Gëzuar Pashkët! Është një ditë me rëndësi kjo, sepse, faktikisht, ne sot jemi këtu për të çuar përpara një proces legalizimesh për të cilin ka pasur shumë dyshime dhe që në vite ka sjellë shumë zhgënjime për njerëzit e zonave informale, përfshi edhe Kënetën. Unë dua të jap vetëm një shifër, që në tetë vjet qeverisja e Partisë Demokratike dha 530 leje legalizimesh në këtë zonë. Në më pak se një vit punë konkrete të ALUIZNI-it, ne arrijmë të japim dyfishin e këtyre lejeve. Ata dhanë 530 leje në tetë vjet,  ne jemi këtu, sot, për të dorëzuar 1001 leje nga një proces, ku deri tani janë kryer 60% e matjeve dhe e dokumentacionit të nevojshëm për ta çuar përpara procesin.

Unë jam shumë krenar t’ju them se me këtë ritëm dhe me këtë cilësi të procesit, në katër vitet e ardhshme, ne do të mund ta përmbyllim procesin e legalizimit në të gjithë zonën e Kënetës. Të gjithë ata  të cilët kanë ndërtuar një shtëpi në këtë zonë do të jenë më në fund, pronarë të ligjshëm të shtëpisë së tyre dhe do të gëzojnë më në fund, të drejtën e fituar me vite të tëra mundi e sakrificash, me kursime dhe me para të vëna mënjanë për të ndërtuar shtëpinë dhe pas shumë vitesh të tëra, më në fund do të bëhen zotërues të një titulli të ligjshëm pronësie.

Është me rëndësi të madhe të theksohet se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të marrë një dokument që e kthen shtëpinë në pasuri të patundshme, pra, e bën të paprekshme, por nga ana tjetër bëhet fjalë për të marrë një dokument që i jep mundësinë secilit që përmes kësaj pasurie të patundshme të mund të shkojë në bankë dhe të marrë kredi, për të bërë një biznes të vogël, për t’u bërë pjesë e një aktiviteti tregtar apo ekonomik në zonën nga vjen, për një fermë, për një aktivitet që do të mund të sjellë të ardhura për familjen.

Procesi i legalizimeve nuk është vetëm njohja e një të drejte të fituar me vite të tëra pune dhe sakrificash, por është edhe një proces që i hap rrugë krijimit të mundësive të reja ekonomike për familjet që përfitojnë nga legalizimi. Kështu, jo vetëm familjet përfitojnë nga legalizimi një mundësi të re zhvillimi të ekonomisë së tyre, por edhe ekonomia jonë kombëtare ka një përfitim shumë të madh.

Unë jam shumë i bindur që në këtë proces, zona e Kënetës, ose siç do të preferoja ta quanim një herë e mirë “Durrësi i Ri”, do të mund të përfitojë jo vetëm atë që i takon familjeve, por edhe atë që i takon komunitetit. Jam i bindur se me kryetarin e bashkisë në detyrë sot dhe në detyrë pas 21 qershorit, ashtu siç kemi filluar përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës së kësaj zone, do të vazhdojmë dhe pa as më të voglin dyshim do ta kthejmë zonën e Kënetës në një lagje që meriton emrin Durrësi i Ri. Një lagje me rrugë, me ujë, me ndriçim publik, me çerdhe, kopshte e me radhë.

Sigurisht ju keni dëgjuar shumë në vite, por sot është koha që fjalët të përputhen me veprat. Ne po provojmë çdo ditë që themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Atë që do të bëjmë për Kënetën e themi sot dhe pa as më të voglin dyshim do ta bëjmë në ditët, në muajt dhe vitet në vijim, kështu siç ka filluar. Janë një numër i konsiderueshëm rrugësh që tanimë do të kthen nga shtigje me gropa e me baltë në rrugë qyteti. Nga ana tjetër, unë jam i vetëdijshëm se ky është vetëm fillimi dhe është një fillim i mbarë që sëbashku do ta çojmë përpara, duke përfituar atë që i takon secilit, nga koha  e çmuar që ne kemi në dispozicion.

Tani, siç e kemi bërë zakonisht, do të japim disa leje legalizimi në vazhdim. Sigurisht të gjitha lejet që janë këtu, të gjithë të interesuarit do t’i marrin sot, por ne gjithmonë bëjmë këtë pjesë që është edhe me media, për të sensibiziluar gjithë opinionin lidhur me ketë proces shumë të rëndësishëm, që është një proces i madh integrimi social. Një proces i madh integrimi për zona të tëra, për komunitete të tëra që janë lënë në pikë të hallit, janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë dhe të dorës së tretë, janë braktisur dhe janë përdorur si mish për topat e fushatave elektorale dhe që është koha t’i bashkohen qytetit, t’i bashkohen jetës së qytetit dhe të jetojnë si në qytet, jo si në mes të shkretëtirës të braktisur nga të katër anët. Të jeni të bindur që kjo zonë do të bëhet një model i mirëfilltë i zhvillimit urban dhe i zhvillimit social. Pa as më të voglin dyshim, gjithë sakrificat e prindërve që ndërtuan shtëpitë nuk do të shkojnë kot, por përkundrazi, jo vetëm shtëpitë do të legalizohen, por e gjithë lagjja do të bëhet një lagje e denjë për fëmijët që lindin dhe rriten këtu.