Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e recetës elektronike

Shumë faleminderit për këtë takim dhe shumë faleminderit të gjithëve ju për përfshirjen në këtë projekt të rëndësishëm. Një projekt pilot që i hap rrugën njëtransformimi rrënjësor, qoftë për të siguruar shpejtësi në shërbimin ndaj njerëzve në nevojë për kujdes shëndetësor, qoftë për të siguruar transparencë në administrimin e fondeve në shërbim të kujdesit shëndetësor. Po ashtu edhe për të mbyllur një kapitull 20 e kusur vjeçar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve të rimbursimit, qoftë për të garantuar një proces edukimi në vazhdim, siç dëshmoi edhe prania e tre profesorëve të nderuar, që bënë disa konkluzione bazuar në këtë projekt. E jo vetëm edukimi në vazhdim, por edhe për të pasur një pamje sa më të plotë të problematikave dhe të nevojave.

 Një miku im i fëmijërisë që quhej Vinsent van Gogh thoshte se gjërat e mëdha realizohen nga një seri e gjërave të vogla, të mbledhura me durim së bashku. Faktikisht, kjo është ajo që po ndodh në gjithë procesin e realizimit një pas një të gjërave të vogla, në kantierin e madh të reformës në shëndetësi. Sigurisht që është një reformë jashtëzakonisht komplekse, në një sektor jashtëzakonisht delikat, pasi ndryshe nga të gjithë sektorët e tjerë është një sektor që e prek fizikisht dhe shpirtërisht jo vetëm njeriun që ka nevojë për përkujdes shëndetësor, por edhe gjithë rrethin e tij familjar dhe shoqëror. Për këtë arsye, ne besojmë që të gjitha këto hapa, disa më të përshpejtuar, disa më të avashtë, por brenda një arkitekture komplekse, të mirëpërcaktuar, të rimëkëmbjes së sistemit, do të bëjmë të mundur që hap pas hapi, njerëzit ta ndiejnë dhe ta prekin vetë ndryshimin, siç ka ndodhur me të gjithë ata pacientë në këtë territor ku është aplikuar projekti pilot i recetës elektronike, e cila në harkun e këtij viti do të shtrihet në të gjithë territorin, e kombinuar me një hap tjetër shumë të rëndësishëm, që është shërbimi falas tek mjeku i familjes.

 Kemi predikuar që në krye të herës, domosdoshmërinë për të pasur një shërbim shëndetësor universal, atë që e kemi quajtur shëndetësia falas, pra, shëndetësia si një shërbim që i ofrohet të gjithëve, pavarësisht nëse kanë apo nuk kanë fuqi që ta blejnë atë shërbim. Por ajo që shpesh herë nuk kuptohet, apo rëndom keqinterpretohet, diku pa dashje, diku me qëllim, është se ky është një vizion që kërkon reformë tërësore dhe masa shumë komplekse për t’u materializuar dhe për t’u kthyer në një sistem. Nëse do të ishte aq e lehtë, sa të mjaftonte që të votohej dhe të zgjidhej një qeveri që ka marrë përsipër ta bëjë dhe të nesërmen, shëndetësia falas të ishte realitet, do ta kishin bërë të gjithë dhe do ta kishin bërë menjëherë. Pikërisht se nuk është as e lehtë dhe as e bëshme menjëherë, është një proces që kërkon një reformë shumë komplekse.  Pjesë e kësaj reforme komplekse është përdorimi shumë i zgjeruar i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, gjë për të cilën nën drejtimin e ministrit, Ministria e Shëndetësisë ka filluar punën që në ditën e parë.

 Pse na duhet një sistem i zgjeruar i teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, për të garantuar shëndetësinë falas? Sepse na duhet një panoramë shumë e qartë e problematikave dhe nevojave, të bazuara drejtpërdrejtë në statistika të vërteta të sëmundshmërisë dhe të llojeve të sëmundje, sipas kategorive dhe sipas statistikave, për të kostuar të gjithë procesin, që ta transformojmë atë në një proces të parashikueshëm.

 Faktikisht, duke filluar nga programi i shëndetësisë elektronike, i cili është financuar dhe është duke u zhvilluar, nënshkrimi elektronik, i cili është financuar dhe është duke u zhvilluar si program; receta elektronike, që është financuar dhe është duke u zhvilluar, siç e keni parë ju këtu në Durrës si program; ekzaminimi elektronik që është financuar dhe është duke u zhvilluar; sistemi i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, që është një nga pjesët nevralgjike të gjithë këtij sistemi elektronik, i cili është financuar dhe po zhvillohet; sistemi online i raportimit të informacionit shëndetësor dhe i monitorimit të indikatorëve të performancës së sistemit shëndetësor, që është financuar dhe është duke u zhvilluar, kemi një pamje të qartë të këtij aspekti të kantierit, por sigurisht që është një punë në vazhdim që do të kërkojë kohën e vetë, siç kërkoi edhe pilotimi i recetës elektronike kohën e vet, për t’u kolauduar dhe pastaj për t’u futur në punë me orë të plota si sistem.

 Gjithë çfarë po flasim këtu janë risi, të cilat janë futur në këtë kantier vetëm dy vjet më parë, si nevojë për t’u kthyer në risi me të cilat mjekët të mund të japin një shërbim shumë më të mirë dhe njerëzit në nevojë të marrin një shërbim shumë më të mirë. Dy vjet më parë, ne e nisëm jo nga një kantier ku puna kishte filluar, por nga një gropë ku kishim 40 milionë dollarë borxhe të pashlyera për shërbimet bazë, për furnizimin me ilaçe të spitaleve. Me spitale ku njerëzit rrinin varur nëpër hekura, me receta nëpër duar, në pamundësi për të marrë shërbimin minimal, sepse nuk pranonin më kontraktorët të furnizonin më tutje spitalet, pasi ishin mbledhur mal, paratë që shteti u kishte borxh për ilaçet që u kishte marrë. E jo vetëm ilaçet, por edhe shërbime të tjera të të tretëve, që praktikisht ishin në kolaps të plotë.

Ne i shlyem borxhet. 40 milionë dollarë borxhe, me të cilat mund të kishim bërë dyfishin, trefishin, apo shumëfishin e investimeve që kemi bërë, në rast se nuk do t’i kishim shlyer si borxhe, për atë që po flasim këtu, për sistemin e shëndetësisë dhe të kujdesit shëndetësor elektronik. I shlyem borxhet, sepse nuk mundet dot të vazhdonim të silleshim si një shtet i papërgjegjshëm, të rëndonim deri në mbytje, anijet e sipërmarrjes private që sillnin shërbime dhe materiale bazë, për të bërë të funksionojë sistemi shëndetësor dhe faktikisht të mbyteshim të gjithë bashkë, bashkë me ato borxhe.

 Nga ana tjetër është folur nga profesionistët prej vitesh, është tentuar vazhdimisht nga të gjitha grupet e interesit brenda sistemit që të kishte më shumë fokus, qoftë në hartimin e politikave, qoftë në procesin e qeverisjes së sistemit, tek parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve, gjëja më normale që bën çdo shtet normal dhe i përgjegjshëm. Por asnjëherë, askush nuk donte të qëndronte një moment, të merrte frymë dhe të thoshte: Të financojmë më shumë për parandalimin, të bëjmë më shumë për diagnostikimin e hershëm, në mënyrë që të kursejmë pastaj, kostot që na vijnë nga mungesa e parandalimit dhe nga mungesa e diagnostikimit të hershëm.

 Është parë kështu, sepse gjithmonë është menduar, jo vetëm në këtë sektor, por në të gjithë sektorët, më mirë një vezë sot se një pulë mot. Me teorinë më mirë një vezë sot se një pulë mot, qeveritë asnjëherë nuk kanë menduar për pulën mot, por kanë menduar për votën që do të sjellë veza sot dhe ia kanë lënë vazhdimisht tjetrit, e tjetrit më mbrapa, që të merret me malin e problemeve. Probleme që vit pas viti është bërë një vargmal problemesh, në mungesë të reformave dhe në mungesë të operacioneve të domosdoshme, që po të ishin bërë kohë më parë, sot, Shqipëria, sektorët dhe vetë shëndetësia do të ishin në një situatë krejt tjetër.

 Sot jemi 20 e kusur vite mbasi ka filluar një proces i ndërtimit të një shteti modern demokratik dhe paguajmë faturën e reformave të pandërmarra, atëherë kur duhet të kishin filluar. Prandaj reformat që ne bëjmë sot, edhe reforma komplekse në sistemin e shëndetësisë, nuk është thjesht që të bëjmë diçka sot dhe të kapim rezultatin sot për sot dhe të garantojmë pushtetin e sotëm, por është të përcaktojmë një rrugë që definon fizionominë e shtetit dhe cilësinë e shërbimeve të shtetit ndaj qytetarit për 20 vitet e ardhshme.

 20 vite kaluan shumë shpejt. Edhe 20 të tjera do të kalojnë edhe më shpejt, sidomos për mua edhe kryetarin e Bashkisë, Vangjush Dakon, që nuk jemi më të rinj që na mjaftonin Beatles dhe Rolling Stones. Por çka mësuam nga historia duhet të na vlejë si mësim, për të kuptuar se përgjegjshmëria ndaj njerëzve që na besojnë dhe shpërblimi i besimit të tyre të vërtetë është që të bëjmë punët e mira që mund të kenë duk menjëherë, por mund të kenë duk edhe më vonë, por që pa i bërë asnjëherë, nuk marrim, ose nuk u japim njerëzve atë për të cilën ata investojnë dhe shpresojnë.

 Faktikisht, sot, për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm, ne jemi angazhuar në një proces që bëhet për herë të parë pas kaq shumë vitesh dhe që sulmohet në mënyrën më primitive, më barbare dhe më injorante, që është kontrolli mjekësor falas për grupmoshën 40 dhe 65 vjeç. Sikur të kishim pasur mundësi financiare më të mëdha do ta kishim shtrirë harkun e kësaj grupmoshe edhe më herët, duke pasur parasysh që një sërë sëmundjesh i japim shenjat e tyre edhe më herët. Në konsultim me specialistët dhe duke u bazuar në mundësitë tona financiare, kemi vendosur kontrollin mjekësor falas për një grupmoshë ku është edhe shfaqja më intensive e shenjave të para dhe ku zhvillohet dhe lufta më intensive për të parandaluar përshkallëzimin e sëmundjeve, përmes diagnostikimit të hershëm të tyre.  Faktikisht, rezultatet që po marrim si informacion janë shumë të rëndësishme për sëmundjet e zemrës, për sëmundjet tumorale, për diabetin, për sëmundjet e mushkërive, të veshkave, apo edhe për sëmundje të tjera jo të transmetueshme.

 Për herë të parë pas kaq shumë vitesh, ky shtet po krijon një bazë të dhënash që do t’i shërbejë për politikëbërje dhe për të racionalizuar deri edhe qindarkën e fundit, në shpenzimet që bën për kujdesin shëndetësor, por do të bëjë të mundur gjithashtu që të ndërveprojë me njerëzit, për të lehtësuar betejat e tyre me sëmundjet, duke i kapur ato në një fazë pak të avancuar dhe duke bërë diagnostikim të hershëm të tyre.

 Janë jo pak, por 870 mijë persona që kanë të drejtë të përfitojnë kontrollin pa pagesë. Në vitin 2016, bazuar në eksperiencën fillestare, jo të përsosur, por absolutisht pozitive të vitit të parë, vlerësohet se janë më shumë se 40 mijë vetë që do ta përfitojnë në muaj këtë shërbim. Më e bukura, - siç i themi nganjëherë fjalës kur duam të themi shiko sa e shëmtuar është e gjithë ajo që motivon këto sulme primitive, - është se për kontrollin shëndetësor falas të një personi, përmes check-up, që ka hyrë në zhargonin e politikës së baltës si koncesioni i check-up-it, paguhen 1 845 lekë. Ndërkohë që kostoja për të njëjtin kontroll, -  ju jeni këtu mjekë dhe e dini shumë mirë, - me tarifat e sistemit publik, për personat e pasiguruar është 5100 lekë, pra, është pesëfishi.  

 Nëse një person i pasiguruar dhe personat e pasiguruar në Shqipëri janë pjesa më e dobët, më vulnerabël, më e prekshme, do të shkojë dhe do të bëjë një kontroll mjekësor, një check-up, do të paguajë 5100 lekë, ose 51 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që ne i garantojmë kontrollin shëndetësor falas dhe paguajmë nga buxheti, 18 mijë lekë të vjetra. Atëherë, ku është këtu, pjesa që meriton të kriminalizohet në këtë fare feje dhe si mund ta bënim këtë ndryshe, përveçse përmes një partneriteti publik-privat? Kësaj nuk i japin përgjigje akuzatorët, të cilët nuk i thonë popullit një gjë tjetër, që nëse duam më shumë shërbime, nëse duam më shumë cilësi shërbimesh dhe nëse duam ta refuzojmë këtë mundësi që na jep ky sistem për të bashkëpunuar me privatët, ka dy rrugë të tjera; të rrisim taksat, ose të rrisim borxhin.

 Cilën nga këto dy rrugë mund të ndjekë Shqipëria sot? Asnjërën! Sigurisht flasim në rast se duam të ndjekim një rrugë të përgjegjshme. Rrugën e papërgjegjshmërisë së deri dy viteve e gjysmë më përpara, ne e kemi prerë. Për ne, ajo nuk është rrugë për t’i shërbyer njerëzve, por është rrugë për t’ju bërë gropën, duke marrë të ardhmen e tyre borxh, për të shpenzuar për të tashmen e pushtetit. Atëherë, nuk rrisim taksat, nuk rrisim borxhin, përkundrazi, ulim taksat, ulim borxhin dhe i referohemi sipërmarrjes private për të bashkëpunuar, duke dhënë para ose kapacitete dhe duke marrë shërbimin më të mirë.

 Përderisa shteti, sot merr një tarifë të kalkuluar, - që nuk e kemi kalkuluar ne, por e kanë kalkuluar ata që hedhin baltë gjithë ditën, - i kërkon një njeriu të pasiguruar 51 mijë lekë (të vjetra) për të bërë një check - up, ndryshe, një kontroll mjekësor, është drejtimi i duhur që shteti të financojë 18 mijë lekë, nga 51 mijë, për të bërë kontrollin falas.  

 Shëndetësia falas nuk është shëndetësia që vjen nga dielli dhe nga shiu. Shëndetësia falas ka kosto dhe e paguan shteti. E shteti sigurisht e paguan nga të ardhurat që merr. Por në finale, qëllimi është që kush nuk ka mundësi ta paguajë, ta marrë njësoj si të tjerët shërbimin. Nëse dikush që ka mundësi shkon tek privati, është 80 mijë lekë (të vjetra) në sistemin jo publik. 80 mijë lekë (të vjetra), për të bërë analiza, kurse sot, me 18 mijë lekë (të vjetra) i merr falas brenda moshës 40-65 vjeç. Pra, nëse dikush ka mundësi dhe shkon e kontrollohet çdo 6 muaj, apo dikush tjetër i siguruar shkon dhe merr shërbimin normalisht, pse ata që janë të pasiguruar duhet të paguakan 51 mijë lekë (të vjetra), apo pse janë më dobët?! Është shumë e lehtë që më të dobëtëve t’u hedhësh helm çdo ditë, sapo hapin televizorin dhe t’u thuash se “këtu po ju marrin lekët”. Jo, e kundërta është e vërtetë! 100% e kundërta është e vërtetë! Po shpenzohet për një investim kapital për njeriun dhe për shëndetshmërinë e shoqërisë.

 Po njësitë e mamografive të lëvizshme, që çdo ditë depistojnë dhjetëra gra pa pagesë, edhe në zonat e largëta të vendit, çfarë t’i quajmë? Për kancerin e gjirit, deri para dy vjetësh e gjysmë bëheshin manifestime si ato të olimpiadave dhe spartakiadave të dikurshme para Kuvendit. Në një ditë fillonte dhe mbaronte historia e kancerit të gjirit. Ne nuk kemi marrë përsipër dhe as nuk pretendojmë se po bëjmë ndonjë mrekulli, por çdo ditë i japim mundësi grave dhe vajzave, pa pagesë, edhe në zonat më të largëta, që të depistohen për ta parandaluar. Të gjithë e kemi marrë vesh, falë të gjithë atyre ditëve zinxhir, vit pas viti, lidhur me sensibilizimin për këtë sëmundje, që gjeja e parë është ta kapësh sa më parë kancerin e gjirit dhe shpëtueshmëria është shumë më e lartë, kur e kap shumë shpejt.

 Po ashtu, si përkthehet sulmi për hemodializën. Ndërkohë që absolutisht me të njëjtin çmim, asnjë qindarkë më shumë, që shteti paguante për seancat e hemodializës, duke i detyruar pacientët, në ato kushte të vështira, që të vinin nga të gjitha anët e Shqipërisë në dy spitale në Tiranë, sot, e  theksoj, me të njëjtin çmim, ne krijojmë mundësinë që të ketë qendra për ta marrë, pika referimi për të bërë hemodializën edhe në Korçë, edhe në Shkodër dhe në shumë pika të tjera të Shqipërisë. Atëherë, ku është problemi këtu?! Pse e bëjmë me privatin? E bëjmë me privatin për një arsye shumë të thjeshtë, sepse nuk kemi mundësi financiare të bëjmë investimin e parë. Ndërsa privati do të bëjë investimin e parë, ndërkohë nga shteti, nga paratë e taksapaguesve do të marrë po ato lekë që shkonin deri dje në një pikë - edhe ajo private, jo shtetërore, - dhe mbas 10 vjetësh, gjithë investimi i mbetet shtetit.

 Gjermania, vendi më i fortë, më i zhvilluar dhe më performues përsa i përket politikave sociale, ka hyrë në rrugën e partneriteteve publike – private e pari. Me buxhetin e Gjermanisë, me mundësitë e Gjermanisë, me kushtet e saj, Gjermania është kampion në partneritetet publike - private. Ne nuk guxojmë të bëjmë një partneritet publik – privat. Tre kemi bërë gjithsej dhe u bënë nuk e di se sa muaj që baltë e vetëm baltë. Dhe baltën e hedhin ata të cilët e lanë sistemin shëndetësor dhe i lanë shqiptarët në kushtet që i paguanin ilaçet, këtu në Shqipëri, 30% më shumë sesa në vendet e origjinës. Blinin ilaçe shqiptarët, deri në 30% më shtrenjtë sesa jashtë. Sot, ato kushtojnë 30% më pak. Kjo sepse ne kemi marrë një zotim dhe kemi thënë  se shqiptarët nuk kanë për të paguar për të njëjtin ilaç në Shqipëri, më shtrenjtë se ta blesh në Paris ku prodhohet. Sot, ose aq, ose më pak dhe këtë kemi realizuar. Ashtu sikundër, të njëjtat barna për të njëjtën sasi, sot kushtojnë 70 milionë dollarë më pak.

 Po këto 70 milionë dollarë ku janë? Janë në xhepat e Shqiptarëve! Janë në po ato xhepa nga ku dilnin deri përpara dy vjetësh e gjysmë, për të blerë po atë sasi ilaçesh dhe po atë lloj ilaçesh. 70 milionë dollarë më pak, që i janë kursyer njerëzve.

 Po ashtu janë 150 mijë shqiptarë që përfitojnë më shumë nga fakti se janë futur 45 principe të reja aktive në listën e rimbursimit, duke përfshirë 85 barna të reja. Listën e rimbursimit do të vazhdojmë ta zgjerojmë.

 Tre vite nuk u bë asnjë specializim në mjekësi. Specializimet ishin bërë një estradë, ku edhe korrupsionit i vinte për të qeshur nga specializimet, pasi deri në atë pikë, edhe vetë korrupsioni nuk mund të imagjinonte se mund të shkohej. Estradë! Sot, jemi në kushtet kur janë 385 mjekë të rinj, të specialiteteve të ndryshme, që i janë shtuar trupës mjekësore në 2014-n dhe 97 i janë shtuar muajin e kaluar.

 Ndërkohë është një sistem perfekt për nga pikëpamja e marrjes në provim të dijeve dhe meritokracisë në rezultat. Është një sistem që vitin e kaluar pati disa probleme, për të cilat edhe ata që ankoheshin thonë se nuk ishin për shkak të korrupsionit, por se është bërë gabim konceptimi. Këtë vit, asnjë fjalë.

 Nga ana tjetër, le të vijmë tek taksat. 13478 infermierë dhe punonjës teknikë mjekësorë kanë paguar 4 milionë dollarë më pak taksa në vitin 2014 dhe 4 milionë të tjera më pak në vitin 2015, domethënë 8 milionë dollarë që, në vend që të dilnin nga xhepat e infermierëve dhe punonjësve teknikë për shtetin, kanë vajtur në familjet e këtyre njerëzve. A janë një shumë që ua ka bërë jetën mrekulli? Absolutisht jo! Por a është një fakt dhe a është një fakt që ka ndodhur menjëherë, në të njëjtën kohë që ne morëm përsipër të shlyejmë 720 milionë dollarë borxhe? Është e lehtë të thuash “ku është rritja e rrogave”, “ku është rritja e kësaj”, “ku është ulja e asaj”, por 720 milionë dollarë borxhe që i kemi shlyer jo duke rritur taksat, por duke ulur taksat, ku hyjnë? Ato borxhe vërtetë nuk i morën shqiptarët. Ato borxhe i mori qeveria e vjetër, që vazhdon sot dhe bën “gam-gam”, për t’i ndenjur në kurriz shqiptarëve. Por detyrimi ishte i joni, jo i imi, jo i ministrave apo deputetëve që përfaqësojnë shumicën dërrmuese të shqiptarëve, por i joni, bashkë si shoqëri. E faktikisht, ne e bëmë shlyerjen e atyre borxheve, pa futur duart në xhepat e shqiptarëve, por, përkundrazi, duke ulur taksat.

 3234 mjekë të regjistruar kanë paguar në dy vjet, 1milionë e 200 mijë dollarë taksa më pak. Po t’i ndash për secilin, nuk janë ndonjë çudi e madhe, por janë 1 milionë e 200 mijë dollarë që kanë vajtur në familjet e tyre, nuk i ka marrë shteti. E mbi të gjitha, shteti nuk i ka thënë paguani edhe 1milionë e 200 mijë dollarë taksa të tjera mbi taksat që kishit, sepse, na falni, por qeveria e vjetër na la me 720 milionë dollarë borxhe. Kështu mund të përmend me radhë, plot e plot, gjëra të tjera të vogla, që jam i bindur, njëra pas tjetrës do të sjellin rezultatin e dëshiruar.

 Rezultati i dëshiruar është që të kemi një sistem shëndetësor, i cili të funksionojë shumë më mirë, pavarësisht se nuk do të jetë i dyti, pas Gjermanisë, që të jemi të qartë. Por të funksionojë shumë më mirë dhe të jetë një sistem shëndetësor për të gjithë. Ke për të paguar, nuk ke për të paguar, ta marrësh shërbimin shëndetësor si një shërbim, të cilin e ka për detyrë të ta japë shoqëria, përmes shtetit dhe nuk është mall që po nuk pate lekë, vdis se nuk e blen dot.

 ***

 Në qarkun e Durrësit, nga 1 nëntori 2015 ka nisur programi i zëvendësimit të recetave të vjetra, të lëshuara me dorë nga mjeku, me recetën elektronike.

 Receta elektronike është program i teknologjisë së informacionit që mundëson gjenerimin, transmetimin dhe plotësimin e recetave mjekësore, duke zëvendësuar përdorimin e recetave letër. Nëpërmjet këtij sistemi, mjeku harton dhe transmeton në mënyrë elektronike një recetë dhe po ashtu, edhe farmacisti ekzekuton në mënyrë elektronike recetën. 

Ky sistem i jep mundësinë FSDKSH-së të monitorojë dhe të kontrollojë në kohë reale dhe  të rimbursojë recetën elektronike. Gjatë këtyre dy muajve, 129 mjekë dhe 75 farmaci kanë vepruar vetëm me recetën elektronike dhe janë lëshuar 29,646 receta për 13,483 pacientë.

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Lushnjë/ Zjarr në kodrat e ullishteve në fshatin Karbunarë! Era favorizon përhapjen e flakëve