitova një kryeqytet në mes të Europës ku nuk mund të bëja dot as edhe një fotografi për t’ia treguar të tjerëve, sepse thjeshtë do t’i rrisja perceptimin negativ për Shqipërinë”.

Filmi që patë është një sintezë që nuk bën drejtësi për atë që ka ndodhur në fakt në territor në vetëm 18 muaj. Në 18 muaj ku gjithçka është filluar nga zero, në këtë aspekt, pasi ajo që trashëguam si një tryezë vendimmarrje për projekte në mbështetje të bashkive dhe komunave s’ishte asgjë tjetër përveçse një tryezë ku verbëria, mediokriteti dhe injoranca e plotë lidhur me hapësirën publike dhe me rrugën e zhvillimit urban ishin ulur këmbëkryq dhe projekte që vetëm projekte nuk mund të quheshin, sepse ishin, nganjëherë as me një fletë vizatimi, por vetëm me shkrim dore se çfarë do bëheshin. Miratohej thjeshtë dhe vetëm politikisht, përmes një politike që i trajtoi qytetet kryesore të qeverisura nga socialistët si kështjella armiqsh për t’u asfiksuar dhe për t’u pushtuar.

Historitë e bashkive të Durrësit,- të Tiranës për një periudhë kohe,- por të Elbasanit, të Korçës, të Vlorës dhe me radhë përfshirë edhe Lezhën, ku as ajo paqja e përkohshme e koalicionit nuk bëri fajde, të kujtojnë historinë e përshkruar nga Ismail Kadareja tek libri “Kështjella”.

Një qeveri, një pushtet, një lukuni e tërë zyrtarësh nga më të lartët, deri tek më qesharakët atje nëpër qytete të impenjuar në një rreth antidemokratik për të marrë peng kështjellën dhe për ta shembur me çdo kusht kryetarin e bashkisë.

Kështu ndodhi që në gjithë këto vite qytete me një rëndësi strategjike apo zona me rëndësi strategjike për Shqipërinë për zhvillimin e ekonomisë, për zhvillimin e ekonomisë, për zhvillimin e turizmit u lanë në mëshirë të fatit. Kështu ndodhi që qytetet në tërësi u lanë në mëshirë të fatit. Kështu ndodhi që sot, në këto qytete jo vetëm ato që përmenda, por dhe në shumë të tjera, investimi i bërë nga kjo qeveri në vetëm 18 muaj, është më i madh se ç’është bërë në 20 vjet, nga kontributet e qeverisë qendrore për qytetin. Por kjo ka dhe një arsye tjetër që është në fakt arsyeja, se përse duhet refuzuar në 21 qershor nga çdo shqiptar dhe shqiptare që e do sot qytetin e vet -dhe kur them sot qytetin e vet, nuk kam parasysh vetëm ata që jetojnë në bashkinë e dikurshme, por kam parasysh të gjithë ata që jetonin komunave, sot jetojnë në bashkinë e re të Lezhës, apo të Elbasanit e me rradhë - dhe kjo arsye është që forca që paraqitet si alternative. Është një forcë antiqytet, në kuptimin antiurbanizim, në kuptimin antiestetik, në kuptimin vulgaritet demokratik. Flasin faktet. Mjafton të shikojmë vijën bregdetare të Jonit, një perlë për të cilën të gjithë kanë folur, për të cilën kemi thënë qysh në fillim të viteve 90 se këtu është potenciali i madh i zhvillimit. Një perlë, një vijë e madhe bregdetare, që populli shqiptar si sovran deshi, duke bërë atë, që bën ajo thënia, “Zoti e desh” ta shpëtonim në momentin që po e kapte flama e bathorizimit dhe ku po shfaqeshin gjatë gjithë trupit të vet ato zhvillime, që mund të mirëkuptohen në një zonë informale ku njerëzit ndërtojnë si jua pret mendja, sepse askush nuk ju thotë se si mund të ndërtojnë më mirë. Por si mund të falen kur bëhet fjalë për një nga thesaret e vendit. E si është e mundur që nga njëra anë, për vite të tëra kanë tundur flamurin nacionalizmit, të patriotizmit të dashurisë, të atdhedashurisë, të dashurisë për figurat e historisë që nga Teuta e ilirëve për të cilën flasin sikur e kanë patur shoqe klase e deri tek Ismail Qemali, me të cilin kanë qënë në konkurrencë të vazhdueshme, pavarësisht se nuk e thonin dhe ta linin Gjirokastrën për 20 e kusur vite, pa asnjë kokërr leku investim dhe ta linin atë xhevahir të vërtetë të trashëgimisë kulturore të rrënohej në sytë e të gjithëve me shtëpitë që binin njëra pas tjetrës sikur ishte skena gjigande e një morti. Po Beratin? - për të njëjtat arsye. Sepse ishin kështjellat të socialistëve dhe dashuria, nostalgjia apo përkatësia në klasë me Teutën e ilirëve ishte këtu në Tiranë, kurse atje vazhdonte lufta e barbarëve, për të marrë peng këto qytete që në fakt janë burimet më të mëdha të zhvillimit tonë të qëndrueshëm drejt të ardhmes, për arsye thjesht dhe vetëm politike.

Nga ana tjetër, dua ta nënvizoj fort se këtu nuk është çështja e një përplasjeje tradicionale, se kush bën më shumë “rrugë, rrugë, rrugë”. Këtu çështja është e një përplasjeje mes dy botësh që nuk kanë fare lidhje me njëra-tjetrën, mes dy filozofish që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, mes dy vizionesh zhvillimi të qëndrueshëm, që nuk kanë lidhje fare me njëri tjetrin dhe mes dy rrugësh që janë krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën. Rruga jonë është rruga në drejtimin e duhur dhe rruga e tyre është rruga në drejtimin e gabuar se nuk po e them atë fjalën tjetër.

Pra, bëhet fjalë për një ndryshim në filozofi që ne kemi sjellë. Sigurisht, në 18 muaj ne nuk mund të kuronim të gjitha plagët e Shqipërisë. Nga ana tjetër, sigurisht që Shqipëria sot nuk është më territori i 25 viteve më parë, ku mund të fillohej me sira dhe me formën tradicionale të të kuptuarit të zhvillimit urban dhe me ato planet klasike rregulluese, të cilat nuk kanë patur, nuk kanë dhe nuk kanë asnjë gjasë që të kenë sukses, në një realitet si realiteti ynë, që për kaq vite është zhvilluar paralelisht me letrat, njësoj si me të gjithë ligjet e tjera. Shqipëria i ka patur ligjet me kohë. Shqipëria me kohë e ka patur një ligj që e ndalonte vjedhjen e energjisë elektrike. Po ndërkohë vjedhja e energjisë elektrike ishte e ligjëruar në realitet.