Shumë faleminderit nga zemra për këtë pritje të jashtëzakonshme, që unë nuk e prisja, të them të drejtën. Dhe nuk e di a do ma vërë kush re që jam pa kravatë, se po ta dija që ishte kaq pritje e madhe, me siguri s’do kisha ardhur pa kravatë. Megjithatë, nuk besoj se kjo nuk na pengon që të ndajmë së bashku disa mendime në funksion të qëllimit të përbashkët. Qëllimi i përbashkët është që kush është milioner, të bëhet miliarder dhe kush s’ka punë, të ketë punë falë investimit të miliardave në funksion të rritjes së punësimit dhe të rritjes së mirëqenies.
Në radhë të parë dua ta falënderoj Ramiz Kelmendin, që u bë shtysa e parë e këtij evenimenti, që unë e quaj të jashtëzakonshëm. Duke qenë se një nga bastet e 300 ditëve të para të Qeverisë sonë ishte që me patjetër një investim nga Kosova të realizohej në Shqipëri, dëshiroj që t’ju ftoj të gjithëve të jeni prezent kur të çelim, përpara se të bëhen 300 ditë, investimin e madh të Ramiz Kelmendit në Shqipëri. Sigurisht, në rast se ju do ta pranoni ftesën, unë nuk ju ftoj që ju të vini dhe thjesht të duartrokisni kur të pritet shiriti. Nuk e di a e keni vënë re, por unë nuk pres shirita asnjëherë. Se mendoj që, nga njëra anë është e tepërt që Kryeministri të presi shiritat sikur i bën punët vetë dhe nga ana tjetër, kur pret shumë shirita del ters pastaj. Kështu që, ju ftoj jo për të prerë shiritin, por për të shfrytëzuar atë që rast, që me siguri do të vijë sipas zotimit të Ramizit, edhe falë shpejtësisë me të cilën ne po e vëmë në lëvizje investimin, deri në fund të qershorit. Kështu që do të mund të bëjmë një diskutim tjetër, atje në Shqipëri, për të çuar më tutje, jo vetëm shkëmbimin e mendimeve, por edhe masat konkrete që do të vazhdojmë të ndërmarrim pa pushim. Se Batoni e ndërpreu, iu duk shumë i gjatë prezantimi i Ramizit, por në fakt ai është prezantimi që ka pritur 20 vjet që të bëhet, se nuk ka pasur kush ta dëgjojë 20 vjet rresht. Besoj që koha e humbur është e mjaftueshme për t’i mbledhur gjithë çfarë mendimesh dhe eksperiencash janë akumuluar dhe për ti kthyer shpejtë në vendime.
Dua ta falënderoj edhe Arian Zekën, Drejtorin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, i cili në atë sa tha, la të kuptohej fare qartë se ajo që ka munguar dhe që duhet të ishte gjëja më e zakonshme, është komunikimi. Komunikimi mes atyre që janë krijuesit e vendeve të punës, mes atyre që janë krijuesit e mirëqenies, mes atyre që janë krijuesit e rritjes ekonomike, që janë njerëzit e biznesit dhe atyre që punë të vetme kanë të mos pengojnë krijimin e vendeve të punës, që janë politikanët. Nga ana tjetër, me siguri, i takon një falënderim i veçantë edhe kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, i cili me shumë të drejtë nënvizoi që shumë mirë që Qeveria e Shqipërisë, ashtu si Qeveria e Kosovës, por në këtë rast Qeveria e Shqipërisë flet për investitorë të huaj, por është shumë e rëndësishme që kjo të mos përjashtojë investitorët nga Kosova. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Unë mendoj që është diçka që ne së bashku duhet ta riparojmë një orë e më parë, humbjen e besimit mes jush, humbjen e besimit mes sipërmarrjes në Kosovë, ndaj Shqipërisë si një territor investimi, për shkak se ata që tentuan në fillim nuk patën mundësi të bëjnë suksesin e merituar për 1001 arsye. Dhe nga ana tjetër, unë dua sot t’ju them se Qeveria jonë ka marrë një masë që tani më është aktive, që për çdo investim prodhues vë në dispozicion terrenin me një qira vetëm për 1 Euro në vit. Kjo është lexuar si një përpjekje për të nxitur investimet e huaja. Është e tillë, por pa asnjë dyshim, jo vetëm nuk përjashton, por është një masë në dispozicionin e kujtdo nga ju, që do të vijë dhe të investojë në Shqipëri.
Dua të falënderoj edhe përfaqësuesin e Dhomës së Tregtisë, Beratin. Duke dëgjuar gjithë ato çfarë tha dhe duke dëgjuar gjithë ato që u thanë këtu, duke dëgjuar gjithë sa kam dëgjuar gjithë kësaj kohe lidhur me çfarë do të bëjmë bashkërisht mes Shqipërisë dhe Kosovës, mendoj se një gjë që mungon dhe duhet bërë është një Dhomë e Tregtisë Kombëtare. Kemi Dhomë gjermane, kemi Dhomë turke, kemi Dhomë austriake dhe i kemi të gjitha Dhomat, por një Dhomë të Tregtisë Kombëtare nuk e kemi. Një Dhomë që do të bashkojë në të njëjtën çati sipërmarrje shqiptare nga çdo pjesë e territorit të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të jetë pika e referimit për të dyja qeveritë. Të jetë pala që dialogun në emër të të gjitha Dhomave dhe në emër të të gjithëve për këto që flasim, do të ishte një instrument jashtëzakonisht i vlefshëm që këto takime të mos ishin as historike, as të rralla, por të ishin të rregullta. Ndërkohë ne, me shumë kënaqësi dhe nderim do të mirëprisnim në Këshillin Ekonomik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, ku janë të pranishëm Kryeministri, Ministri i Financave, Ministri i Ekonomisë, institucione financiare ndërkombëtare, Banka e Shqipërisë, disa përfaqësues të sipërmarrjes, edhe përfaqësinë e kësaj Dhome të Tregtisë Kombëtare. Sepse siç ia thashë sot Ramizit, siç ia thashë edhe më pas Shkëlqimit, për të bërë kombëtaren e futbollit na pengon FIFA dhe UEFA, por për të bërë kombëtaren e sipërmarrjes nuk na pengon askush dhe është vetëm faji jonë në qoftë se nuk e bëjmë, për të pasur sukses ekonomik në Shqipërisë dhe në Kosovë.
Me siguri, ne jemi në të njëjtat kushte, si në Shqipëri dhe si në Kosovë, në të gjithë hapësirën shqiptare, në kushtet kur njeriu që merret me biznes nuk është i vlerësuar sa duhet, në kushtet kur sipërmarrësi nuk është një model për fëmijët, nuk është një model për më të rinjtë, nuk është i vlerësuar siç vlerësohet një këngëtar, siç vlerësohet një artist, siç vlerësohet një sportist dhe për më tepër, siç vlerësohet janë politikan. Unë mendoj që kjo është një mangësi shumë e madhe e shoqërisë dhe e kulturës sonë. Është një mangësi shumë e madhe, sepse për shkak të së kaluarës dhe për shkaqe të tjera, ne e kemi kthyer figurën e sipërmarrësit në diçka që ka diçka që nuk shkon. Ndërkohë, që unë besoj se ne duhet të angazhohemi me të gjitha forcat që njeriun që ndërmerr iniciativë me idetë e tij, me kurajën e tij dhe që rrezikon ato që ka për të fituar më shumë, ta vendosim bashkë me të tjerët, bashkë këngëtarët, bashkë me sportistët, bashkë me artistët, bashkë me të gjithë njerëzit që janë shembull për t’ju treguar më të rinjve se rruga e sipërmarrjes është rruga e krijimit të mirëqenies, jo vetëm për vete por edhe për të tjerët. Se pa sipërmarrje nuk ka mirëqenie, nuk ka vende pune. Pa sipërmarrjen nuk ka të ardhura për ata të varfrit që ne themi se duam ti ndihmojmë. Të luftosh varfërinë duke i vendosur më të pasurit në cep është e pamundur. Të luftosh varfërinë duke luftuar më të pasurit sikur janë kriminelë, sikur janë njerëz që vjedhin gjithë kohës, sikur janë njerëz që duhet me patjetër të kenë bërë diçka të keqe ose njerëz të cilët përballë agjentëve tatimorë, agjentëve doganorë keqtrajtohen, është e pamundur. Është e pamundur që ne të shkojmë me shpejtësi përpara dhe të ndryshojmë situatën ekonomike dhe shoqërore në hapësirën tonë, në qoftë se nuk i japim një shtysë shumë të fortë morale, në radhë të parë, të gjithë atyre që merren me biznes, të gjithë atyre që investojnë paratë e tyre për të krijuar më shumë mirëqenies,, të gjithë atyre që paguajnë taksa, të gjithë atyre që mbajnë buxhetet tona, të gjithë atyre që janë shpresa reale për një hapësirë shqiptare, jo vetëm me më shumë punë, por edhe me më shumë shërbime, me më shumë arsim, me më shumë shëndetësi, me më shumë siguri e kështu me radhë. Ramiz Kelmendi e tha në mënyrën e tij se media i bën më shumë marketing muzikantëve por nuk na bën marketing ne, biznesit. Ndërkohë që kjo është më e thellë. Dhe unë besoj që ne bashkarisht dihet të luftojë për këtë. Sepse është e pamundur që vajzat dhe djemtë, më të rinjtë, synimin e tyre për të ardhmen ta kenë të lidhur me doemos me një punë në shtet, ta kenë të të lidhur me doemos me kërkesën që të marrin një rrogë shteti dhe të jenë të sigurt aty, kur nuk kanë mundësi të bëhen këngëtare apo të bëhen artistë. Jo! ne duhet të stimulojmë talentin e jashtëzakonshëm që kanë fëmijët shqiptarë, talentin e jashtëzakonshëm që kanë të rinjtë shqiptarë për tu marrë me biznes. Dhe e vërteta e madhe është se qoftë Kosovën, qoftë Shqipërinë, për vite të tëra i kanë mbajtur ata të cilët janë marrë me biznes jashtë kufijve. I kanë mbajtur ata të cilët janë nisur nga rrugë pa rrugë, kanë dalë nga shtëpi të varfëra, nuk kanë pasur as një baba të pasur, as një baba politikan, as një baba me një mbiemër me të cilin të hapnin dyert. Por ata kanë shkuar jashtë, kanë mësuar gjuhë të huaj, kanë filluar nga zeroja dhe pastaj janë bërë taksapagues në ato vende dhe janë bërë dhe njerëzit që kanë mbajtur në këmbë me të ardhurat e tyre familjet në Shqipëri, familjet në Kosovë. E si ka ndodhur kjo?! Ka ndodhur, sepse kudo ku kanë shkuar nuk kanë pasur rrugë tjetër, përveç rrugës së punës dhe rrugës së vënies në lëvizje të mendjes dhe të imagjinatës, për të arritur që tu ngjajnë të gjithë atyre biznesmenëve andej, që ditën e parë në atë vend mund t’u jenë dukur si “ufo” dhe si të paarritshëm. Pse mos ndodhë kjo në Shqipëri dhe në Kosovë? Pse mos të jetë kështu për të rinjtë këtu? E pra që të ndodhë kështu, ne duhet ti japim një rol të ri sipërmarrjes dhe duhet të ndërtojmë një rol të ri mes shtetit dhe sipërmarrjes. Që të ndodhë kështu ne duhet të arrijmë në ditën që asnjë polic, asnjë agjent tatimesh, asnjë punonjës dogane të mos guxojë që ti flasë biznesmenit sikur i ka jetën në dorë; të mos guxojë që të mbajë zvarrë një biznesmen për t’i nxjerrë me doemos ca lekë bakshish nga xhepi; të mos guxojë që të jetë aty thjesht dhe vetëm në shërbim.
E gjithë përpjekja jonë është që të gjithë doganat, tatimet dhe zyrat që janë në dispozicion të sipërmarrjes të vihen në shërbim të ekonomisë.
Dua po ashtu ta falënderojmë gjithë zemër edhe Mimozën, kryetaren e re të Komunës së Gjakovës, e cila sot gjeti kohën për të ndarë sëbashku disa projekte që ajo ka inicuar. Dhe kur e dëgjoja që fliste për projektet thosha fat i keq për qeverinë e Kosovës, fat i madh për komunën e Gjakovës, që Mimoza sot është aty në Komunë. Folëm bashkë për disa gjëra konkrete dhe këtu unë do të doja të kaloja në pjesën e dytë të fjalës time, që ka të bëjë me çfarë do të bëjmë konkretisht. Se në fund të fundit fjalë ju keni dëgjuar plot, por çfarë do të bëjmë konkretisht dhe si do të çojmë përpara me shpejtësi projektin e një hapësire të përbashkët të zhvillimit ekonomikë, e një hapësirë të përbashkët të sektorëve strategjikë, që janë strategjik për Shqipërinë, strategjikë për Kosovën dhe janë strategjikë për këtë hapësirë ku kufiri, sot, është në varësi nga ne, një kufi apo një mundësi. Dhe ne kemi detyrën që kufirin ta bëjmë mundësi. Morëm angazhimin që të heqim tatimin e dyfishtë. Dhe unë jam shumë krenar që në një kohë shumë të shkurtër, kthehem këtu në Kosovë dhe ju them që Qeveria jonë, javën e kaluar, e vendosi heqjen e tatimit të dyfishtë dhe pas disa ditësh, ministri ynë i Financave do të takohet me ministrin tuaj dhe do të firmosin bashkarisht heqjen e tatimit të dyfishtë dhe vazhdimin e punës së përbashkët për të shkuar mëtutje. Kemi vendosur po ashtu që të eliminojmë TVSH- në për librat, gazetat, revistat në gjithë marrëdhëniet e ndërsjella mes Shqipërisë dhe Kosovës. Unë e di që kur ju them që kemi hequr TVSH e gazetave ju do të thoni më mirë hiqni TVSH e patateve, por ne besojmë që shkëmbimi pa pengesa i çdo gjëje që është e shkruar shqip, libër revistë apo gazetë, në Shqipëri apo në Kosovë, është me një rëndësi të madhe për të dy anët e kufirit.
Nga ana tjetër, ne po e trajtojmë dhe javën e ardhshme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë do të futet skema e përjashtimit të TVSH për tubat e çelikut. Kjo është një kërkesë konkrete që na është drejtuar ne nga kompani tuajat, që e kanë pasur problem shumë të madh. Na është drejtuar ne! I është drejtuar Shqipërisë prej shumë vitesh. Ne e gjetëm aty, një mal me letra me kërkesa, me ankesa dhe kur parafytyron sesa shumë e kanë pësuar ata që s’kanë marrë përgjigje.... Se kur politikanët, qeveritarët apo shteti nuk kthen përgjigje nuk e pëson asnjë nga ata që nuk kthen përgjigje, por e pësojnë ata që nuk marrin përgjigje. Dhe ky ishte një ndryshim tjetër i madh dhe kjo është edhe arsyeja pse ne duhet të jemi në shërbimin tuaj. Se në fund të fundit, siç e thotë bukur një miku im biznesmen “po të shikosh sa sipërmarrës kanë pësuar infarkt gjithë këto vite dhe sa politikanë kanë pësuar infarkt, e kupton se kush realisht ka më shumë stres dhe kush realisht vuan më shumë nga puna. Se ju bëni politikë, por e bëni me lekët tona. Ndërsa ne bëjmë biznes, por humbim lekët tona, kur ju politikën se bëni mirë”. Nga ana tjetër, ne duam që të shkojmë më tutje dhe me siguri, ta bëjmë këtë me shpejtësi, me barrierat jo tarifore. Ka shumë barriera jo tarifore që janë një problem jashtëzakonisht shumë i madh.
Unë i jam shumë mirënjohës dhe këtu, kjo është e vërteta, gjithë personave të angazhuar si ministra në qeverinë e Kosovës për grupet e përbashkëta të punës që ne kemi ngritur pas mbledhjes së përbashkët të Prizrenit, sepse këto grupe po punojnë dhe po funksionojnë më së miri. Kemi një sistem ndjekjeje të punëve të përjavshme. Unë marr raport të përjavshëm nga çdo ministër për çfarë po bëhet, për të çuar përpara platformën e përafrimit në ato fusha që ne kemi përcaktuar bashkë me qeverinë e Kosovës. Grupi i përbashkët për eliminimin e barrierave jo tarifore, që janë një problem i madh për ju, por janë një problem i madh edhe për kompanitë apo sipërmarrësit shqiptarë që duan të vijnë në Kosovë, po punon për harmonizimin e legjislacionit dhe për gjithë shqetësimet e shprehura dypalëshe të komunitetit tuaj. I kemi marrë të gjitha me radhë. Në fund të muajit prill, Kosova dhe Shqipëria do bëjnë një vlerësim të përbashkët, do të jetë publik, i procedurave doganore. Do të përcaktojë një plan shumë të qartë për punën e mëtejshme të doganave reciproke. Të jesh në transit 4-5 ditë, sot, për të shkuar nga Durrësi në Prishtinë apo në Pejë apo në Gjakovë, do të thotë që ne jemi jo 4-5 ditë por 40-50- vjet mbrapa, me aty ku duhet të jemi. Ne duam që me çdo kusht të reduktojmë ditët e transitit në orë. Duam me çdo kusht që çdo kompanie që është edhe këtu edhe atje, t’ia bëjmë kufirin të padukshëm dhe praktikisht çdo kompani që është edhe këtu edhe atje, të jetojnë në të njëjtën hapësirë, pavarësisht se ka dy qeveri. Ky është qëllimi ynë. Kush prodhon në Kosovë, kush prodhon në Shqipëri, nuk duhet të ketë asnjë lloj kufiri. Madje besoj që kjo do të jetë nxitje që ju me milionat tuaja, kur doni ti hiqni vetes kufirin përfundimisht, në qoftë se prodhoni këtu, hajdeni prodhoni edhe në Shqipëri. Edhe ata të Shqipërisë të vijnë të prodhojnë edhe këtu. Për më tepër pastaj të prodhohet bashkërisht.
Në vizitën që bëra tek investimi shumë mbresëlënës i “Devolli Corporation”, Shkëlqimi më tha se “kemi një plan për të investuar në Shqipëri, por duam të jemi 50 me 50 me dikë në Shqipëri. Dhe duam, po ashtu, që dikush nga Shqipëria të vijë dhe të jetë me ne këtu 50 me 50”. Është një mesazh i jashtëzakonshëm, është një mesazh i shkëlqyer dhe në radhë të parë vlen për ne që merremi me politikë. Se ne e kemi më kollaj të punojmë 50 me 50, mjafton që të jemi të vendosur ta bëjmë këtë gjë. Se, e thamë njëherë, ne punojmë me lekët tuaja. Ndërsa të punoni ju 50 me 50 me lekët e njëri – tjetrit është pak më e ngatërruar dhe ju e dini vetë. Por mesazhi është shumë i qartë dhe unë e dëgjova shumë fort këtë mesazh.
Dua të vij pastaj tek sektorët strategjikë. Ne nuk kemi kohë për të humbur, siç humbëm shumë kohë për interkonjeksionin. E përmendi Bardhyli, si përfaqësues i Dhomës Gjermane të Tregtisë. Nuk mund të humbim kohë sepse jemi të detyruar të ecim shumë shpejtë, të dyja palët bashkë, për të garantuar sigurinë energjetike, sepse disponojmë burimet e mjaftueshme. Unë kur them disponojmë burimet e mjaftueshme, konsideroj se në qoftë se Shqipëria është vendi i dytë në Europë më i pasur me burime ujore, pas Norvegjisë, kjo pasuri është pasuri e juaja, është edhe pasuri e Kosovës. E kjo pasuri e madhe hidrike, ky potencial i madh hidrik duhet të jetë në dispozicion të Shqipërisë dhe të Kosovës, kur vjen puna tek prodhimi i energjisë. Ashtu sikundër, duhet të jemi komplementar, sepse ju keni një tjetër burim nga ku e prodhoni energjinë dhe ende më shumë akoma, ne duhet ta çojmë bashkërisht përpara projektin e fuqizimit të lidhjeve edhe me të tjerët në rajon. Unë isha me Kryeministrin e Rumanisë, javën e kaluar. Kemi pasur një dialog të vazhdueshëm, është një mik i mirë. U gëzova kur e pashë krejtësisht të bindur që Rumania duhet ta njohë Kosovën, por folëm edhe për energjinë. Ne kemi shumë mundësi që të kemi një projekt të përbashkët. Por ne kemi shumë mundësi dhe do ta bëjmë shpejt që të kemi një autoritet të përbashkët, Shqipëria dhe Kosova, të blerjes së energjisë, kur vjen puna për ta importuar energjinë. Sepse do të bëjmë dy gjëra; do ta importojmë në kohë, do ta importojmë më lirë dhe do ta importojmë shumë më pa siklete, sepse do të jetë shumë më e vështirë për të bërë korrupsion kur të jemi bashkë. Në kuptimin që do të jetë një mekanizëm shumë më transparent dhe shumë më garantues për shqetësimin e qytetarëve që të mos bëhet korrupsion. Ne e kemi vendosur këtë në axhendën tonë si një plan për tu realizuar. Nga ana tjetër, është absolutisht një bindje e thellë që unë e ndaj me Mimozën dhe e ndaj me shumë të tjerë, që oferta turistike e përbashkët e Shqipërisë dhe e Kosovës është shumë e fortë. Kur unë fillova punën gjeta ndër të tjera aty një projekt të sapo skicuar për një projekt për Alpet e Shqipërisë. Menjëherë thirra drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe i thashë që nuk ka kuptim që ne të bëjmë një projekt për Alpet e Shqipërisë dhe ky projekt të mos jetë një projekt i përbashkët me Kosovën. Nuk ka kuptim që ne të investojmë sado pak me fondet e donatorëve për këtë projekt dhe ky projekt të mbarojë në kufi, sepse kufiri nuk është kufi i Alpeve, është kufi që e kanë vënë njerëzit. Ne Alpet duhet ti trajtojmë bashkë dhe pastaj turistët e kalojnë kufirin vetë. Projektin po e bëjmë bashkërisht. Mimoza më foli për një projekt dhe ne do të përfshihemi direkt, të “ekozonë” dhe ne do të përfshihemi menjëherë midis një sërë zonash të Komunë së Gjakovës me një sërë zonash matanë kufirit. Një ekozonë që përbën një potencial shumë të madh zhvillimi për ato territore që ne e dimë që janë shumë të varfra. Natyrshëm e gjithë Kosova është e përqendruar në bregdet dhe shumë mirë që është e përqendruar në bregdet sepse malet i ka këtu. Por ne nuk duhet ta shohim zhvillimin tonë turistik me sytë tanë, ne duhet ta shohim me sytë e atyre që vijnë për ta vizituar nga vende të tjera Shqipërinë dhe Kosovën. Ne nuk mund të mbetemi skllevër të një periudhe vere dhe gjithë pjesën tjetër të mos kemi asnjë të ardhur nga turizmi, ndërkohë që kemi një potencial të jashtëzakonshëm turistik.
Dhe më tutje, bujqësia. Është e pamundur që ne të vazhdojmë të kemi situata në çdo zonë të Shqipërisë apo të Kosovës, ku një komunitet thotë ne do ti hedhim patatet, sepse janë më të lira ato që vijnë nga Kosova. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë mungesë informacioni. Kjo nuk ka lidhje me asgjë tjetër. Përgjigja nuk është të bllokojmë patatet e njëri - tjetrit në kufi, përgjigja është të informojmë dhe ti stimulojmë përmes politikash të përbashkëta të gjitha territoret, në mënyrë që të gjithë të mund të prodhojnë dhe të gjithë mund të jetojnë pa penguar njeri - tjetrit.
U zgjata që të më ndërpriste Batoni dhe mesa duket ia arrita qëllimit.
Megjithatë, jo për të ikur, por të për mbyllur atë pjesë që është me mediat, pastaj jam në dispozicionin për t’iu përgjigjur çdo pyetje që ju keni. Dua ta mbyll me këtë që politika dhe politikanët, sado qëllime të mira të kenë, sado vullnet të madh të kenë, nuk e kanë të mundur të bëjnë për biznesin atë që vetë biznesi mund të bëjë nëse dëgjohet nga politika dhe nëse mes politikës dhe biznesit ndërtohet një urë e komunikimit të interesit reciprok. Dhe interesi reciprok është shumë i qartë. Interesi juaj është që të fitoni më shumë dhe të fitosh më shumë nuk është mëkat, nuk është krim, nuk është absolutisht diçka e keqe, por duhet të jetë një nga arsyet e politikës që të bëjë që njerëzit të fitojnë më shumë. Interesi jonë është që duke ju bërë ju që të fitoni më shumë të keni me shumë të ardhura për të ndërtuar më shumë, çerdhe më shumë kopshte, më shumë shkolla, më shumë spitale, shërbime më të mira dhe mbi të gjitha përmes vënies së pasurisë tuaj në shërbim të investimeve për të luftuar varfërinë.
Dua ta mbyll aty ku e fillova, problemi ynë nuk mund të jenë kurrë të pasurit dhe nuk mund të jetë kurrë pasuria. Problemi ynë janë të varfrit dhe është varfëria. Që të varfrit të jenë më të pasur dhe që të ketë më pak varfëri, aleanca jonë me të pasurit, ata që pasurohen përmes punës së tyre, duhet të jetë gjithnjë e më e fortë, duhet të jetë partneriteti real strategjik mes atyre që me votat e njerëzve drejtojnë vendin dhe atyre që me lekët e tyre i bëjnë vend vetes në shoqëri. Dhe në atë vend ne duhet të hedhim dritën e respektit, dritën e admirimit, dritën e shembullit që duhet tu japim fëmijëve tanë për t’u thënë ja dhe një rrugë tjetër. Është rruga më e vështirë, është rruga më e rrezikshme, por në qoftë se doni të bëheni të pasur, kjo është rruga, merreni rrugën. Disa do të falimentojnë, disa do të ngelen rrugës, por me siguri kushdo që do të guxojë dhe do të insistojë do t’ia dalë siç ia keni dalë ju dhe unë përulem me shumë respekt.
Redaksia online