Fjala e kryeministrit Edi Rama në
mbrëmjen e organizuar në COD‏

Përshëndetje të gjithëve! Mirëserdhët!

Për mua është kënaqësi e dyfishtë edhe për faktin se dikur kam qenë pjesë e këtij komuniteti, megjithëse përpara shumëkujt prej jush ndjehem si në vështirësi sepse keni qenë të gjithë më të mirë se unë. Pavarësisht nga kjo, ka qenë privilegj që t’i përkas këtij komuniteti dhe e them këtë me shumë krenari.

Sot, është në fakt një ditë kur futbolli ka pushtuar gjithë mendjet, zemrat e shqiptarëve kudo ku janë dhe pavarësisht arritjes së madhe historike të Kombëtares, duhet thënë që ka qënë një herë, një kohë tjetër, kur ajo që sot duket si e zbrazur nga njerëzit dhe nga interesi, fusha e lojërave me dorë, ishte në fakt epiqendra e vëmendjes, kur vinte puna për tu përballur ndërkombëtarisht.

Ne sot këtu celebrojmë historinë e jashtëzakonshme të dy sportistëve që ishin flamurtarët e asaj përpjekjeje heroike të volejbollit shqiptar të meshkujve, që në kushte krejtësisht të pakrahasueshme me ato ku stërviteshin skuadrat e tjera, arriti në ato maja që profesor Xhela i përshkroi me përpikëri. Aq me përpikëri sa unë e lash fjalën që më kishin përgatitur me disa statistika  sepse isha i bindur që profesor Xhela do gjente ndonjë gabim në statistikat e bëra nga organizatorët me Këshilltar Gaz Çaçin. E përshëndes, ndoshta na ndjek e nuk është këtu, dhe besoj është këshilltari i parë në histori që këshillon për një aktivitet dhe nuk merr pjesë vetë. Por kjo është pjesë e të qenit Gaz Çaçi, kuptohet.

Ndërkohë që sot, sigurisht që njerëzit e mëdhenj të basketbollit dhe volejbollit, këtu të pranishëm ose të tjerë që nuk janë sot këtu, kanë të drejtë të ndjehen të prekur në sedër kur shikojnë kontrastin e madh që ekziston midis asaj që bënë dhe bëhet për futbollin dhe asaj që ndodh me lojërat me dorë. Besoj që ka shumë gjëra për të cilat mund të diskutohet mbi “pse”, “si”, etj, por është e sigurt që shembulli i Asllan Rusit dhe Dashamir Fagut dhe shembulli i “Dinamo”-s, i “Partizani”-t të jashtëzakonshëm të atyre viteve për meshkuj apo shembulli tjetër i jashtëzakonshëm i “Dinamo”-s së femrave, - shpresoj që mos i ngelet hatri pjesës të mëvonshme të “Dinamo”-s së meshkujve, - tregon që pavarësisht rëndësisë së madhe  që ka infrastruktura, në fund të ditës, edhe në një fushë me qymyr mund të bëhet histori. Është e habitshme se si në ato kushte, ato skuadra stërviteshin dhe arrinin që të preknin majat e Europës, duke u përballur me superfuqi. E faktikisht, nuk e di profesor Xhela, në qoftë se jam i saktë, por një gjysmëfinale u privua vetëm për faktin  se duhet të zhvillohej me CSKA-në e Moskës e për arsye politike, skuadra nuk e bëri gjysmëfinalen.

Ajo që dua të them është që ne po përpiqemi seriozisht të përmirësojmë infrastrukturën, jo vetëm të futbollit, por edhe të lojërave me dorë. Po përpiqemi që të përmirësojmë infrastrukturën, duke filluar që nga shkollat, sepse besoj që baza është aty, tek krijimi i hapësirave dhe i mundësive për më të vegjlit që mund të ushtrojnë aktivitet sportiv, por pa lënë pas dore dhe strukturat më serioze për nga përmasat dhe buxheti. Shpresoj që së shpejti të mbarojmë fazën e parë të parkut olimpik të Tiranës, ku faktikisht ish ngrehina e braktisur e  palestrës do të transformohet në një pallat të mirëfilltë sporti, edhe pse më të vogël sesa “Asllan Rusi” aktual.

E ndërkohë, me bashkinë e Tiranës po bashkëpunojmë intensivisht për të mundur të fillojmë dhe rindërtimin e pallatit të sportit “Asllan Rusi”.  Ashtu sikundër, besoj që nuk është pavlerë të thuhet që do t’i japim më në fund një strehë dinjitoze gjithë federatave të shumësportëshit, të cilat ju e dini më mirë se unë, kanë qënë të strehuara nëpër kthina dhe nëpër zyra krejtësisht jo dinjitoze,  e natyrisht jo për fajin e tyre, por për mungesë të plotë vëmendje. Po në të njëjtin vend, tek parku olimpik do të jetë dhe godina e Federatave dhe të gjitha federatat do të jenë aty sëbashku, por me kushte absolutisht dinjitoze për të zhvilluar aktivitetin e tyre.

Kujtimi i personazheve historikë si Asllan Rusi apo Dashamir Fagu ndihmon shumë. Ndihmon shumë për të kuptuar që në çdo lagje, në çdo bllok banimi në këtë vend mund të ketë të tjerë,  e me siguri ka, që mund të bëjnë diferencën e të shkëlqejnë në qiellin e sportit shqiptar e të volejbollit shqiptar të meshkujve apo femrave, por jemi ne që duhet t’i krijojmë sa më shumë kushte që sot kur kohët kanë ndryshuar, kur interesat kanë ndryshuar, kur të rinjtë janë shumë më pak të tërhequr nga sporti e  shumë më tepër të tërhequr nga Facebook-u, - të mund të motivohen për të provuar që të shkëlqejnë, siç kanë shkëlqyer ata, e siç kanë shkëlqyer shumë prej jush që janë këtu në këtë sallë.

Unë jam shumë mirënjohës për këtë moment që ju e bëtë të rëndësishëm me praninë tuaj, e po ashtu i jam shumë mirënjohës në mënyrë të posaçme Asllan Rusit.  Dashamir Fagun nuk e kam njohur, e kam parë nga larg si një sportist i madh, ndërsa Asllanin e kam  njohur bashkë me të vëllain sepse kemi qënë komshinj.

Më kujtohet edhe sot e gjallë përpara syve pamja e tij dhe stërvitjet e tij që bënte në oborrin e shkollës “Alqi Kondi” në atë kohë, që në 6 të mëngjesit. Më kujtohet dora. Kishte një dorë shumë të madhe që kur ma zgjaste e ma shtrëngonte e më thoshte, “hë mo çuni i Kristaqit. Mirë je ti? Ca bën?”

Ishte shumë impresionuese për mua dhe  ka lënë në gjurmë të thellë në kujtesën time të fëmijërisë, ashtu sikundër pastaj gjithë çfarë kam dëgjuar për të nga Iliri, nga Sokoli, që ishin në skuadrën tonë dhe kishin më shumë dijeni mbi atë që bënte. Pastaj më tutje, kur kemi punuar bashkë me profesor Kreshnikun, kam dëgjuar në mënyrë të detajuar episode dhe në mënyrë të veçantë mënyrën e të jetuarit të volejbollit nga ana e Asllanit.

Ju falënderoj dhe njëherë! Shpresoj që t’ia ketë vlejtur ky moment. E më vjen mirë që qëlloi kështu. Nuk është se e kishim planifikuar që do kishim marrë tre pikë sot, se nuk e kemi akoma atë kapacitet planifikimi, por më vjen shumë mirë që qëlloi pikërisht të nesërmen e ndeshjes së djeshme. Sepse sado e çuditshme mund t’ju duket shumë njerëzve që mund të na ndjekin tani që ne jemi në kulmin e ekstazës me futbollin, këta merren me dy volejbollistë që nuk jetojnë më, në fakt, është momenti i duhur për t’i nderuar e respektuar si njerëz që i dhanë kombit tonë, i dhanë Kombëtares tonë, i dhanë ngjyrave tona, në kushte tërësisht të tjera, në një kohë tërësisht tjetër dhe me privacione të paimagjinueshme për brezat e sotëm, - po atë dinjitet që kombëtarja po i jep sot Shqipërisë.

Dua të falënderoj me mirënjohje profesor Xhelën që është këtu i pranishëm. Jam i bindur që vazhdon të  bëjë ato 5 kilometrat, edhe pse me shpejtësi më të ulët ndoshta, por në këtë pikë, na lë mbrapa të gjithë ne të tjerëve, jam i sigurtë!

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre