Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin për anëtarësimet e reja në Shkodër
 

Besoj se ata të cilët nuk e kanë për herë të parë një takim në këtë pallat sporti janë dakord me mua për faktin që pavarësisht se nuk jemi në një fushatë elektorale, pavarësisht se nuk kemi zgjedhje te dielën, ky pallat asnjëherë nuk ka qenë kaq i mbushur dhe me kaq shumë energji pozitive.

Me vjen keq sinqerisht për ata që janë mbrapa kësaj stende dhe i përshëndes me zë, se me figurë as nuk më shohin as nuk i shoh. Më vjen keq edhe për ata dhjetëra e dhjetëra të tjerë që ishin në hyrje të pallatit të sportit dhe që ankoheshin për pamundësinë për të qenë brenda bashkë me ne. Mesa duket nuk është e pamundur që takimin e fitores së ardhshme ta bëjmë në  stadiumin e ri të Shkodrës.

Unë e di shumë mirë që ata që nuk na duan, do thonë që e kemi mbushur pallatin e sportit me administratë. Ndërkohë që e gjithë administrata në Shkodër për aq sa ka vende pune, nuk mbush dot gjysmën e këtij pallati, pa llogaritur faktin që një pjesë të konsiderueshme të asaj gjysme e ka administrata e Bashkisë Shkodër.

Ashtu sikundër unë jam i bindur që këtu ka shumë të papunë, ka me siguri plot djem dhe vajza që kanë mbaruar shkollën dhe akoma s’e kanë një punë dhe fakti që ata sot vijnë në këtë takim dhe që disa prej tyre vijnë për herë të parë në Partinë Socialiste është komplimenti më i shkëlqyer që i bëhet qeverisjes sonë, që pavarësisht se na u desh dhe na duhet të bëjmë reformat që nuk u bënë në 20 e kusur vite, pavarësisht se na u desh dhe na duhet të bëjmë operacione që janë shumë të vështira, janë shumë të dhimbshme dhe pavarësisht se nuk jemi në fushatën elektorale, por jemi dy vjet e gjysmë mbasi kemi marrë detyrën, - prurjet në Partinë Socialiste janë më të mëdha se asnjëherë më parë.

Kjo tregon që jo vetëm besimi te Partia Socialiste nuk është lënduar, jo vetëm shpresa te Partia Socialiste nuk është dobësuar, por përkundrazi me punën që Partia Socialiste  si forca udhëheqëse e Aleancës për Shqipërinë Europiane, ka bërë në qeverisjen e vendit, i ka dhënë një mesazh të qartë dhe të thjeshtë çdo shqiptari që arsyeton me kokën e tij dhe jo me kokën e SHQUP-it. I ka dhënë mesazhin që asgjë nuk është e lehtë, që Shqipëria që duam nuk bëhet me fjalë, por bëhet me punë dhe për të bërë Shqipërinë që meriton secili dhe mbi të gjithë gjenerata tjetër, na duhet të marrim përsipër disa gjëra që të tjerët para nesh nuk i bënë. E duke bërë kështu PS ka dhënë provën se është është forca e duhur dhe e vetme që mund të bëjë shtet në këtë vend.

Është gjëja më e lehtë, por dhe më hileqare që ti drejtohesh sot komuniteteve që janë në hall, ti drejtohesh sot të gjithë atyre që vazhdojnë të vuajnë, papunësinë, vazhdojnë të vuajnë varfërinë dhe probleme nga më të ndryshmet për t’ju kundërvënë qeverisë dhe reformave. Por mos u shqetësoni se është e vetmja gjë që dinë të bëjnë ata që ne gabimisht i quajmë opozitë. Ata nuk janë opozitë dhe kjo është mangësia më e madhe që ka Shqipëria sot. Shqipëria sot nuk ka opozitë. Në Shqipëri sot ka dy qeveri, një qeveri të vjetër që ka rënë nga kali dhe një qeveri të re që po bën detyrat që ka marrë përsipër.

Qeveria e vjetër akoma sot nuk është zgjuar pas goditjes që mori në qershorin e 2013-ës dhe për fat të keq për ta, edhe goditjes që iu përsërit në qershor të 2015-s. Ata janë thjeshtë qeveria e vjetër që jetoi me idenë se në 2013-ën populli bëri një gabim shumë të madh, që i çoi nëpër shtëpi dhe dalin çdo ditë nga shtëpia me idenë që populli do ta korrigjoje gabimin, duke i futur prapë në zyrë, ndërkohë që e vetmja gjë që ata i ofrojnë këtij populli është balta. Baltë, shpifje, akuza! Pra vetëm përflasin dhe shajnë. Çdo lagje e ka një të dehur që e njeh gjithë lagja, që del nga shtëpia tapë dhe që rri e shan gjithë kush i shkon nëpër mend dhe përflet gjithë lagjen. Njësoj si ky i dehur është edhe Partia Demokratike. Unë besoj që, ne sot jemi ne kushtet kur mund te bëjmë një reflektim të gjithë së bashku si shoqëri, të gjithë sëbashku si njerëz të arsyeshëm, si individë, si familjarë, pavarësisht se jetojmë në Tiranë, jetojmë në Shkodër, jetojmë në Vlorë, pavarësisht se jetojmë në qytet apo në fshat.

Po sikur reformat që po bëjmë ne të ishin bërë kohë më parë si do të ishte Shqipëria sot?! Sepse ata që neve na kërkojnë llogari sot, janë ata që patën mundësi ti bëjnë reformat më parë dhe çfarë bënë?! Nuk i bënë reformat! Nuk u thanë shqiptarëve që dritat nuk vidhen dhe që kush e konsumon energjinë duhet ta paguajë sepse nga pagesa e energjisë nuk varet thjeshtë funksionimi ashtu siç duhet i gjithë këtij sektori strategjik, por varet dhe arsimimi më i mirë i fëmijëve tanë, varet edhe shërbimi më i mirë shëndetësor për njerëzit në nevojë, varet dhe volumi i investimeve qe mund të bëjmë nëpër komunitete dhe kështu me radhë. Nuk ua thanë këtë asnjëherë shqiptarëve, por përkundrazi iu shkelën syrin dhe i lanë që ose ta vjedhin ose të mos ta paguajnë energjinë. Ndërkohë që i lanë të mos e paguajnë energjinë, borxhet vazhdonin të numëroheshin dhe të mblidheshin si litarë në fytin e të gjithë atyre që jetuan sot për sot, jo për fajin e tyre, por për fajin e qeverisë që në fund të çdo viti merrte 150 milionë euro nga taksat dhe i çonte për të mbyllur gropën e hajnive dhe të borxheve që krijoheshin nga mospagesat.

Nëse, miqtë e mi, ne do ta kishim bërë 20 vjet më parë këtë që kemi bërë në këto dy vite, nëse 20 vjet më parë, 10 vjet më parë do ti kishim thënë njeri tjetrit: Stop, nuk vidhet energjia! – ne do të kishim pasur mundësi të investonim  në këto 20 vjet, në shëndetësi sa investon dhe ka investuar një qeveri shqiptare në 60 vjet dhe sot ne nuk do kishim shëndetësinë që kemi, nuk do kishim spitalet që kemi, nuk do kishim ambulancat që s’kemi, por do kishim një sistem shëndetësor shumë më dinjitoz.

Nëse ne nuk do kishim ndërmarrë këtë reformë, gjërat do të shkonin kolaps, por nëse këtë reformë do e kishim ndërmarrë atëherë kur duhej dhe do ta kishin ndërmarrë ata që sot na kërkojnë llogari, ne do të kishim patur mundësi të investonim sa për 40 vjet në arsim. E sot Shqipëria nuk do të kishte mungesë për shkolla, s’do te kishte asnjë shkollë duke u shembur, nuk do të kishte asnjë shkollë pa ngrohje. Madje sot Shqipërisë nuk do ti mungonin as kopshtet , as çerdhet në çdo komunitet.

Po kështu me bujqësinë vetëm me ato para që janë tretur dhe i ka marrë lumi për të mbuluar hajnitë dhe borxhet, do të kishim mund të investonim në bujqësi sa për 30 vite. Sot në Shqipëri nuk do të kishte asnjë fshat dhe asnjë metër tokë që do të vuante për pikën ujit dhe nuk do të kishte asnjë zonë që do të përmbytej nga mungesa e infrastrukturës dhe e gjithë sistemit që mbron komunitetet, territoret, fshatrat  nga përmbytjet.

Kjo vlen vetëm për energjinë, po sikur këto reforma të ishin bërë në të gjithë spektrin e jetës sonë atëherë sot do të kishim një Shqipëri tjetër në arsim.

Sikur 20 vjet më parë qeveritë të kishin thënë në nuk prodhojmë më libra që nuk i merr vesh mësuesi e prindi, e lëre pastaj ti marri vesh nxënësi, po ne librat do ti marrim nga ata që i bëjnë më mirë se të gjithë, siç bëmë ne që sot kemi futur ne arsimin parauniversitar librat e Oksfordit, librat e Kembrixhit librat e Pirsonit, libra që prodhohen nga shtëpi botuese me famë botërore dhe që janë me cilësinë më  të lartë europine, - sot ne do të kishim 1.1 milion njerëz shumë më të mirë të shkolluar dhe do të kishim 414 mijë vajza dhe djem të sapodalë nga universiteti në 5 vitet e fundit që do të ishin krah i kualifikuar shumë më cilësor.

E njëjta gjë me universitetet. Sikur mos  të ishim bërë vendi më qesharak në Europë me numrin më të madh të universiteteve për frymë, 8 herë më shumë universitete private, dhe universitete në përgjithësi se sa Britania e Madhe. Sikur mos ti kishim thënë vajzave dhe djemve “hajde se mund të bëheni të gjithë juristë”. Po të kishim hapur që atëherë rrugën për arsim profesional dhe ti kishim dhënë vajzave dhe djemve që të kishin një zanat përveçse një diplomë, - pra disa diploma, disa zanate, - ne sot nuk do të ishim një vend qesharak me numrin më të madh të juristëve për kilometër/katror në botë dhe që nuk ka krah punë te kualifikuar aq sa i nevojitet.

Unë jam i bindur që këtu kemi gjithë ata juristë dhe jam i bindur që nëpër shkallët e pallatit këtu ka plot juristë pa punë sepse ishte politika që i futi të gjithë në rrugën për të marrë diploma dhe që u mori prindërve paratë e kursimeve për ti dhënë fëmijëve diploma që s’kanë asnjë vlerë. Nuk hipën dot në një taksi se shoferi është jurist. Nuk shkon dot në një kafe se kamarieri është jurist. Para ca kohesh takova një djalë kamarier. - Më gjej një punë, - tha. I thash çfarë pune do ti? Çfarë shkolle ke bërë? Më tha, jurist si gjithë shqiptarët.

Ne sot do të ishim shumë herë më mire nëse do të ishte bërë më parë dhe reforma që ne bëmë në Policinë e Shtetit, nëse policia e shtetit do të ishte ndërtuar si një institucion që nuk do të ishte katandisur ashtu siç e gjetëm ne me  punonjësit me moshën me të lartë në Europë dhe rajon, pra policia më e plakur. Me punonjësit më pa shkollë në Europë dhe rajon, pra policia me numrin më të vogël të të diplomuarve me shkollë të lartë krahasuar me rajonin e Europen. Policia më e tradhtuar dhe më e braktisur me paga qesharake,  me uniforma mos o Zot, me makina që i shtynin se u ngeleshin rrugëve, dhe me një moral përtokë. 

Ne nuk kemi arritur akoma të bëjmë as atë që duhet të bëjmë plotësisht në furnizimin me energji, as atë që duhet të bëjmë plotësisht në arsim, as atë që do të bëjmë plotësisht në shëndetësi, as atë që do të bëjmë plotësisht në polici. Por me siguri që sot ka një ndryshim të madh, një ndryshim të dukshëm. Mjafton ti shohësh policët në rrugë dhe e ndjen ndryshimin. Mjafton të shohësh shifrat në luftën kundër kriminalitetit  dhe e kupton ndryshimin. Ndërkohë përballë nesh është një industri e gjitha që prodhon baltë.

Balta është prodhimi më i madh në një vend që bën reforma dhe ata që bëjnë reforma në fillim përqeshen thoshte Gandi, pastaj përbalten dhe pastaj nëse kanë vizion nëse kanë vullnet, kurajë dhe aftësi triumfojnë. Unë ju siguroj që ne do të triumfojmë.

Unë e di shumë mirë që ekonomia sot nuk është në ditët e veta me të bukura sipas asaj që presim, jo sipas asaj që kemi pasur. Por ne morëm një ekonomi që ishte ne prag te falimentimit, një shtet që ishte në prag të falimentimit dhe unë mund t’ju them vetëm kaq, që ne nuk do të kishim bërë së pari, të mundur largimin e qeverisë së vjetër dhe këtë e bëtë të mundur ju. Së dyti, të mundur ballafaqimin e drejtpërdrejtë me një mal borxhesh të fshehura, marrëveshjen me FMN, dhe marrjen e borxhit të sigurisë për të përballuar atë situatë, në fund të tetorit 2013 shteti shqiptar nuk do të kishte mundësi të paguante më punonjësit e vet dhe Shqipëria do të ballafaqohej në një kolaps energjetik dhe financiar.

Kjo ishte gropa që i hapi vendit qeveria e vjetër. Ndërkohe unë e di shumë mirë që nëse vitin e parë, rritja ekonomike u dyfishua, nëse vitin e dytë shkoi në 2.7%, nëse këtë vit do të shkojë në 3.4%, nuk është mjaft për ti thënë njerëzve, tani ja ku e arritëm dhe ekonomia juaj familjare është në rregull, por ama është mjaft për ti thënë njerëzve që ka vetëm një forcë që mund ta rrisi ekonominë, ka vetëm një forcë që mund ta mbajë Shqipërinë me kurajë dhe vullnet në drejtim të duhur dhe mund ta bëjë Shqipërinë Europiane dhe kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë. Nuk ka një të dytë. Ne nuk jemi të përsosur por në jemi tamam si ajo reklama, “mbase nuk jemi më të mirët, por më të mirë nuk kemi parë, nuk ka”.

Fakti që ju keni ardhur kaq shumë këtu dhe fakti që kjo fushatë anëtarësimesh të reja na ka sjellë ne mijëra e mijëra vajza dhe djem, gra dhe burra në radhët e Partisë Socialiste është prova më ë mirë se më të mirët shkojnë tek më e mira.

Mund të flas edhe më gjatë, mund të flas shumë gjatë sepse është vërtetë nder përveç se kënaqësi që të marrësh fjalën këtu përpara jush dhe të jesh përpara kësaj pamje të jashtëzakonshme duke e  ditur që jemi në gjysmën e dytë të mandatit qeverisës, duke e ditur që jemi në Shkodër dhe duke e ditur që jemi ditë jave. Të treja këto arsyeje janë të mjaftueshme për të qënë shumë të inkurajuar dhe shumë të gëzuar përballë kësaj pamje, pa ju hequr asnjë meritë atyre që janë prapa që meritojnë duartrokitjet e të gjithëve.

Edhe dy fjalë për gjithë këtë zonë. Ne në zgjedhjet e kaluara bëmë disa fitore të rëndësishme edhe në këtë zonë dhe falë faktit që në Malësinë e madhe ju zgjodhët një kandidat të Aleancës për Shqipërinë Evropiane dhe falë faktit që ne, Partia socialiste zgjodhëm që të propozojmë për kandidat një burrë të urtë, po shumë të zotin dhe falë faktit që ky burrë i urte dhe i zoti, si kryetar bashkie ka sjellë një projekt vërtetë shumë mbresëlënës, - unë ju them që Kopliku pas 1 viti do të jetë një realitet tërësisht i ndryshuar. Nga një qytet që u katandis në një katund pa lidhje, do të behet një qytet që do të jetë zemra krenare e Malësisë së Madhe. Bashkë me investimet për të stimuluar turizmin malor dhe bashkë me investimet që do të lidhin qendrën me periferinë më të largët të Malësisë së Madhe si dhe bashkë me disa ndërhyrje përgjatë gjithë kësaj lidhje, - unë nuk po ju them asnjë fantazi, - por unë jam i bindur se që këtë verë numri i vizitorëve në Malësinë e Madhe do të rritet, si vizitorëve vendas, ashtu dhe atyre të huaj. 

Nëse ne po i kthejmë Korçën, Beratin, Gjirokastrën, së shpejti Vlorën, për të mos i numëruar të gjithë qytetet, në destinacion për turizmin e fundjavës për shumë e shumë qytetarë nga Tirana apo nga zona të tjera, - unë ju jap fjalën se një nga këto destinacione të shkëlqyera do të bëhet edhe Malësia e Madhe. Do të investojmë patjetër dhe në Pukë, do të investojmë dhe në Fushë-Arrëz. Kemi marrë projekte dhe do ti mbështesim edhe ato projekte. Unë vizitova bashkinë e Shkodrës. Ishte e hera e parë që e vizitova, pastaj më thanë që je i pari komunist që hyn në Bashkinë e Shkodrës. Në fakt edhe po të isha komunist do të isha  dyti, se i pari ka hyrë Saliu në Bashkinë e Shkodrës. Por me erdhi shumë keq që kryetarja  e bashkisë, - që më priti shumë mirë në emër të së vërtetës dhe që unë e falënderova dhe e falënderoj, - nxori disa shifra sipas të cilave ne e paskemi diskriminuar Shkodrën. Nëse diskriminim quhet të investosh thuajse mbi 15 milion euro për stadiumin e ri të Shkodrës, ne do ta vazhdojmë diskriminimin. E do ta vazhdojmë duke ndërtuar edhe Pallatin e  Sportit të Shkodrës, sepse Shkodra meriton një stadium të denjë, sepse është qyteti i Vllaznisë. Ata që thonë jemi me “Vllazninë”, por e lanë “Vllazninë” të luante në një fushë që ishte si fushë kooperativë, e duan “Vllazninë” për fushatë. Ne nuk e duam “Vllazninë” për fushatë. Ne e duam “Vllazninë” si krenari të sportit tonë dhe të traditës sonë. Ata që mund ta kishin ndihmuar “Vllazninë”  përpara dhe morën vesh se si luhet futbolli vetëm kur erdhi demokracia, akoma nuk e kanë marrë vesh që në Shkodër është luajtur basketboll, është luajtur edhe volejboll. Unë p.sh, kam patur fatin të luaj këtu shpesh basketboll dhe të rrihem here pas here nga Sokol Kalaj, bashkë me ca të tjerë. Ashtu sikundër kam patur rastin që të shoh këtu edhe Mark Rroqin , edhe disa të tjerë që luanin volejboll. Kishte një fatkeqësi atëherë, që partia e Saliut i quante me biografi të keqe dhe nuk i linte të dilnin jashtë shtetit. Por pallatin e Sportit ne do t’ia bëjmë Shkodrës siç e meriton. Nëse do të rindërtojmë këtë apo do të bëjmë një tjetër, kjo është një çështje që do ta shohim. Por nëse ky quhet diskriminim, ne do të vazhdojmë ta diskriminojmë Shkodrën.

U desh të vinim ne në qeveri, që një tjetër krenari e madhe e Shkodrës që është dinastia e Marubëve, ta nxirrnim nga një bodrum, që edhe aty mbijetonte falë vullnetit heroik të një drejtori. Se po të ishte për qeverinë e vjetër e kishte marrë Buna edhe  Marubin , bashkë me çunin, bashkë me nipin bashkë me stërnipin dhe ne nuk do të kishim më trashëgiminë e Marubëve. Me rastin e festës së Europës, unë do të vij këtu në Shkodër dhe do ta marr për krahu, ose do të më marri për krahu, këtë do ta zgjidhim me njeri-tjetrin me Voltanën, për të inauguruar Muzeun e Ri të Marubëve në shëtitoren e  Shkodrës. Nëse ky është diskriminim, ne do të vazhdojmë ta diskriminojmë Shkodrën. Shkodra nuk ka vetëm Marubët, por ka dhe të tjerë, që janë akoma nëpër gërmadhat që i la qeveria e vjetër sepse ata i duheshin vetëm për fjalime, jo  për votime, se nuk votonin dot se ishin të vdekur. Ndërkohë që për ne ata janë të gjallë dhe do ti vlerësojmë maksimalisht duke i kthyer shkëlqimin Shkodrës në radhë të parë si histori, sepse Shkodra është në radhë të parë histori.

Shkodra ka patur një teatër shumë të njohur dikur. Teatri i Shkodrës mban emrin e  Migjenit, por kur ne erdhën në qeveri të gjithë kishin frikë të hapin dritën se mos i zinte korrenti. Kaq keq ishte katandisur teatri i Shkodrës. Teatri i Shkodrës do rindërtohet. Nëse ky quhet diskriminim, ne do të vazhdojmë ta diskriminojmë Shkodrën. Tani unë e di, Stadiumi, Marubi, teatri janë shumë por nuk janë të mjaftueshme. Por ne këto kemi patur mundësi të bëjmë si qeveri për të ndihmuar Shkodrën. Nëse Shkodra do më  shumë, duhet të marri shembull nga Malësia e Madhe dhe të sjelli projekte që janë të financueshme dhe ne do ta mbështesim maksimalisht. Mua më vjen keq për  shkodranët që thonë, “po si erdhi dita që ne të marrim shembull nga Malësia e Madhe, por kështu është bota rrotullohet. Kur them Shkodra kam parasysh bashkinë duhet të marri shembull të bëjë projekte të mira dhe unë ju siguroj, jo për vota, por për Shkodrën, që qeveria jonë vetëm do të mbështesë.

Natyrisht do ta shohim edhe çështjen e votave  por atë do të shohim në 2017. Unë mendoj se nuk ka asnjë arsye, përveç arsyeve të mosarsyes që shumë here e sundojnë mendësinë e atyre që i shkojnë mbrapa PD, siç i shkojë mbrapa fantazmave të historisë. Nuk ka asnjë arsye që votën për Aleancën për Shqipërinë evropiane, dhe për PS, Shkodra të mos e rikonfirmojë edhe më fuqishëm në 2017.

Unë jam i bindur, që me ndihmën, me fuqinë, me mbështetjen, energjinë që sjellin sot dhe do të vazhdojnë të sjellin në PS e Shkodrës, vajzat dhe djemtë, burrat dhe gratë që janë anëtarësuar rishtas, në 2017 Shkodra nuk do të ndahet nga karvani i fitores, siç nuk u nda në 2013. Na duhet një PS me  e fortë sepse do ti çojmë reformat përpara dhe të mos dëgjojmë as majtas as djathtas, të mos dëgjojmë asnjë zë që na thërret duke u ankuar, duke na sharë, duke na u kundërvënë. Duke mos dëgjuar për një arsye shumë të thjeshte, sepse me reformat, pa reformat, me kaq sa kemi bërë, fati i zgjedhjeve të ardhshme është i përcaktuar dhe ne jemi fituesit. Këto reforma përcaktojnë fatin e gjeneratës tjetër. Nëse këtu sot ka vajza dhe djem që lindën ditën kur ra regjimi i vjetër dhe nuk kanë çfarë të bëjnë me diplomat se nuk ju vlejnë diplomat t që ju kanë dhënë, nuk kanë mundësi të gjejnë një punë se nuk dinë asnjë zanat, - fati i tyre nuk është përcaktuar sot. Fati i tyre është përcaktuar 20 vjet përpara, 15 vjet përpara, 10 vjet përpara, 5 vjet përpara nga qeveritë e së kaluarës.

Prandaj këto që bëjmë ne sot do të përcaktojnë fatin e atyre që janë ende sot shumë të vegjël për të na thënë, “bëtë, c’bëte e dogjët një gjeneratë, por mos e digjni dhe gjeneratën tjetër se nuk mundet Shqipëria që të djege gjeneratë pas gjeneratash sepse politikanët e saj duan të shohin sot për nesër. Duan të shohin sot për nesër për të marrë ca vota. “Vidhi dritat se je i joni” “Ndërto pa leje se je i joni”. “Edhe po ndërtove në lumë je i joni. Po u mbyte do të vijmë që të të qajmë, por nuk të bëjmë dot asgjë, ishalla nuk mbytesh para zgjedhjeve që votën ta marrim, pastaj pas zgjedhjeve mbytu kur të duash.

Të gjithë këto na sollën aty ku ne e morëm, ndërkohë që të gjithë këto që ne po bëjmë sot, do ta çojnë Shqipërinë, aty ku e meritojnë të gjithë vajzat e dhe djemtë e këtij vendi, që sot janë 20- 25 vjeç dhe pas 10, 15 , 20 vjetësh do të jenë prindër. E ju siguroj që do ti tregojnë fëmijëve të tyre një histori shumë të bukur si pjesëtarë në këtë betejë dhe ti thonë, “Po kam qënë dhe unë, kur Shqipëria ndërroi rrugë sepse PS e bëri të ndërrojë rrugë.”

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Pogradec/ Po lundronin me kanoe në liqen e humbën kontaktet, policia ndihmon babanë me 2 fëmijët e mitur