TIRANË- SPAK goditi një rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave, drejtuar nga Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika, ndër trafikantët më të shquar në tregtinë e drogës vitet e fundit. Pas një hetimi të nisur prej vitit 2020 nga prokurorët Klodian Braho dhe Doloreza Musabelliu, më 15 qershor, GJKKO lëshoi 10 masa arresti me burg. Vetëm njëri prej tyre Florjan Musaj është kapur, 2 të tjerë të cilët mendohet se janë në Shqipëri, janë shpallur në kërkim, ndërsa 7 të tjerë sipas SPAK ndodhen jashtë vendit dhe për t’i kapur është duke u bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese të vendeve të tjera.

Nga 2019-a në 2021 shin sipas SPAK ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë, ku ka dyshime se kanë trafikuar të paktën 50 ton kokainë, ndërsa në 5 episode janë sekuestruar gati 9 ton kokainë

Sipas SPAK një pjesë e të ardhurave nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar cash në Shqipëri për të shmangur sistemin bankar dhe janë investuar në pasuri të paluajtshme, blerjen e aksioneve në kompani tregtare, në kompani ndërtimi, hoteleri, konsulencë etj

Me vendim të gjykatës së Posaçme është vendosur sekuestro preventive ndaj 491 pasurive të paluajtshme në pronësi direkte të anëtarëve të grupit, apo ku lidhja e tyre është e tërthortë, me vlerë të përllogaritur deri më tani rreth 150 milionë euro.

Katër shoqëri rezultojnë në zotërim të një personi, Isa Aliu Aliu Road House me seli në disa qytete, Green Invest në Tiranë e Fier (50% të kuotave), Seavieu Development me seli në Hamallaj dhe A.R.H Security në Tiranë e Elbasan.

Njoftimi i plotë i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 138 të vitit 2020, ka finalizuar një operacion kompleks kundër një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, të dyshuar për veprat  penale:

  1. Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal;
  2. “Pastrim i produkteve të veprës penale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal;
  3. “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”;

Këto vepra janë të parashikuara  përkatësisht nga nenet 28/4, 283/a, 287, 333/a  dhe 334 të Kodit Penal.

Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.36, datë 15.6.2026, ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues,“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 10 shtetas shqiptarë:

EMRAT E GRUPIT KRIMINAL
2. ⁠Isa Aliu
4. ⁠Florjan Musaj
6. ⁠Denis Matoshi allias Eldi Dizdari
7. ⁠Naldi Yzeiraj
9. ⁠Dritan Gjika

Në datën 16.6.2026 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë kontrolle të banesave dhe vëndeve të tjera për të kryer ekzekutimin e masave të sigurimit. Gjatë operacionit u ekzekutua masa e sigurimit ndaj personit nën hetim F.M.

Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet për gjetjen dhe arrestimin e 2 personave të tjerë, të cilët dyshohet se ndodhen në Shqipëri, ndërsa 7 persona nën hetim nuk ndodhen në Shqipëri. Për arrestimin e tyre SPAK është duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese të vëndeve të tjera.

Në zbatim të vendimeve gjyqësore janë zhvilluar 23 kontrolle ndaj personave, banesave, zyrave të shoqërive tregtare dhe personave fizikë.

Trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike                                                                                                              

Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Nga hetimet e kryera është krijuar dyshimi se të hetuarit kanë trafikuar për periudhën e mësipërme të paktën 50 ton kokainë.

Gjatë hetime janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha. Gjatë tyre janë sekuestruar në total 8 ton e  960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe konkretisht:

Episodi 1 – 11 Maj 2020 – Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar  në portin e Ëaasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.

Episodi 2 –   6 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike  kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe  kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).

Episodi 3 – 16 Gusht.2020 – Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në  Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.

Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020–  Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdam, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.

Episodi 5 – 03 shkurt 2021–  Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50  kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën .

Hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë. Nga realizimi i kësaj veprimtarie janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.

Pastrimi i parave

Nga hetimet është provuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri, në formën monetare “cash” për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës etj.

Përmes këtyre investimeve dyshohet se është realizuar pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale, duke fshehur origjinën e tyre të paligjshme dhe duke mundësuar integrimin e tyre në ekonominë dhe qarkullimin financiar të ligjshëm.

Pas injektimeve të parave “cash” në llogaritë e kompanisë “A.. R.. H…” sh.p.k, me qëllim “justifikimin” e investimeve të ardhshme, në muajt Maj 2021 – Qershor 2021, rezulton se kompania “A.. R.. H…” sh.p.k, ka filluar aktivitetin e saj në sektorin e ndërtimit. Dyshohet se, për të mos tërhequr menjëherë vëmendjen nga strukturat ligjzbatuese, personi nën hetim I.A., orientoi që kompania të shfaqej fillimisht si nënkontraktore për ndërtim banesash. Shfaqja e kompanisë në këtë mënyrë, do të “justifikonte” sërish flukset e ardhshme të parave cash dhe shtrirjen e pritshme në sektorin e ndërtimit.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me çmime shumëfish më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale. Fondet janë qarkulluar përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmës së origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.438 datë 15.6.2026 ka vendosur masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, të parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale në lidhje me 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë të personave nën hetim, ku përfshihen pasuritë si më poshtë:

LISTA E KOMPANIVE TË SEKUESTRUARA
Pasuritë e shoqërisë “Aliu Road House” sh.p.k, me seli në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë, etj, në zotërim të personit nën hetim I.A, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete të kompanisë tregtare, të drejta reale ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
Pasuritë e shoqërisë “Green Invest shpk”, me seli qendrore në Tiranë dhe Fier në masën 50 % , të cilat i përkasin personit nën hetim I. A., duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
Pasuritë e shoqërisë “Seaview Development shpk” shpk, me seli qendrore në Hamallaj, Durrës, në masën 100 %, të cilat i përkasin personit nën hetim I. A., duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
Kuotat e shoqërisë “A.R.H. Security shpk, me seli qendrore në Tiranë dhe Elbasan në masën 100 %, të cilat i përkasin personit në hetim I. A., duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
Pasuritë e shoqërisë “Altea Contruksion shpk” sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
Pasuritë e shoqërisë “F$Xh invest shpk” sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
Pasuritë e shoqërisë “Altea Invest", sh.p.k, me seli qendrore në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
Kuotat e shoqërisë “S.T.N.P.M sha”, me seli qendrore në Tiranë, në masën 50 % , të cilat i përkasin ortakut Shpëtim Bibaj, Shoqërisë “A… – I…” duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë në masën 50 %; 
Kuotat e subjektit tregtar “Sh. B” Person Fizik, me seli qendrore në Tiranë në masën 100 %, të cilat i përkasin ortakut “SH. B.” duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
Pasuritë e subjektit tregtar “O …E. O…” PF, person fizik me seli qendrore në Elbasan duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

266 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Durrës, Elbasan, Hamallaj, Lezhë, Shkodër, Himarë, Sarandë, ndër të cilat mund të listojmë:

LISTA E PASURIVE TË PALUAJTSHME
121 pasuri të paluajtëshme, si vila , Apartamente, Duplexe,  parkime, etj. tek “Kompleksi multi-funksional turistik, rezidencial dhe komercial (Porto Lalzi/Lalzi Marina Seaside)”, me vendndoddhje në Hamallaj, Gjiri i Lalzit Durrës.
Strukturë funksion hoteleri 1,2,3,4 kate mbi tokë dhe 4 nëntokë, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë;
Sipërfaqen ndërtimore prej 2855 m2, në objektin 6 kate shërbimi e banimi ndodhur në Qerret Kavajë;
Objekti “Hotel Elisa Tirana”, afilated by Melia “Strukturë Hoteleri 2, 4, 5, 8 dhe 10 kat ne 3 kat nëntokë në adresë në rrugën e Dibrës” Tiranë
Vila në kompleksin Altrea Rezidence,. Tiranë;
Vile ne Diamond Hill;
Vila dhe njësi shërbimi në “Braca rezidencës Diamond Hill”, në Durrës;
Pasuri të paluajtëshme ne kompleksi rezidencial vilash në zonën e Mjull Bathores Tiranë, në “Astoria Residence;
32 apartament, 6 njësi tregtare /zyra dhe 52 parkime tek Godina e banimit dhe shërbime me 1,8, 9 dhe 34 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë me vendndodhje në rr. Xhanfize Keko, Tiranë;
2 objekte banimi 2 dhe 3 kate me 2 dhe 3 kate nëntokë (banim dhe parkim) me mur rrethues, rr. “Herman Gmainer”;
Disa pasuri të paluajtëshme në Godinë banimi dhe shërbime 2,5,7 dhe 9 kate me 2 kat parkim nëntokë” Rr. Ali Visha Njësia  2, Tiranë.
Automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura dhe mjete lundruese;
209 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.

Vlera totale e pasurive të sekuestruara dyshohet të jetë rreth 150 (njëqind e pesëdhjetë ) milionë euro. Gjatë hetimeve do të verifikohet vlera e saktë e pasurive të sekuestruara.

Më 16 Qershor 2026, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive kanë nisur procedurat për zbatimin e vendimit të sekuestrimit të pasurive të mësipërme.

SPAK falënderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara për bashkëpunimin e tyre në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë.

Mirënjohje e veçantë për Eurojust, Europol, autoritetet gjyqësore të Ekuadorit, Francës, Kolumbisë, Holandës, NCA dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese në Shqipëri, për bashkëpunimin intensiv dhe ndihmën në kuadër të hetimeve të këtij proçedimi penal.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:22
Kreu i organizatës kriminale të goditur nga SPAK, kush është Dritan Gjika, mafia shqiptare e trafikut të drogës në Ekuador

Dritan Gjika dyshohet si kreu i grupit kriminal të goditur së fundmi nga SPAK të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.  Ai konsiderohet si ‘koka’ e mafies shqiptare të trafikut të drogës në Ekuador. Ai është arrestuar në vitin 2025 në Abu Dhabi.

47-vjeçari Dritan Gjika, kishte mbërritur për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë vizitori të përkohshëm, sipas të dhënave të tij të migracionit. Ai u bë një nga personat më të kërkuar në vend, pasi udhëhiqte një organizatë kriminale që operonte si në Ekuador ashtu edhe në Spanjë, duke dërguar sasi të mëdha të substancave narkotike në vendet e Amerikës Qendrore dhe në Europë (në veçanti në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë).

Struktura kriminale që ai drejtonte përfshinte një nivel drejtues, logjistikë dhe bashkëpunëtorë që punonin në realizimin e këtyre veprave penale, me ndihmën e kompanive të ligjshme që përdornin për pastrimin e parave dhe fshehjen e veprimtarive tregtare e financiare, ndërsa akuzohen se pastruan mbi 43 mln dollarë të mafias shqiptare të kokainës.

Ora 14:12
Vila luksoze e kompani, çfarë iu sekuestrua grupit të Eldi Dizdarit dhe Dritan Gjikës! 150 mln euro pasuri

1781274597_spak.jpg

 

SPAK ka sekuestruar 150 mln euro pasuri të grupit kriminal të Eldi Dizdarit dhe Dritan Gjikës. Bëhet fjalë për kompani, vila luksoze e llogari bankare. Katër shoqëri rezultojnë në zotërim të një personi, Isa Aliu Aliu Road House me seli në disa qytete, Green Invest në Tiranë e Fier (50% të kuotave), Seavieu Development me seli në Hamallaj dhe A.R.H Security në Tiranë e Elbasan.

Kompanitë dhe vilat e vëna në sekuestro

-Aliu Road House shpk-Isa Aliu-

-Green Invest shpk

-Seavieë Development shpk

-A.R.H Security shpk

-Sekuestrohet një pjesë e kompleksit multifunksional turistik rezidencial dhe komercial (Porto Lalzi / Lalzi Marina Seaside) në Hamallaj, Gjiri I Lalzit, sipas marrëveshjes mes shoqërisë Sviluppo Mare 1 dhe shoqërisë Aliu Road House.

-Të gjitha të drejtat reale për pasuritë e paluajtshme që përftohen nga subjektet Seavieë Development, dhe Aliu Road House nëpërmjet aktit notarial kryerje punomesh për ndërtimin  e hotelit Zig-zag me 5 yje mbi 200 dhoma, në Jalë Himarë, për të cilën shoqëria Narvalno Group, shpk ka marrë përsipër bashkëfinancim në masën 40 për qind dhe nxjerrjen e lejes së ndërtimit nga AZHT.

-Të drejtat pasurore mbi pasuritë e paluajtshme të përftuara nga subjekti Altea Construksion në realizimin e punimeve për ndërtimin e një kompeksi rezidencial vilash në zonën e Mjull Bathores Tiranë, në projektin e quajtur Astoria rezidencë

-Subjekti tregtar Altea Contruksion shpk

-Subjekti tregtar F$Xh invest shpk

-Subjekti Altea Invest Shppk

-Subjekti tregtar S.T.N.P.M pjesën takuese të Shpëtim Bibaj

-Hotel Elisa Tirana, afilated by Melia

-Të gjithë pasuritë e paluajtshme të përftuara nga subjekti Altea Invest shpk, për ndërtimin e një objekt strukturë funksion hoteleri në Dhërmi.

Ora 14:00
SPAK godet grupin kriminal, kush është ‘koka’ Eldi Dizdari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge! Dyshohet se fshihet në Dubai

Eldi Dizdari alias Denis Matoshi është një prej eksponentëve më të kërkuar nga drejtësia i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Dizdari është i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe nga drejtësia italiane i cilësuar si  udhëheqës i grupit kriminal shqiptar (KOMPANIA BELLO) - një sindikatë transnacionale e krimit të organizuar e përfshirë në trafik droge dhe operacione kontrabande midis Amerikës së Jugut dhe Evropës me një vlerë prej 350 milion euro.

Ai është arrestuar në vitin 2020 pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane në kuadër të goditjes së grupit “Los Blancos”, të cilët trafikonin kokainë nga Ekuadori në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian, por më pas u lirua. Aktualisht dyshohet se Eldi Dizdari fshihet në Dubai, ndërsa SPAK ka lëshuar ndaj tij masën ‘arrest me burg’ i dyshuar si ‘koka’ e grupit kriminal të goditur së fundmi.