Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në takimin
me banorë të Tiranës, të cilët përfitojnë legalizimet falas‏

Është kënaqësi që të kthehemi prapë po këtu, ku për herë të fundit jemi takuar rreth 1 vit më parë, gjatë fushatës elektorale, dhe të kthehemi për të mbajtur një zotim, jo për të dhënë një zotim dhe as për t’u justifikuar pse nuk e kemi mbajtur një zotim.  Kthehemi këtu ku është një nga plagët e urbanizimit të Tiranës, një plagë e vjetër që me sa më kujtohet, por juve ju kujtohet më mirë, përpara 3-vjetësh kryetari i Bashkisë, atëherë kandidat për kryetar Bashkie, ju premtoi se do ta shëronte sapo të hynte në zyrën e kryetarit të Bashkisë. E, në fakt, akuzoi Bashkinë e mëparshme që e kishte lënë këtë plagë të hapur dhe që 1200 familje, që janë në godinat e quajtura të “Hawai”-t, por bashkë me to mijëra e mijëra familje të tjera në 210 pallate të Tiranës, nuk arrijnë të kenë titullin e pronësisë. Nuk marrin dot dokumentin në Hipotekë, që provon se shtëpia është e tyre. Ju jeni një pjesë e këtyre familjeve.

Unë e pata thënë atëherë që kjo nuk ishte një çështje e Bashkisë së Tiranës, është një çështje e Qeverisë dhe ishte Qeveria që e kishte penguar për vite të tëra zgjidhjen e kësaj çështje, duke mos e dëgjuar Bashkinë e Tiranës për mënyrën sesi kjo çështje mund dhe duhet të zgjidhej. Natyrisht, që pala tjetër tha të kundërtën, “Jo, është faji i Bashkisë, është faji i Edi Ramës”.  Patën 2 vjet kohë për ta bërë këtë, kishin Bashkinë, kishin dhe Qeverinë. Kishin gjithçka që u duhej, kishin votat që u duheshin për t’u dhënë në dorë dokumentin e pronësisë familjeve të gjithë këtyre godinave, duke i kthyer nga familje që kanë blerë shtëpitë, por nuk ua njeh njeri për pronë, në pronarë të shtëpive të tyre.  Nuk e bënë!

E, ne kemi ardhur sot, sepse e bëmë në 300 ditë. Në më pak se 300 ditë.

Këto janë pallate pa leje ndërtimi, jo për fajin tuaj. Janë pallate që janë shitur pa dokumente. Janë pallate për të cilat ndërtuesi, investitori, nuk ka shlyer asnjë detyrim ndaj shtetit. Por, praktikisht, siç e thashë, nuk janë vetëm këto pallate. E tha më parë edhe Artan Lamja, janë 18 të tilla që i përkasin të njëjtit investitor, të njëjtit ndërtues. Deri tani janë 210 të paktën, të numëruara, që kanë të njëjtën problematikë. Mirëpo, rasti konkret është një rast specifik, sepse ju e dini që i zoti i kësaj pune nuk jeton më. E, sigurisht që ju nuk keni nga të drejtoheni tjetër, përveçse nga Bashkia. Por, Bashki në Tiranë nuk ka. Atëherë mbetet që këtë punë ta bëjë Qeveria nga “A”-ja te “ZH”-ja. E, nga A”-ja te “ZH”-ja ne e kemi nisur dhe do ta përfundojmë këtë punë, duke ju dhënë të gjithëve në dorë ju dokumentin e legalizimit dhe ju nuk do të paguani as edhe një lekë.

Praktikisht, pavarësisht se subjekti ndërtues ka krijuar këtë problem, - në rastin tuaj, ne subjektin ndërtues do ta lëmë mënjanë, s’kemi ku e gjejmë, - ju keni 2 muaj kohë për të bërë të gjithë procedurat që janë të nevojshme, për të cilat do t’ju asistojë ALUIZNI. Kjo, për ata që nuk i kanë bërë, se ka edhe që i kanë bërë.  Brenda 2 muajsh, ju, që të gjithë, të gjithë banorët e këtyre pallateve dhe të gjithë familjet që jetojnë në këto pallate janë të ftuara që të kërkojnë ndihmën e ALUIZNI-t. Flas për familje që janë në kurbet, por me siguri që lajmin do ta marrin vesh. Sepse ne do të bëjmë tonën, por edhe thashethemi, - ju e dini që është më i shpejtë se interneti në Shqipëri, -  do të shkojë dhe do t’i bjerë në vesh atyre. Por, ka edhe të tjerë që nuk kanë asnjë copë letër, praktikisht. Sepse një pjesë e madhe kane letra të pagesave që kanë bërë. Gjithsesi, ne presim që çdo familje të interesohet pranë ALUZINI-t për të marrë ndihmën e duhur. Sepse me procesin që ne kemi ndërtuar,-  kjo është edhe arsyeja se pse në më pak se 300 ditë, se 300 ditë të plota bëhen ditën e hënë, - ne kemi bërë më shumë legalizime sesa ç’kanë bërë ata në 8 vjet. Llogariteni se çfarë kanë bërë ata.

Ndërkohë, kemi marrë përsipër ta kryejmë këtë proces falas për të gjithë, në një periudhë shumë më të shkurtër sesa ç’mund të parafytyrohet. ALUZINI do të bëjë asistencën e çdo familjeje. Nuk do të shkoni më ju, s’do shkojnë më njerëzit që duan legalizim te ALUIZNI, por do të vijë ALUZINI pranë jush, për t’ju ndihmuar në plotësimin e të gjithë dokumenteve. E, nuk do të ketë më përsëritje të asaj historisë së shëmtuar dhe të përsëritur për të gjithë, që ço dokumenta e humb dokumenta, paguaj për të futur dokumente e paguaj për të nxjerrë dokumenta, futu e dil dokumentat dhe në fund fare, të gjithë me “gisht në gojë”.

Ne i kemi dhënë një drejtim tjetër kësaj historie dhe unë jam shumë i kënaqur, realisht, dhe krenar që të jem këtu sot, bashkë me Ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni; bashkë me dy deputetë tanët që kanë marrë përsipër t’ju përfaqësojnë në Kuvend, Sadri Abazin dhe Rakip Sulin; bashkë me Artan Lamen, për t’ju thënë që nga sot, juve nuk ju mbetet tjetër, vetëm që të na ndihmoni që t’ju plotësojmë dokumentet. E, që nga sot, legalizimi dhe dhënia e titullit të pronësisë, si dhe bërja juaj pronarë të shtëpive që keni, do të bëhet falas.

Të gjithë dokumentet do të bëhen prej nesh, ju nuk do të paguani asgjë. Edhe dokumentin përfundimtar, certifikata, do t’ju bëhet gati, pa pagesë. Ju do ta merrni në dorë, do të jeni pronarë dhe pastaj do të mundet që me shtëpinë që tanimë do ta keni pronë, të shkoni në bankë të merrni kredi për nevojat tuaja dhe me radhë të bëni atë që dëshironi. 

Historia e stërzgjatur e një mundimi të madh dhe një ankthi të madh mori fund.

E, ky është një mesazh shumë i qartë për të gjithë ata që kanë pritur vite të tëra për të bërë legalizimet. Është një mesazh shumë i qartë edhe për ata që nuk na e kanë dhënë votën, sepse “hanin” dokrrat që u thoshin “mos i jepni votën këtyre, se këta do t’ju kthejnë andej nga keni ardhur”. Në fakt, ata që u thoshin këtë, i lanë këtu ku erdhën, më keq sesa andej nga ata erdhën. Ne do t’ju japim certifikatën e pronësisë në dorë dhe do t’ju bëjmë pronarë të shtëpisë që keni ndërtuar me mund e me djersë dhe që e keni paguar me sakrifica të panumërta, që vetëm ju dini t’i tregoni.

Edhe diçka tjetër. Sot, ne në Qeveri kemi kaluar edhe çmimet me të cilat do të paguhet parcela. Nuk flasim tani për ju, flasim për të tjerë që janë në pritje të legalizimit. Jo parcela kur toka është e jotja, por parcela kur toka është e dikujt tjetër. E, ajo që mund t’ju them është se, praktikisht, bëhet fjalë për një çmim krejt simbolik, i cili do të shërbejë për të kompensuar pronarët, në mënyrë që ju të bëheni pronarë realë dhe të keni një certifikatë prone reale, jo një “shabantapi” që nesër të shfaqet nipi apo stërnipi i pronarit tek djali apo nipi yt, edhe t’i thotë dil jashtë se atë letër nuk ta njoh. Por, të keni një certifikatë pronësie që nuk e “tund topi”. Ndërkohë, me pronarët të merret shteti, falë edhe atij kontributi modest që secili jep, duke paguar një çmim simbolik. Ne duam që ju të legalizoni shtëpitë, por jo duke jua lënë “litarin jashtë”, që të keni gjithë jetën dhe t’ju lini pas fëmijëve tuaj rrezikun se mund t’i nxjerrin nga shtëpia. Ata që kanë “shabantapi” e kanë këtë rrezik. Kanë marrë letra pa vlerë, në kohë fushatash. Ndërkohë, ne këtu nuk jemi në kohë fushate, jemi në kohë pune, jemi në fillim të punës sonë, sepse nuk kemi mbushur akoma vitin si Qeveri. E, ja ku jemi, duke ju bërë ju realitet atë ëndërr që prej vitesh e shikonit me sy hapur dhe nuk u realizua kurrë.

Realisht, këtu meriton të thuhet për të gjithë ata që jetojnë në pallatet “Hawai”,  t’i gëzoni shtëpitë tuaja!

