Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e BERZH në Londër, për Investimet në Ballkanin Perëndimo

I dashur Suma Chakrabarti, President i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim,

ju falënderoj për mikpritjen tuaj në Londër, në këtë Samit historik për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Të  nderuar kolegë dhe të ftuar,

sot, ky forum ofron një mundësi unike për të mësuar më shumë në lidhje me vendet dhe rajonin tonë, duke pasur kontakt me vendimmarrësit kryesorë dhe përfaqësues të biznesit.

Ndaj dhe unë shpresoj sinqerisht që  kjo konferencë, përveçse do lehtësojë investimet e huaja shumë të nevojshme, do të përcjellë një mesazh shumë të fortë politik për pjekurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Procesi i Berlinit, që nisi 2 vjet më parë, është dëshmuar si një element revolucionar shumë i vlefshëm. Ai ka ndihmuar gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të arrijnë një progres thelbësor në fusha të ndryshme.

Momenti politik i Procesit të Berlinit ka vijuar vitin e kaluar me Samitin e Vjenës, ku kemi identifikuar mënyra të përbashkëta, për të realizuar projekte të përbashkëta.

Integrimi rajonal përmes korridoreve rrugore, gazsjellësve, si dhe zgjerimi në sektorin e prodhimit mbeten në krye të axhendës sonë të përbashkët.

Projekte si Korridori i Kaltër, TAP dhe IAP, për të përmendur disa, kanë një rëndësi të madhe gjeostrategjike, por më e rëndësishmja është se ata i sjellin vendet tona më pranë njëri-tjetrit.

Është kënaqësi e madhe të shohësh sesi gjatë vitit 2015, tregtia midis vendeve të Ballkanit Perëndimor u rrit në mënyrë të konsiderueshme. Për shembull, eksportet e Shqipërisë në rajon janë rritur me 216% në nëntë muajt e parë të vitit 2015. Kjo është një dëshmi e qartë e faktit se rajoni ynë po jeton momentin më të mirë që ka jetuar ndonjëherë.

 

Ne besojmë se rritja e bashkëpunimit ekonomik mes nesh është themeli për rritje të qëndrueshme në secilin prej vendeve tanë. Ekonomitë tona janë shumë të vogla për të konkurruar me njëra-tjetrën, ose të vetëm, brenda një peizazhi global.

 

Tregjet në zhvillim, përfshirë ne, nuk e kanë më luksin që të mbështeten në çmimet e larta të lëndëve të para dhe zgjerimit të lehtë fiskal dhe të kreditit të dekadës së fundit.

 

Opsioni i vetëm për ne, që të kemi rritje ekonomike që të çon në punësim dhe mirëqenie të qëndrueshme, është që ne të përshtatemi me një model më konkurrues.

 

Ne me të vërtetë besojmë në fjalët që ju thatë në Samitin e Vjenës, Sir Suma Chakrabarti. Po citoj: "Në kohën e sotme plot me sfida është edhe më e rëndësishme që vendet të vazhdojnë në rrugën e tyre të reformave, të cilat i sjellin ata më afër Europës dhe në të njëjtën kohë, që Europa të shtrijë solidaritetin dhe mbështetjen aktive".

 

Në lidhje me këtë, ne presim me padurim që të kemi mbështetjen tuaj në zhvillimin e idesë së Bankës për Zhvillim Rajonal, të cilën e kemi paraqitur tashmë në Vjenë, me kolegun tim të dashur, Aleksandër Vuçic.

 

Zonja dhe zotërinj,

 

Shqipëria është në një proces transformimi të modelit të saj ekonomik, duke kaluar nga një model rritjeje të bazuar në konsum, në një model të ri të bazuar në investime dhe eksport. Në të kaluarën, rritja e konsumit ka qenë e financuar kryesisht nga remitancat dhe rritja sektoriale e nxitur nga zhvillimi i sektorit të ndërtimit.

 

Zhvillimet në ekonominë botërore dhe ekonominë e brendshme të Shqipërisë kanë detyruar zbatimin e një modeli të ri ekonomik. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë reforma të forta strukturore, me qëllim që të rrisë potencialin e zhvillimit, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik.

 

Dua të theksoj që kur ne morëm qeverinë në fund të vitit 2013, e filluam me zero pikë diçka për qind të rritjes dhe më pas kaluam në 2.2% në vitin 2014, 2.7% në vitin 2015 dhe synojmë të arrijmë 3.4% këtë vit.

 

Në këtë drejtim kemi hartuar një strategji konkrete, me paketa të veçanta të mbështetjes sektoriale, iniciativat ligjore dhe natyrisht, angazhimin e drejtpërdrejtë për të hequr dhe eliminuar pengesat e panevojshme procedurale.

 

Më lejoni të përmend dy iniciativa të mira të mbështetura nga BERZH: Këshilli Investimeve, i cili tashmë është duke punuar dhe Business Ombudsman, që Ministri i Ekonomisë dhe BERZH po planifikojnë të krijojnë. Ne besojmë shumë në këtë autoritet të ri, që do të shkurtojë shumë kohën për biznesin dhe do të krijojë një urë shumë të rëndësishme midis qeverisë dhe biznesit, për të bërë zgjidhje të shpejtë në rast keqkuptimesh, apo problemesh që mund të lindin.

Ne jemi fokusuar në konsolidimin fiskal me një strategji të rregullimit, të bazuar në zgjerimin e bazës tatimore dhe përmirësimin e vjeljes dhe administrimit të taksave. Përveç kësaj, me qëllim reduktimin e borxhit publik, ne kemi përforcuar menaxhimin e financave publike. Në lidhje me këtë, kemi një listë të gjatë të reformave strukturore që janë aprovuar, ose janë në rrugë e sipër. Në thelb do të përmendja hartën e re territoriale dhe administrative të vendit në vijim të reformës territoriale që reduktoi numrin e njësive administrative nga 360 e ca në vetëm 61.

Reforma e pensioneve, e shumë pritur për vite me radhë, tashmë ka kaluar, ashtu sikurse reforma e pronës, e cila është një tjetër pjesë e madhe e politikës dhe e dramës së tranzicionit tonë; reforma në  arsim, reforma e mirëqenies dhe reforma e shërbimit publik.

Kemi paguar mbi 600 milionë dollarë borxhe, të trashëguara nga qeveria e mëparshme, në të gjithë sektorët, për punë ose shërbime publike të papaguara.

Partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë BERZH, Banka Botërore apo FMN, kanë vlerësuar reformimin e sektorit të energjisë, i cila për herë të parë në më shumë se 20 vjet është tani një kontribuues dhe jo një barrë e rëndë në buxhetin e shtetit tonë.

Zbatimi i këtyre reformave dhe masave të tjera, që kanë për qëllim përmirësimin të mjedisit të biznesit, janë shumë të nevojshme për të nxitur rritje të fortë dhe me bazë të gjerë.

Bazuar në punën e bërë në dy vitet e fundit, vlerësimi ndërkombëtar i ekonomisë shqiptare është përmirësuar, siç konfirmohet nga përmirësimi i renditjes së Shqipërisë në Sovereign Credit Ranking, nga B në B + herët në fillim të shkurtit.

"Ecuria solide e rritjes ekonomike dhe potenciali i saj i fortë dhe afatgjatë, një kornizë ligjore që në mënyrë eksplicite i jep prioritet pagesave të borxhit për shërbime dhe perspektivave afatgjata për integrimin e mëtejshëm në BE", - citoj nga "Standard and Poor’s", janë arsyet kryesore të këtij  përmirësimi në renditje.

Raporti ekonomik i Bankës Botërore për Shqipërinë, në tetor të vitit 2015 vlerësoi se "ekonomia shqiptare vazhdon të rritet, mbështetur kryesisht nga investimet private dhe eksportet neto".

Dhe vërtetë, deficiti tregtar u ngushtua si rezultat i një rritje 5% vjetore në eksporte. Investimet e Huaja Direkte gjithashtu u rritën me më shumë se 100 milionë euro në nëntë muajt e parë të 2015, krahasuar me vitin 2014.

Jemi shumë të bindur që ka shumë vend për përmirësim në këtë aspekt dhe pa dyshim, në këtë model të ri ekonomik, investimet e huaja janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, ndërsa synojmë të zëvendësojmë rritjen e bazuar në huamarrje të qeverive të kaluara.

Strategjia e re e BERZH-it për Shqipërinë po i përgjigjet sfidave të financimit, duke nënvizuar tre përparësi të mëdha për vitet e ardhshme si:

- Mbështetje për sektorin privat, konkurrueshmërinë dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

- Zgjerimi i tregut, duke fuqizuar lidhjet rajonale për të përmirësuar transportin dhe infrastrukturën energjetike.

- Promovimi i qëndrueshmërisë së aseteve publike, nëpërmjet privatizimit dhe pjesëmarrjes së sektorit privat.

Ne jemi shumë të kënaqur që do të nisim të punojmë që këtë vit me një mekanizëm inovator si Skema e Garancisë në Bujqësi, që kemi krijuar sëbashku me BERZH-in dhe falë asistencës së BERZH-it. Kjo është një linjë e dedikuar kreditimi për bankat shqiptare dhe institutet e mikrokredisë, për të financuar bujqësinë nëpërmjet projekteve inovatore në shkallë të gjerë.

Gjithashtu, Krijimi i Fondit të Garancisë për Eksportuesit krijon linja të reja kreditimi për ndërmarrjet eksportuese.

Së bashku me BERZH-in, ne po vazhdojmë përpjekjet tona për të përmirësuar ndërlidhjen në rajon.

Në fund nuk do të doja të thosha më tepër për sa shumë gjëra BERZH-i na ka ndihmuar, sepse nuk do të doja që BERZH-i të mendonte se tani nuk kemi nevojë për më shumë ndihmë. Këtu jam me miqtë dhe kolegët e mi, pikërisht sepse kemi nevojë për më shumë ndihmë dhe sepse e shoh që BERZH-i mund të ketë një rol thelbësor në këtë mjedis, që po bëhet gjithmonë e më i vështirë dhe më armiqësor në terma të solidaritetit që miku ynë i shtrenjtë Suma Chakrabarti po fliste një vit më parë në Vienë.

Pa dyshim, ne jemi të gjithë të aftë për të prezantuar vendet tona si histori suksesi dhe në këtë periudhë ka shumë histori suksesi, por padyshim jemi të vetëdijshëm që kemi ende shumë për të bërë dhe në Shqipëri, padyshim që jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Por jam i sigurt edhe për një fakt, se ata që do të presin deri sa gjithçka të jetë siç duhet, do të pendohen nesër që nuk investuan sot. Në këtë mjedis, ende jo perfekt, ka më shumë mundësi, sesa ato që mund të gjeni në një ambient perfekt.

Ju faleminderit.

 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Miqësoret/ Liverpool mrekullon me lojën dhe mposht Sevillan, Juventusi mundet nga Atl. Madrid! Interi paqe 1-1 në Londër ndaj Chelsea, 'zhduket' Broja