Fjala e kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike 

Përshëndetje të gjithëve!

Është në fakt, një dëgjesë e veçantë po të kemi parasysh sesa e ndjeshme është ajo që kemi marrë përsipër, rruga e Lumit të Vlorës, një rrugë që nuk është thjesht një aks që prek një numër të caktuar zonash e fshatrash, por është edhe një aks i rëndësishëm shpirtëror e historik për këtë zonë. Ky është edhe projekti më i madh, i ri, i qeverisë shqiptare, i cili financohet nga e para tek e fundit. Siç e dini, na është dashur fillimisht të përballemi me një mal të madh borxhesh ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve, të cilat u kontraktuan nga qeveria shqiptare e mëparshme në mënyrë abuzive, për shkak se mungonin paratë, pra, u lidhën kontrata me idenë “hajde se t’i kam lekët”.

Përveç borxheve të mëdha që u akumuluan në këtë drejtim dhe sollën një situatë shumë dramatike në vitin 2013, ku kompanitë nuk kishim më fuqi të financonin vazhdimin e punëve, sepse bankat nuk kreditonin më kompani që kishin dorëzuar tek bankat si garanci kontratën me qeverinë, ne gjetëm edhe pjesën tjetër të problemit, që është vazhdimi i këtyre rrugëve “të lëna rrugëve”. Faktikisht, në gjithë këtë periudhë kemi financuar ndërtimin e 207 kilometrave rrugë të reja në rrugët e nisura më parë, pa buxhetin e nevojshëm dhe për më keq, në një tërësi pothuajse të plotë rastesh, me projekte absolutisht jashtë çdo lloj standardi.

Kjo që bëhet sot, këtu, është edhe një standard i ri që ne e kemi vendosur. Një standard për të kërkuar që në projekt maksimumin, jo thjesht duke zbatuar të gjitha kërkesat e ligjit, por për të garantuar që me fillimin e punimeve nuk ka surpriza, si surpriza e rëndë që patëm në aksin Tiranë-Elbasan, ku për shkak se kontrata u lidh symbyllur e puna nisi me nxitim për qëllime elektorale dhe projekti ishte i mangët që nga ana gjeologjike, u përballëm me disa rrëshqitje të rënda dheu, që kanë shkaktuar një problem të madh, jo vetëm për përfundimin e punimeve sipas standardeve, por edhe nga pikëpamja financiare, ku na është dashur të financojmë e të kërkojmë burime të reja financimi për të përmbyllur projektin.

Kështu që në këtë aspekt, unë besoj se kjo dëgjesë nënvizon faktin që ne i kemi dhënë një rëndësi shumë të veçantë kësaj zone dhe këtij aksi. Është një aks shumë i rëndësishëm për zonën, për gjithë jugperëndimin e Shqipërisë dhe është një aks që nuk do të sjellë thjesht lidhjen me rrugë të standardeve europiane të atyre që banojnë në këtë zonë, por do të sjellë një impakt të rëndësishëm ekonomik e social për të gjithë qarkun e Vlorës.

Faktikisht, disa nga ju janë dëshmitarë, - siç është miku im Mezan Malaj që është një nga sponsorët më pasionantë për të ndërtuar këtë rrugë sepse i duhet të shkojë rregullisht në fshatin e tij dhe gjithmonë e më shpesh në fakt, mesa jam i informuar, - për gjendjen shumë të rëndë që është sot rruga.

Edhe unë vet kam patur rastin ta përshkoj bashkë me deputetin, (me Fatmirin) dhe faktikisht është realisht një jo rrugë, por një shteg i mbushur me gropa ku aksesi në shërbime i të gjithë banorëve është minimal. Ka dhe një të dhënë tjetër që është shumë domethënëse se çfarë ndikimi të rënde ka patur braktisja e këtyre territoreve nga shteti dhe nga çdo kujdes shtetëror që është numri dy herë më i madh i analfabetëve në këtë zonë, se sa mesatarja e qarkut të Vlorës. Pra aksesi në shkollim është minimal. E po ashtu vetvetiu mesatarja e atyre që kryejnë studimet e larta nga ajo zonë është më e ulët. Është një shembull se si një braktisje e plotë e territorit, nga ana e shtetit, e një territori  ku lindin fëmijë, ku krijohen familje, ku zhvillohet jetë komunitare mund të sjell pasoja, jo vetëm në burimet  natyrore, por edhe ne burimet njerëzore, kur në fakt nga pikëpamja gjeografike, bëhet fjalë për një zonë që është shumë afër qytetit të Vlorës dhe bregut të detit.

Faktikisht, ne do të rindërtojmë nga e para sepse siç e tha dhe inxhinieri ka disa pjesë ku rruga as nuk mund të thuhet se ekziston, por ku është vetëm gjurma e vjetër e saj, ose në disa raste nuk ka as gjurmë, sepse qëllimi është për të bërë një lidhje përfundimtare dhe jo thjesht mes fshatrave të Vlorës, por edhe mes Vlorës dhe Himarës,  duke i krijuar mundësi edhe banorëve të Tepelenës apo edhe turistëve që vijnë nga ana tjetër e Shqipërisë, nga Gjirokastra dhe Tepelena për të patur një akses më të shpejtë në bregdet.  Pra bëhet fjalë për një rrugë 100 km, absolutisht të re që do ti japë Vlorës një zonë të re turistike, pra një hapësire të re turistike dhe një hapësirë të re zhvillimi në funksion të turizmit dhe padyshim dhe të bujqësisë dhe të blegtorisë, duke mundësuar një dalje direkte dhe të shpejtë të produkteve në tregun vendas apo dhe në tregun e huaj për eksport, gjë që po ndodh në mënyrë gjithmonë e më intensive në shumë zona të vendit, ku ne i kemi dhënë një rëndësi të veçantë zhvillimit në fshat, duke stimuluar ngritjen e pikave të grumbullimit apo të industrisë përpunuese të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.

Nga ana tjetër, sigurisht që kjo rrugë krijon parakushtin për të kaluar nga bujqësia e mbijetesës, pra nga prodhimi për të mbajtur frymën gjallë të vetë familjeve të izoluara në ato territore, në një ekonomi rurale të diversifikuar, ku nuk ka asnjë diskutim që do të krijohet një akses normal për shërbimin shëndetësor, edhe për shërbimin mësimor dhe për shërbimet e tjera.

Rruga do të ndërtohet me disa segmente të ndara, por kjo nuk do të thotë që do të ndërtohen segmentet njëri pas tjetrit në një distancë kohore të madhe. Faktikisht, segmenti i parë i rrugës që një vlerë rreth 40 % të gjithë projektit, është ai që do të lidhë bypass-in në ndërtim të Vlorës me aksin e urës së Peshkopisë, Gjormit, Kuçit, nga ku bëhet dhe lidhja me bregdetin e Qeparoit. Kjo pjese e parë e rrugës do të fillojë punë në terren, në fillim të vjeshtës sapo të kryhen të gjitha procedurat e garës për kompaninë apo kompanitë që do të marrin përsipër ndërtimin. Pjesa e dytë e rrugës nga Gjormi, deri tek Ura e Laskos në Qeparo gjithashtu do të fillojë brenda këtij viti, pra pak më e shtyrë në kohë, por brenda këtij viti. Qëllimi është që të kemi sa më shpejt, një segment që të krijojë korridorin e ri lidhës mes pjesës së brendshme të Vlorës me gjithë Bregun e Jonit. E faktikisht, me këto 2 segmente, ne e krijojmë këtë korridor lidhës. Një korridor i sigurt, më i shpejtë dhe lehtësisht i përshkueshëm, që jam i bindur, për shkak se kam parë edhe studimin e realizueshmërisë që ka bërë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me autoritetin rrugor, për të pasur aksesin në financimin e huaj për këtë vepër, që rruga do të bëhet shumë më e preferueshme sesa vetë rruga e qafës së Llogarasë, për ata që do të jenë turistë, të cilët do të duan të shkojnë përtej Dhërmiut.

Ne po punojmë dhe jemi në fazën e negocimit për të siguruar financimin edhe për segmentin e tretë, që është ura e Peshkopisë-Selenicë dhe që lidh me urën mbi Vjosë, këtë zonë me autostradën Levan - Tepelenë, për të çelur një korridor të ri që të krijojë një lidhje alternative shumë më të shpejtë me bregun e Himarës, duke filluar jo më thjesht nga Vlora, por nga autostrada Levan - Tepelenë.

 

Ajo që parasheh studimi i realizueshmërisë është që nga rehabilitimi i plotë dhe ndërtimi përfundimtar i këtij aksi do të kemi një rritje mesatare të fluksit të njerëzve dhe të mallrave me mbi 4% në vit, në të gjithë vendin. Nëse e shikojmë edhe në një pamje më të gjerë, bëhet fjalë për një investim strategjik të rëndësishëm, që i jep përmes impaktit që sjell në gjithë zonën, impakt edhe ekonomisë sonë kombëtare.

Ndërkohë, paralelisht do të vazhdojmë punën me bypass-in e Vlorës, ku përsëri kemi ndeshur atë që kemi ndeshur në çdo projekt të trashëguar; Një projekt pa studim të mirëfilltë, një projekt “ec se e shohim rrugës” dhe një projekt ku problematikat që lidhen me garantimin e shpronësimeve dhe me garantimin e ecurisë së punimeve janë ditë për ditë. Megjithatë, tani puna është vënë në vijë dhe ritmet janë më pranë atyre që ne dëshirojmë.

Ndërkohë, siç e kemi parë dhe jemi dëshmitarë, po ecën shumë mirë puna edhe për rehabilitimin e plotë dhe thellimin e portit të Vlorës, një investim shumë i rëndësishëm, që e gjetëm gjithashtu plotësisht të ngecur e me 1001 historia të çuditshme. Ajo që ka rëndësi është që për herë të parë do të bëhet e mundur që në Portin e Vlorës të fillojë ankorimi i kryqëzorëve turistikë dhe i anijeve të mëdha tregtare. Pra, rritja e kapacitetit është shumë e konsiderueshme. Ndërkohë, ne po diskutojmë me një ekip inxhinierësh italianë, që kanë marrë pjesë në projektimin e kësaj faze, mundësinë e një faze të tretë për të rritur kapacitetin dhe për ta kthyer përfundimisht Portin e Vlorës, në një port me një potencial të madh për ankorimin e anijeve të mëdha turistike dhe tregtare, njëkohësisht, edhe në një zonë të posaçme ku mund të ankorohen edhe jahtet.

Nga ana tjetër, mbyllja e projektit të unazës energjetike të jugut na ka sjellë në një situatë të re, për të zgjidhur përfundimisht problemin e furnizimit me energji elektrike në gjithë zonën e jugut të vendit në vitin 2017, pasi na duhet edhe ndërtimi i 2 nënstacioneve të rëndësishme dhe i disa pjesëve që lidhen me Unazën Energjetike. Edhe pse që këtë sezon do të ndihet një përmirësim i konsiderueshëm i furnizimit me energji, vitin e ardhshëm furnizimi me energji do të jetë përfundimisht cilësor për të gjithë këtë territor.

Po ashtu janë 136 projekte më të vogla në masterplanin e zhvillimit të zonës së bregdetit, ku përfshihen rrugë të vogla, - të vogla në krahasim me këtë për të cilën jemi mbledhur, - urbane dhe rurale, përfshihen ujësjellës dhe kanalizime, projekte të rikualifikimit urban, shkolla, qendra komunitare, kanale ujitëse dhe kulluese në sektorin bujqësor e me radhë. 

Nuk po përsëris projektin e Lungomares, i cili po ecën me ritme më të mira, por jo aq sa duhet të eci. Gjithsesi shpresoj që kompania të arrijë të përmbushë objektivin që ne kemi vënë, për të pasur një situatë krejt tjetër në sezon dhe për të mbyllur punimet përsa i përket gjithë pjesës që ka të bëjë me anën e bregut.

Ndërkohë që paralelisht me punën që ka filluar në Himarë dhe në Qeparo për rikualifikimin urban të dy qendrave që janë poshtë në Breg, ne do të fillojmë me Vunion dhe me Dhërmiun. Nesër jemi faktikisht në Vuno, për të parë projektin që do të rehabilitojë Vunoin dhe Dhërmiun e vjetër, si dy perla të Bregut, që kanë nevojë për një investim të rëndësishëm që të kthehen në dy instrumente të tjerë të zhvillimit të turizmit në zonën e Bregut.  

Është një paketë investimesh shumë ambicioze, ku po të përfshijmë edhe investimet e filluara apo në fillim e sipër brenda në qytet, që nga vazhdimi i punës për rrugën Transballkanike, tanimë jo vetëm në hyrje - më në fund do kemi një lidhje direkte të autostradës me Vlorën dhe nuk është më xhepi falco që ishte deri para 2 vitesh, që duhet të futeshe si fshehurazi në qytet dhe jo sikur hyje në një qytet kaq të rëndësishëm mesdhetar - me rrugën “Dhimitër Konomi” që do të krijojë një imazh, por edhe një lehtësi të domosdoshme për të bërë kalimin paralel të qytetit, sidomos në periudhën e pikut, me rrugën e Poliklinikës dhe disa investime të tjera, besoj që jemi duke bërë punën e duhur për Vlorën.

E di që sado punë të bëjmë ne për Vlorën, vlonjatët nuk do të jenë asnjëherë aq të kënaqur, sa të bien rehat e të mos nxjerrin bishta, se po të mos ishin njerëz që nxirrnin bishta, nuk do të kishin bërë historinë në këtë vend, por ajo që na takon dhe që më takon mua si deputet i Vlorës, është që ne t’u qëndrojmë deri në fund të gjitha zotimeve të bëra. E di shumë mirë që pjesa më e vështirë është pjesa e vetë qytetit, sepse qyteti është shumë i traumatizuar nga pikëpamja e infrastrukturës. Rrugët e brendshme dhe situatat brenda lagjeve janë ato që janë dhe që nuk ka nevojë t’i përsërisim, sepse vetëm rrotullojmë thikën në plagë.

Po bëhet një punë shumë e mirë për të pastruar pas 20 e kusur vitesh kanalizimet e qytetit, për të shmangur situata katastrofike si ato që ndeshëm disa kohë më parë, për shkak të bllokimit të plotë të të gjithë kanalizimeve. Me të mbaruar me këto akse kryesore, vitin e ardhshëm dhe në periudhën në vijim do të jemi në gjendje që të merremi shumë nga afër edhe me zonat më brenda qytetit.

I kam parë me vëmendje dhe i kam mësuar përmendësh në fakt, zotimet që kam bërë këtu në Vlorë dhe besoj që deri vitin e ardhshëm do të jem në gjendje, bashkë me miqtë, kolegët dhe gjithë ekipin tonë, që të dalim ballëhapur përpara vlonjatëve, jo për faktin që punët në Vlorë mbaruan, por për faktin se çfarë morëm përsipër, treguam se e bëjmë dhe se do të vazhdojmë ta bëjmë me një përkushtim dhe  seriozitet të madh, siç i ka hije marrëdhënieve me Vlorën. Sepse nuk ka dalë kot në Vlorë, ajo fjala që thotë: “Detit i ka hije vala, burrit i ka hije fjala”.

Shumë faleminderit!   

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Shkëlzeni po na tregon, kush nuk ka qenë në takim