***

Në një takim me banorë të Tiranës, Kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e procesit të legalizimit falas edhe për ato familje që jetojnë në pallate të braktisura nga pronarët. Kjo është një problematikë e hasur në disa prej qyteteve të mëdha në vend, ndërsa vetëm në Tiranë, deri më tani, numërohen 210 pallate të tilla.

Drejtori i ALUZINI-t, Artan Lame tha gjatë takimit të sotëm me banorë të pallateve të ndërtuara nga shoqëria “Hawai-Alb”, se vetëm ky subjekt ka 18 objekte në Durrës dhe në Tiranë, të cilat kanë 1200 familje që janë në këtë proces. “Tirana dhe disa qytete të tjera kanë edhe problemin e pallateve të mbaruara, të braktisura nga pronarët. Një nga këto është rasti i “Hawai-Alb”, për të cilin ne u morëm që në themel, që me ribërjen e ligjit për legalizimet dhe deri sa të vijmë në situatën e sotme. Janë 18 kulla nga ky subjekt, në Tiranë dhe në Durrës, të cilat kanë 1200 familje që janë në këtë proces dhe ky proces mbyllet përfundimisht”- u shpreh Lame. Në Tiranë, sipas Lames, në 8 vitet e kaluara janë dhënë gjithsej 3900 leje legalizimi nga 35 400, ndërkohë që vetëm në muajt e fundit, nga muaji mars e në vazhdim, janë bërë 4200 matje dhe përditësime të objekteve. “Për fat të keq, për gjysmën e tyre është bërë rimatje, sepse kanë pasur problemin që edhe pse kanë thënë janë bërë dosjet, edhe pse kanë pagesat, kur kanë ardhur për të hapur dosjet, dosjet kanë qenë bosh. Na është dashur t’i bëjmë nga fillimi”, tha Artan Lame.

Në takimin me banorët e pallateve të ndërtuara nga “HAWAI-ALB”, Kryeministri shprehu angazhim se procesi i legalizimit do të kryhet falas, si dhe kërkoi nga këto familje që të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmën e ALUIZNI-t për të plotësuar dosjen e nevojshme për legalizimin. “Rasti konkret është një rast specifik, sepse ju e dini që i zoti i kësaj pune nuk jeton më. E, sigurisht që ju nuk keni nga të drejtoheni tjetër, përveçse nga Bashkia. Por, Bashki në Tiranë nuk ka. Atëherë mbetet që këtë punë ta bëjë Qeveria nga “A”-ja te “ZH”-ja. E, nga A”-ja te “ZH”-ja ne e kemi nisur dhe do ta përfundojmë këtë punë duke ju dhënë të gjithëve në dorë dokumentin e legalizimit dhe ju nuk do të paguani as edhe një lekë”, theksoi Kryeministri, duke shtuar se qeveria e mëparshme për 2 vjet me radhë kishte njëkohësisht edhe Bashkinë, edhe  votat që u duheshin për t’ju dhënë në dorë dokumentin e pronësisë familjeve të gjithë këtyre godinave, por nuk e bëri një gjë të tillë.

Më tej, Kryeministri së bashku me Ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, shoqëruar edhe nga deputetë të Partisë Socialiste që përfaqësojnë këtë zonë në Kuvend, vijuan me shpërndarjen e lejeve të legalizimi për familje të tjera, të cilët kanë ndërtuar në zonat informale në periferi të kryeqytetit apo edhe shtesa pa leje në pallatet ekzistuese. Qytetarët deklaruan se aplikimet i kishin bërë pranë ALUZINI-t që 8 apo 10 vite më parë dhe shprehën falënderimet e tyre ndaj kësaj Qeverie, që brenda një kohë të shkurtër arriti ti realizojë legalizimet. “Shtëpia ishte e shtetit. Dhe kam 10 vjet që për një shtesë, kushedi në sa zyra kam trokitur” – u shpreh një nga qytetarët, ndërsa merrte lejen e legalizimit.

Drejtuar qytetarëve, në përgjigje të falënderimeve të tyre, Kryeministri u shpreh se marrja e këtyre certifikatave tregon se 23 qershorin e vitit të kaluar ka fituar vullneti i qytetarëve dhe ato tregojnë vlerën që ka vota. “Kjo është forca e votës, është forca që ka çdo njeri i zakonshëm atë ditë që i takon të vendosë çfarë do dhe çfarë pret nga Qeveria. Së dyti, jam shumë krenar kur ndodh që këto certifikata i marrin ata që nuk na kanë votuar, por që kanë votuar Partinë Demokratike”, theksoi Kryeministri Rama.

Ministrja Eglantina Gjermeni tha gjithashtu, se për të është kënaqësi e veçantë kur bëhet realitet një premtim i dhënë dhe se me këtë premtim të mbajtur, kjo Qeveri tregon se jo vetëm di të mbajë premtimet, por ti realizojë edhe në një kohë rekord.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç