Fjala e Kryeministrit Edi Rama mbajtur në 90 vjetorin e krijimit të gjimnazit “Qemal Stafa” në kryeqytet:
 

Është privilegj që të jesh Kryeministër i Shqipërisë dhe të jesh i ftuar në një përvjetor të gjimnazit “Qemal Stafa”. Nuk është një gjimnaz si të gjithë të tjerët, por është gjimnazi i gjimnazeve të Shqipërisë.

E pikërisht, pse ky gjimnaz ka këtë peshë kaq të madhe në jetën arsimore të vendit tonë dhe nga ana tjetër pse është një privilegj kaq i madh që të jesh në një përvjetor si ky, unë preferova që të përgatitem me shkrim për të marrë një notë të arsyeshme nga audienca juaj.

Ka qenë një kohë në Shqipëri kur mungonte sistemi universitar. Pastaj erdhi një kohë në Shqipëri kur ai sistem që u ndërtua u shthur plotësisht në emër të fitimit, të përfitimit, të pangopësisë. Por, si në atë kohë, kur Shqipëria nuk kishte fare universitete, si në këtë kohën më vonë kur universitetet u shthurën, gjimnazi, shkolla e madhe e përbashkët e përfitimit të bazave të kulturës së përgjithshme, vijoi të qëndronte dëshmia e vetme e dëshirës dhe e vazhdimësisë për të dhënë një shërbim publik të mësimdhënies, për të transmetuar dijet dhe për të nxitur më të rinjtë drejt asaj që shkrimtari i madh Lion Feuchtëanger e ka quajtur “rruga e mundimshme drejt njohjes”.
Vërtet në vitet e paraluftës dhe në vitet që e pasuan menjëherë atë, Shqipëria nuk kishte asnjë universitet.

Por kush mund të thotë megjithatë, se Sokrati apo Nietzsche mësoheshin më mirë në universitetet e vendeve fqinj, sesa në mjediset e thjeshta të gjimnazit shtetëror të Tiranës. Kush mund ta mohojë se kultura klasike, filologjia dhe historia, përcilleshin me po aq përkushtim dhe po aq aftësi në liceun frëng dhe atë shtetëror të Korçës, se sa në Louis le Grand në Paris apo në Heaton College të Londrës.

Kush mund të dëshmojë sot kundër faktit se njerëz si Faik Konica, Migjeni apo vetë Qemal Stafa, e të tjerë me radhë, të cilët mësuan në gjimnazet shtetërore apo në ato papnore, françeskane apo ortodokse të Shkodrës, Manastirit apo gjetkë, u tjetërsuan duke u fuqizuar në talentet apo dhuntitë e tyre, sepse në bankat e shkollës së mesme morën një mori dijesh, njohën shkencat ekzakte, bashkë me kulturën fetare, mësuan retorikën dhe logjikën, pa përjashtuar estetikën e objekteve të kultit, skolastikën dhe metafizikën.

Prandaj, të dashur mësues e nxënës, të dashur miq, e them pa frikë se ndër institucionet e qëndrueshmërisë së bashkësisë shqiptare si e tillë, ju nxënësit dhe nxënëset, mësuesit dhe mësueset e “Qemal Stafës”, i përkisni atij që është më fatlumi dhe më i bekuari në traditë dhe në prestigj.

Jeni trashëgimtarë të atij gjimnazi shtetëror të kryeqytetit që i dha këtij vendi plot nga dritëmbajtësit e pakët, të cilët e udhëhoqën kulturën dhe arsimin gjatë periudhash të errëta dhe të vështira të përjetuara nga shoqëria jonë në shekullin që lamë pas, apo të cilët morën përgjegjësi të tjera, përgjegjësi të mëdha, në të gjitha fushat e jetës.
Po ashtu, janë dhe sivëllezërit dhe simotrat tuaja, gjimnazet, licetë dhe institucionet e tjera të arsimit të mesëm të kryeqytetit që i mbeten vazhdës së një dëshmie të përpjekjes së kësaj shoqërie dhe këtij vendi, nisur kohë më parë për të dhënë shërbim publik në arsim, duke dhënë dije dhe duke kalitur aftësi njohëse, mundësisht pa kompromis.

Profesorëve të shumtë dhe të panjohur si emra, nxënësve që kanë kaluar të panumërt duke lënë në muret, në klasat dhe në mjediset e tjera, sot të rrahur nga hapat e më të rinjve, kujtime e mbresa të pashlyeshme, shteti shqiptar dhe besoj kombi shqiptar, i ka një borxh të madh. Një borxh të pashlyeshëm ndaj atij që ishte gjimnazi shtetëror i Tiranës dhe që u bë më pas gjimnazi “Qemal Stafa”.

Mua më vjen sinqerisht shumë mirë që më në fund një projekt i nisur me shumë respekt për transformimin e gjimnazit “Qemal Stafa” që në kohën kur isha kryetar i Bashkisë së Tiranës, më në fund po finalizohet. E sot, mjediset e gjimnazit janë të denja për ambicien e vetë trupës të qeverisë sonë dhe shoqërisë sonë, jo vetëm të kryeqytetit, por dhe më gjerë, - për të ardhmen e gjimnazit “Qemal Stafa”.

Jam krenar që falë reformës shumë rrënjësore të teksteve, ky është viti kur në gjimnaze do të fillojë transformimi i madh i kalimit nga xhunglat e altertekstit tek tekstet e Pearson, Oxford dhe Cambridge. Në harkun e tre viteve, nxënësit dhe nxënëset e “Qemal Stafës”, ashtu si nxënësit dhe nxënëset e gjimnazeve të gjithë Shqipërisë do të marrin në të njëjtin burim si bashkëmoshatarët dhe bashkëmoshataret e tyre në Britaninë e Madhe dhe në shumë vende të tjera shumë më të përparuara të Europës, të gjithë bazën e dijeve që do t’i shërbejnë për të shkuar më tutje, pas përfundimit të gjimnazit.
 
Kjo është një periudhë që përkon edhe me reformën e gjimnazit. Me reformën e rëndësishme dhe po ashtu rrënjësore të të gjithë sistemit tonë të gjimnazit që si të gjitha aspektet e reformës në arsim, janë drejtuar me shumë vizion, me shumë përkushtim e mbi të gjitha me shumë durim nga Ministrja jonë e Arsimit në bashkëpunim me trupën e pedagogëve dhe padyshim edhe në komunikim me nxënësit.

Është një projektreformë që ka gjetur një mbështetje të rëndësishme dhe që tanimë po shkon drejt finalizimit ku, padyshim, përfituesit do të jeni përsëri ju, nxënësit dhe nxënëset e “Qemal Stafës”, ashtu si dhe nxënësit dhe nxënëset e të gjithë  gjimnazeve të Shqipërisë dhe nuk ka diskutim, edhe komuniteti i prindërve që investon ëndrrat, shpresat, të gjitha kursimet e veta për fëmijët që sot janë në bankat e gjimnazeve.

Ajo që vlen të nënvizohet është se “Qemal Stafa” është dhe një nga shembujt më të shkëlqyer të “Shkollës Qendër Komunitare”. Një dëshmi e vogël, por kuptimplotë u dha që në hapjen e kësaj feste ku valltarët dhe valltaret vinin drejtpërdrejtë nga shkolla e padyshim atë valle të përbashkët e kanë mësuar në shkollë. 
Në shumë aspekte të tjera programet e shkollës si qendër komunitare në gjimnazin “Qemal Stafa” kanë shumë për të dëshmuar e për të transmetuar, jo vetëm për komunitetin e shkollës, as thjesht vetëm për komunitetin e kësaj grupmoshe në të gjithë Shqipërinë, por mbi të gjitha për potencialin e madh që ka shkolla si bazë, jo thjesht për të ndërtuar themelet e dijeve, por dhe për të përgatitur qytetarët e denjë të së nesërmes.

U ndjeva shumë i emocionuar kur në hyrje, takova një idhull të fëmijërisë time, Agim Fagun, ish-nxënës i Qemal Stafës”. Një nga heronjtë e fëmijërisë tonë në atë kohë. Do ta nxisja drejtoreshën, bashkë me trupën që mos e linte pa shfrytëzuar atë çka Agim Fagu mund t’u japë sot nxënësve të “Qemal Stafës”.
Shumë nga ju jeni të vegjël, mund të mos e dini tamam për çka e kam fjalën, por mund t’u them vetëm kaq, që në atë kohë Agim Fagu e kishte kapacitetin të na impresiononte dhe të na bënte të ëndërronim kur ishim në moshën tuaj, siç mund t’ju impresionojë ju sot dhe t’ju bëjë të ëndërroni Coby Bryan dhe Michael Jordan, apo të tjerë. Ne atëherë nuk i kishim këta. Ju sot i keni.
 
Keni sot këtu midis jush një President të Republikës, një burrë të lartë dhe shumë të respektuar, i cili ka lënë një gjurmë të pashlyeshme për të gjithë ata që pas tij kanë ardhur apo do të vazhdojnë të vijnë në zyrën e Presidentit, nëse duan vërtet të jenë presidentë të të gjithëve dhe jo thjesht të jenë përfaqësues të një pale, - Presidentin Alfred Moisiu.
Nuk po vazhdoj gjatë sepse ju keni 75 Dëshmorë të Atdheut, keni mbi 20 “Mësues të Popullit” e me radhë. Llogariteni që këtu keni dhe një princ që s’ka studiuar në gjimnazin “Qemal Stafa”. Gjyshi i tij me Qemal Stafën ka pasur probleme të mëdha, por princi ka ardhur këtu për të kremtuar 90-vjetorin e gjimnazit “Qemal Stafa”.
Kështu që faleminderit që mua më latë të flas i pari, po realisht radha fillon nga Agim Fagu, shkon te Alfred Mosiu, vazhdon te princi që sot vjen të përqafojë Qemal Stafën e pastaj arrin te unë.

Të dashur miq, nxënës, nxënëse!
Ju jeni, flas për më të rinjtë, në moshën më të re, por gjimnazi sot është stërgjysh, 90 vjeç. Kjo do të thotë që sado moskokëçarës që ju të jeni, sidoqoftë muret e gjimnazit dhe hija e traditës, pesha e historisë, luajnë rolin e tyre dhe ju bëjnë të jeni pjesë e diçkaje që ju paraprin dhe që do të vazhdojë ndryshe nga rutina e një gjimnazi të zakonshëm, me emrat shumë të njohur, por edhe me shumë që mund të mos jenë të njohur po me siguri kanë bërë gjëra të admirueshme në jetën e tyre të cilat u kanë paraprirë dhe me emrat e atyre ndër ju që me siguri do të vazhdojnë të shkruhen në librin e madh të historisë së gjimnazit “Qemal Stafa”. Ju jeni pjese e një skuadre ëndrrash, që hodhi themelet e gjimnazit shtetëror të Tiranës dhe që sot është pikë referimi. Prandaj mbajeni me sa më shume nder dhe mundohuni t’i jepni sa më shumë nga vetja, një lavdie të madhe siç është lavdia e Qemal Stafës.

Është mbresëlënëse që në sallë ka shumë që nuk janë sot nxënës, që janë të moshave të ndryshme, çka do të thotë që i sjell këtu një ndjenjë përkatësie, ndaj një historie përpjekjesh, simbolesh, por edhe miqësish dhe eksperiencash nga më të ndryshmet, që në fund të ditës i bëjnë të gjithë sëbashku të jenë të “Qemal Stafës”. Ka qenë një betejë e madhe dikur në rrugët e Tiranës midis petroninasve dhe atyre të “Qemal Stafës”, apo atyre të “Ismail Qemalit”. Unë i përkisja kategorisë së dytë, se isha i Liceut Artistik, po ka qënë një betejë e cila i ka lënë gjurmët e veta në formën e krenarisë, për të qenë petronins, për të qënë i “Qemal Stafës”, për të qënë i “Ismail Qemalit” dhe kështu me radhë.

Besoj që kjo është edhe një mburojë që është garanci për gjithë trupën pedagogjike, dhe është edhe garanci për prindërit, kështu që këto gjimnaze me “Qemal Stafën” të parët, e kanë bërë de facto atë kreditimin formal dhe e kanë pasur de facto garën për të qenë të rankuar në sytë e publikut, prindërve, të mësuesve dhe nxënëseve.
Përshëndetja ime në fund është me dy fjalë nga ai që është emri i gjimnazit. “Drita e artë i ka depertue dy zemrat e lodhuna. Ndoshta kujtimi i çastit të pangurtë kur të frikshëm dhe dyshues,  bën për të parën herë premtimet e ambla. Ndoshta kujtimi i lodhjeve të shumta, i vërejtjeve të shpeshta që u kushtoi jeta. Nuk e di, ata qeshin, dritat e ndritshme të rrugës shkëlqejnë si shpresat djaloshare’”, - nga “Qortimet e Vjeshtës” së Qemal Stafës.

Unë desha t’ju uroj sëbashku me Qemal Stafën, që shpresat tuaja djaloshare të jenë dritë në rrugën tuaj dhe rruga juaj të çojë më tutje përpjekjen e madhe dhe të përbashkët për rimishërimin në realitet të një tradite të madhe që falë gjimnazit Qemal Stafa, i përket kombit mbarë dhe sot na sfidon të gjithëve për t’ia dalë që ta mbajmë si flamur në rrugën tonë të mundimshme drejtë njohjes.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet