Fjala e Kryeministrit me pedagogë e
drejtues të universiteteve për reformën

Përshëndetje të gjithëve!
Besoj që ky është një komunikim i vështirë, sepse në këtë sallë nuk ma ha mendja të ketë njeri që e ka mbaruar gjimnazin me mesatare 6. Përkundrazi, jam i bindur që në këtë sallë, nëse secili do të kujtojë mesataren, do të ishte i pari që do të thoshte sa shumë ka rënë ky pazar në gjithë vitet, nga dita kur ju keni mbaruar gjimnazin, në ditën që kemi ardhur sot, kur është vendosur një mesatare 6 si kufi dhe kjo konsiderohet blasfemi për shkak se të tjerë me 5.1, 5.2 apo 4.9 nuk lejohen të hyjnë në universitet.

Dua të marr nga ministrja një moment kur foli për gjuhën shqipe dhe për matematikën, se si ra vit pas viti teposhtë, qoftë vlerësimi i kushtit për të folur e shkruar korrektësisht gjuhën tonë, qoftë vlerësimi i kushtit për të pasur një sens solid të matematikës, ndërkohë që po flasim këtu, jo për asistencë sociale apo për ndihmë ekonomike për njerëz në nevojë, por po flasim për elitën e vendit tonë.

Ju e dini me siguri siç e di dhe unë, nuk po ju them diçka të re që kur duhet të përballeni me shkresa të shkruara nga administrata, nëse do të ishit ekzigjentë deri në fund për  shqip-shkrimin, nuk do ta firmosnit dot një shkresë pa e kthyer mbrapsht nja 7 herë. E do  duhet të prisnit deri javën tjetër që të vinte shkresa e shkruar shqip, saktë!

Ky rrënim i madh që i është bërë gjuhës sonë, është në fakt një nga shprehjet më spektakolare të rrënimit tërësor që i është bërë jo sistemit të arsimit në gjithë këto vite, por kuptimit për arsimin dhe vlerës që ka arsimi si kusht për të përcaktuar dhe vlerën e çdo individi në proces konkurrence brenda një shoqërie ku sipas dijes njerëzit vlerësohen.

Kemi trashëguar një sistem arsimor të ndërtuar enkas me një korsi. Pra një rrugë e të ardhmes për të gjithë gjeneratën e re, me një korsi. Nga klasa e parë drejt e në universitet. Arritëm të thyejmë një rekord botëror, duke pasur 18 herë më shumë universitete se sa Britania e Madhe dhe 15 herë më shumë se Gjermania, për frymë. Që do të thotë, u ndërtua një rrugë për t’i rënë shumë shkurt në të tashmen, duke e larguar në mënyrë eksponenciale të ardhmen. Për t’ju thënë të rinjve, se të gjithë ju e keni fundin e kësaj rruge tek prezantimi i diplomës së universitetit dhe në këtë mënyrë për të blerë kohë në pushtet, duke mos u përballur me atë që në fakt është një problem që evidentohet shumë më tepër nëse universiteti nuk është një derë e shqyer për të gjithë, - problemin e papunësisë së të rinjve. Ajo që është bërë, ka qënë që të papunët të rrinë nëpër korridoret e universiteteve mbasi mbarojnë shkollën e mesme, dhe të sorollaten 5 vjet, pastaj pas 5 vjetësh shohim e bëjmë. Por jo vetëm kaq. Ndërkohë korsia tjetër, që është domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik, social me punësim, arsimi profesional, u mbyll si korsi. Mbetën disa shkolla të arsimit profesional dhe mbetën jo për të dhënë arsim profesional, por për të mbajtur në punë mësues dhe administrata që  duheshin për votim. Shkolla e arsimit profesional, ku për tu bërë elektricist duhet të dëgjoje leksione pa prekur dot një tel dhe një llambë, pa asnjë lidhje me tregun, pa asnjë lidhje me të nesërmen tënde.

E përpos kësaj, brenda kësaj korsie, u hapën dy korsi të ngushta për universitetin publik dhe për universitetet private, duke shkatërruar çdo lloj perspektive të konkurrencës së shëndetshme, në funksion të rritjes së cilësisë dhe duke kufizuar hermetikisht çdo lidhje  të universitetit me tregun, mbi bazën e një skeme financimi rrënuese. Një skemë financimi që nuk merrte në konsideratë asnjë element përmbajtësor të autonomisë për universitetet publike dhe një skemë financimi që thjeshtë toleronte universitetet private të ktheheshin në ndërmarrje fitimprurëse. Pra, me një gur, u vranë të dy zogjtë. U shkatërrua dhe arsimi publik dhe arsimi i lartë privat, që nuk u la fare të ngrihej.

Nga ana tjetër, u ndërtua një maturë shtetërore që ishte  fillimi dhe fundi i përpjekjes për të hyrë në universitet, duke neglizhuar tërësisht çfarë një nxënës ka bërë në vite e duke e transformuar përpjekjen për të hyrë në universitet në një përpjekje për të siguruar kopjen në provimin e maturës shtetërore. Maturë hyrëse, që faktikisht shpartalloi përfundimisht çdo filtër për universitetin.

Nuk po zgjatem shumë në çfarë jemi përpjekur ne të bëjmë sepse këto gjëra dihen, por po them vetëm kaq, që ky është vetëm fillimi i një procesi ku konkurrenca duhet të ashpërsohet vit pas viti. E ku hyrja në universitet duhet të bëhet më e vështirë, jo më e lehtë, për të siguruar që kush del nga universitet është një shërbëtor i ditur i këtij populli dhe i këtij shteti, sepse efekti zinxhir i gjithë këtij shkatërrimi që fillonte nga klasa e parë, nuk përfundon në momentin kur studenti del nga universiteti, por vazhdon kur studenti me diplomën fiton të drejtën të marrë në  dorë fate njerëzish, si nëpunës i këtij shteti, si mësues, mjek në këtë shtet, infermier dhe çfarë është mbjellë, korret pastaj në kurriz të gjithë atyre që me të drejtë presin që të kenë një shtet që shërben më cilësi, që të kenë një tërësi institucionesh, që me përgjegjësi dhe dituri projektojnë të ardhshmen dhe administrojnë të tashmen.

Le të vijmë tek momenti që po kalojmë, është për mua i ngjashëm si dy pika ujë me momentin kur “ne zbuluam Amerikën”, duke thënë që energjia është mall dhe duhet ta paguajnë të gjithë. Besoj se jeni të gjithë dëshmitarë sesa shumë polemika, debat, konflikt, ngjalli ky zbulim i madh dhe sesa shumë njerëz edhe të ditur iu kundërvunë këtij zbulimi duke thënë “Jo”, sepse të varfrit, të papunët, etj, kanë të drejte ta vjedhin energjinë, kanë të drejtë që kur si kanë paratë të mos e paguajnë energjinë. Është njësoj kjo që ndodh sot kur thuhet që të gjithë kanë të drejtë të shkojnë në universitet dhe ngatërrohet e drejta për të shkuar në universitet me meritën. Patjetër të gjithë kanë të drejtë të shkojnë në universitet, çdokush, çdo prind ka të drejtë të mendojë se fëmija e tij duhet të shkojë në universitet dhe çdo fëmijë ka të drejtë të mendojë se ai duhet të shkojë në universitet apo ajo duhet të shkojë në universitet. Kjo është e drejta dhe ajo që shteti duhet të garantojë është barazia e mundësive, por deri këtu, jo dhënia medoemos e kësaj të drejte, kur nuk ekzistojnë kushtet e meritës. Sot, thelbi që nxit gjithë diskutimin është shprehje e të njëjtës mendësi, anti konkurencë, anti meritë, anti Europë, që këtu në këtë vend në duhet të flasim për Europë gjithë ditën, por vetëm si europianë nuk duhet të mendojmë të sillemi dhe të veprojmë sepse nuk ka ardhur koha. E kam dëgjuar shprehjen “nuk ka ardhur koha” që ditën e parë që kam filluar të punoj për këtë shtet si ministër i kulturës dhe vazhdoj ta dëgjoj sot e gjithë ditën, nga të njëjtët njerëz dhe nga të njëjtat forca që e kanë penguar kohën të bëjë punën që duhet për  këtë vend.

Thonë se “janë të stresuar maturantët”. Më thoni cili nga ju nuk ka qënë i stresuar kur shkonit për të marrë provimet për të hyrë në universitet? Cili nga ju nuk ka qënë i stresuar përpara se të merrte vesh se i doli universiteti dhe në cilin vend të globit ekziston një shtet demokratik ku s’ka konkurrencë dhe s’ka stres?! Përkundrazi, sa me e fortë konkurrenca, aq më i lartë stresi dhe aq më shumë rezultate. Thuhet sikur ç’po thuhet, ç‘janë këto 10 preferenca? Pse një maturant me të gjitha dhjeta duhet të bllokojë 10 preferencat dhe harrohet që 10 preferencat nuk janë për atë me të gjitha dhjeta, por janë edhe për atë që nuk i ka të gjitha dhjeta, që nëse do t’i kufizoheshin preferencat do të ishte i pari që do digjej, sepse ata me dhjeta nuk do digjeshin. Ata mund ta qëllonin në kokë edhe një preferencë, por nëqoftëse tjetri që s’është me dhjeta do të kufizohej tek një preferencë dhe ajo preferencë nuk do i dilte, do mbetej pa shkollë. Këtu është bërë përmbysje e madhe historike në mentalitet. Këtu nuk u shqetësua kurrë njeri për më të mirët, këtu shqetësimi kryesor janë ngelësit. Këtu nuk shqetësohet njeri prej kaq shumë vjetësh, si t’ia bëjmë që të mirët të marrin atë që iu takon, këtu shqetësimi për kaq shumë vite, ka qenë si t’ia bëjmë që ngelesi të marri atë që nuk i takon. E nuk flas këtu vetëm për nxënësit, flas për  çdo fushë të jetës. Këtu nuk shqetësohet njëri prej kaq shumë vitesh si t’ia bëjmë që në administratën publike të hyjnë ata që janë më ekselentët. Këtu gjithmonë shqetësimi është si ta anashkalojmë ekselencën që ngelesat që na duhen të vijnë me ne bashke dhe pastaj, punë e madhe shumë, sesi behet puna e administratës. Kjo e ka sjellë dhe përmbysjen e madhe në mentalitet ose më saktë zgjatimin, sot e kësaj dite, të mentalitetit të kohës së vjetër, që “puna në shtet është punë, puna në privat është skllavëri” sepse normal puna në shtet të garanton një pension në moshë të re, dhe pastaj ti mund të rrish gjithë ditën në kafene se rrogën e ke të sigurtë, ndërsa puna në privat është rrogë, nuk është pension që duhet ta fitosh çdo ditë.

Vijmë tek debati thjeshtë duke bërë një krahasim. Thonë që “u zgjat shumë procesi”! Në fakt, procesi është njësoj siç ka qënë, nga pikëpamja e kohës, - ju e dini më mirë se unë,-  por ndryshimi është se është i njëjti proces i shtrirë në kohë, por është me konkurrencë, me stres dhe me transparencën që të jep dhimbje koke kur shikon që s’ke fituar dhe që duhet të vazhdosh të përpiqesh të fitosh.

Mjafton që secili nga ju të bëjë një krahasim cilësor midis kush është regjistruar sot në fakultetet tuaja dhe kush ishte regjistruar deri dje për të parë në bazë të rezultateve, që sot as nuk diskutohet që nuk janë të gjithë si këmbët e dhisë, siç ishin deri dje pasi është e qartë për çdo njeri që ka qënë nxënës, student dhe për çdokënd që është mësues apo pedagog, që ata që hyjnë pa meritë, jo vetëm që s’kanë shans të bëjnë prokopi, por nuk lënë as ata që hyjnë me meritë që të marrin normalisht leksionet, mësimet dhe të ndjehen ndryshe sepse janë ndryshe.

Sot kemi aktualisht, në total 20.369 studentë të regjistruar në vit të parë, nga të cilët 16.121 janë në publik dhe pjesa tjetër, më saktë 4249 janë në privat. Thuhet, ç’nuk thuhet, por thuhet edhe që ne e paskemi bërë këtë sistem për të favorizuar privatin. Privatët që deri dje regjistronin deri në maj dhe jo vetëm regjistronin, por të jepnin diplomën pa shkuar fare në universitet. 

Kjo quhej demokratizim i arsimit të lartë. Ndërkohë që sot, po të shikojmë përqindjet, përqindjet e kuotave të plotësuara në publik janë shumë më të larta se përqindjet e plotësuara në privat. E nga ana tjetër, unë duhet ta përsëris edhe këtu, nuk ka një arsim publik dhe një arsim privat, në fakt. Nuk duhet të jetë kështu. Reforma jonë synon që ta fshijë këtë dallim të ngritur nga e shkuara që shteti është i nënës, privati është i njerkës; kush shkon në universitetin shtetëror është fëmijë i privilegjuar i kësaj Republike, kush shkon në universitetin privat është një fëmijë i dorës së dytë për këtë Republikë; prindërit që janë taksa pagues njësoj dhe që me taksat e tyre mbajnë në këmbë shtetin kanë dy kategori, ata që janë prindër të atyre që vinë në universitetin publik janë prindër të kategorisë së parë, ata që janë prindër që çojnë fëmijët e tyre në universitetin privat janë prindër të kategorisë së dytë. Kjo është e papranueshme! E për më tepër kjo sot nuk ka më asnjë sens, për sa kohë në reformën tonë ne kemi ndaluar mundësinë që arsimi privat të jetë ndërmarrje fitimprurëse dhe kemi përcaktuar qartë që arsimi është shërbim publik, qoftë kur e merr tek institucionet e financuara nga buxheti i shtetit, qoftë kur e merr në institucionet e  financuara nga sipërmarrja private, e cila nuk mund dot të ketë standardet e veta, kriteret e veta jashtë standardeve dhe kritereve, që përcakton politika shtetërore përmes ligjit dhe ta kthejnë universitetin siç bënë në jo pak, por në plot 18 universitete që morën në qafë dhjetëra mijëra fëmijë dhe familje, - në një ndërmarrje fitimprurëse në kurriz të dijes dhe duke grabitur faktikisht paratë e prindërve dhe ëndrrat e të rinjve.

Ajo që sot ndodh për herë të parë në gjithë këto vite është që universitetet e financuara nga privatet duhet të zbatojnë të njëjtat kritere. Nëse mesatarja 6 është kufi, është një kufi për të gjithë njësoj, nuk mund të marrin dot nën këtë nivel. Nëse i gjithë procesi i përcaktimit të kuotave është i përcaktuar, ai është i përcaktuar njësoj edhe për universitetet publike dhe për universitetet private, - që e përsëris duhet të ndryshojnë terminologji, - janë publike të financuara nga shteti apo privati. Çfarë janë universitetet më të mëdha amerikane qe financohen me donacione private? Janë universitete private? Jo, janë universitete publike sepse i nënshtrohen 100% të gjithë standardeve dhe kritereve dhe nuk kanë qëllim fitimin, por kanë qëllim dijen, në funksion të së cilës organizojnë aktivitetin e tyre për të nxjerrë të ardhura.

Në këndvështrimin tim autonomia e universitetit publik duhet të jetë në radhë të parë një autonomi financiare, jo thjeshtë që paratë që ndahen nga buxheti, administrohen nga universiteti, por që universiteti të bëjë politikat e veta për të rritur të ardhurat, duke dalë në treg dhe ka rrugë të pafundme, dhe duke e transformuar të gjithë procesin e prapambetur për arsye të një organizimi tërësisht kaotik në të shkuarën të kërkimit shkencor, - në një proces të zhvilluar kërkimi, nëpërmjet shfrytëzimit të dijeve të brendshme për të ofruar shërbime jashtë mureve të universitetit. Sot vazhdon procesi. Universiteti Politeknik është një ndër universitetet që ka qenë në grupin e parë të universiteteve që akreditohen, por nuk akreditohen si deri dje ku politeknik apo pasqyrë ishte njësoj, vitrinë apo ekonomik ishte njësoj dhe ta jepte letrën kushëriri i parë gruas tënde ose i gruas së dikujt që ishte në partinë tënde.

Bëhet një akreditim me një nga agjencitë më prestigjioze europiane që është Agjencia Britanike për garantimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe synimi ynë që nuk është i fshehtë, është i hapur, është që ta forcojmë çdo vit konkurrencën për të qenë në universitet. Të rrisim çdo vit kërkesën e cilësisë për ata që hyjnë në universitet dhe ta detyrojmë tregun të spostohet drejt kolegjeve profesionale dhe jo drejt çdokujt që i shkon mendja që me paratë që ka fituar nga ndërtimi apo nga tregtia të bëjë një universitet për të shtuar të ardhurat në portofolin e vet, - por të nxitet sipërmarrja private që të investojë tek kolegjet profesionale, në funksion të vetvetes në radhë të parë.

Si do binden shqiptarët që, e para jo çdo kush mund të bëhet jurist dhe e dyta nuk është e thënë që të jesh patjetër jurist për të qenë një person, individ dinjitoz në shoqëri. Më mirë të jesh një profesionist shumë i mirë, një zanatçi shumë i mirë në fushën tënde sesa një jurist që merr në qafë gjithë dynjanë. Dhe si do binden që rruga e mirëqenies personale dhe familjare nesër e një të riu apo një të reje nuk kalon domosdoshmërisht nga rruga e vjetër që “o burra të futemi e të marrim një diplomë dhe të shkojmë te partia dhe partia të na fusë në shtet”, por kalon domosdoshmërisht dhe me shumë më tepër mundësi madje, nga arsimi profesional, ku jo thjesht mund të bëhesh nesër zanatçi që të merr dikush në punë, por mund të bëhesh sipërmarrës. Pjesa më e madhe e sipërmarrësve gjermane vijnë nga arsimi profesional që është vendi më i zhvilluar, me universitete jashtëzakonisht  të zhvilluara, por edhe me një ekonomi jashtëzakonisht të zhvilluar që në bazën e vet ka arsimin profesional.

Paralelisht me këtë që po bëjmë sigurisht që duhet reformuar gjimnazi. Ky vit shënon fillimin e zbatimit të reformës në gjimnaz, duke mos lejuar më që shteti me politikën e vet arsimore të detyrojë një 15 vjeçar, ta zgjedhi në moshën 15 vjeç se çfarë do bëhet,- një gjë e paimagjinueshme - dhe të jetë peng i asaj zgjedhjeje që në moshën 15 vjeç gjithë jetën.

Sepse vjen në universitet, mund të fitojë po s’ka bërë zgjedhjen e duhur për vetveten dhe këtë ia thotë vetja ose për shkak të zgjedhjes që ka bërë 15 vjeç, nuk hyn dot në universitet dhe mbetet pa universitet sepse e ka detyruar shteti që në moshën 15 vjeç ta vendoste vetë se çdo bëhej. Po marr një element, s’po iu hyj gjithë elementeve të tjerë.

Nuk po i hyj faktit që këta që dyndën universitetet, - kur them këta, nuk kam parasysh as maturantët as prindërit e tyre, kam parasysh ata që e bënë këtë politikë, - i sollën te dera e universiteteve, pasi i çoroditën me qindra e qindra tekste, të cilat sot janë hequr nga sistemi jo nga ne, por nga mësuesit që u detyruan për vite të tëra të jepnin mësim me tekste që nuk i kuptonin as vetë, lëre më pastaj t’i kuptonin nxënësit se çfarë mësuesit u thoshin.

Unë jam i bindur që kjo që po bëjmë është gjëja e duhur edhe për një arsye tjetër, sepse nuk është shpikje, por është një qasje kurajoze e ndërtuar mbi bazën e modeleve më të mira europiane, përmes një reforme që nuk e bëmë ne, partia në qeveri, përmes ministres dhe një grupi të ngushtë këshilltarësh të partisë, por e bëri një proces i përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit, ku garant i procesit ishte një komision njerëzish të përzgjedhur nga bota universitare, pa dallim bindjesh politike.

Natyrisht që nuk ka një reformë që të jetë e përsosur, apo që kur fillon të zbatohet të mos ketë nevojë gjatë rrugës për axhustime. Edhe vetë axhustimet janë pjesë e frymës së një reforme transformuese.

Për hir të të vërtetës, procesi aktual, sistemi aktual i garantimit të meritës në rrugë kompjuterike tregon që funksionon më së miri. Është e vërtetë ajo që tha ministrja. I kam ndjekur personalisht, nominalisht të gjitha ankesat nëpër tribuna, gazeta, rrjete sociale. Një ekip njerëzish pranë zyrës time, në të njëjtën godinë, ka punuar dhe vazhdon të punojë sot për të mbledhur kudo ku shkruhet për këtë çështje të dhëna dhe për të vënë në tryezë nevojën për verifikim të çdo ankese nga prindër, maturantë, pedagogë, dijetarë, apo nga shakaxhinj të përparimit, se këta i kemi me shumicë, na shoqërojnë që në kohën e rilindjes së parë.

Ajo që mund t’ju them është, të gjitha ankesat kanë kaluar në filtrin e verifikimit nëpërmjet sistemit. 99% e tyre, - s’po them 99,8% se do më ngatërroni me hashashin, - kanë rezultuar të pabazuara, në kuptimin që sistemi ka dhënë informacion duke treguar që jo, ai që thotë: “unë kam këtë mesatare dhe më është ngrënë haku,” s’është e vërtetë, sepse mbi të, të gjithë të tjerët e kanë rezultatin më të lartë.

Ha diskutim çështja e kohës, jo në raport me të shkuarën, se në raport me të shkuarën as nuk ka krahasim dhe ju e dini këtu shumë mirë, dhe kush ka qenë këtu përpara se të fillonte kjo reformë të rrijë i qetë, nuk vijnë shtesa nga Ministria. Kaq mjafton për të kuptuar diferencën. Por, në krahasim me çfarë ne pretendojmë, mund të bëjmë akoma për ta shkurtuar kohën, mbase duke shkurtuar procesin e ankimimit, përderisa sistemi ka provuar të jetë shumë solid, flas për sistemin kompjuterik.

 

Atëherë, për çfarë duhet humbur kohë me ankimime të panevojshme që vijnë vetëm si pasojë e mërzisë ose e keqkuptimit! Por kjo ha diskutim dhe një çështje që duhet ta diskutojmë bashkërisht me ju.

Ndërkohë që, realisht, ministrja i di më mirë, se i ka ndjekur më nga afër mendimet tuaja dhe shqetësimet tuaja, por unë, duke parë nga pak më larg, ju jam mirënjohës për faktin që jo vetëm e keni mbështetur këtë proces, - kjo është pak-  por për faktin që i keni dhënë këtij procesi të gjithë dinjitetin që kërkon.

Është normale që dikush prej jush të ketë rezerva, por ajo që ka vlerën kryesore është që askush prej jush nuk ka bërë përpjekje për ta cenuar procesin, përkundrazi, ka bërë çka mundur që procesi të funksionojë siç është i shkruar.

Na duhet të bëjmë një analizë në përfundim të procesit lidhur me si të përmirësohet cilësisht puna përgatitore e vetë universiteteve, sepse, në fund të fundit, autonomia, që shumë e thonë nga jashtë, po nuk dinë se çfarë flasin, nuk është thjesht tek autonomia për të planifikuar resurset financiare, por është autonomi vendimmarrëse, që nga vendosja e kuotave, e me radhë, në të gjithë procesin, te garantimi në çdo stad i zbatimit rigoroz të ligjit, duke garantuar objektivat e çdo universiteti. Pra është përgjegjësi vetëqeverisëse në gjithë spektrin, jo thjesht përgjegjësi vetëqeverisëse financiare.

Meqë erdhëm te financat, Rektori, zoti Koni, ka bërë dhe një premtim në fushatë: “Do t’ju rris rrogat!” Të them të drejtën nuk e di si e kishte menduar rritjen e rrogave, por unë jam këtu për t’ju thënë që premtimi i tij do realizohet.

E kam zili se, imagjinoni sa bukur do ishte për mua, sikur premtime të miat t’i realizonte dikush tjetër.

Ka 20 thënie të shkruara në muret e një dhome studimi në Harëard, janë thënie të votuara nga pedagogët e studentët për të qëndruar aty si pika referimi. Njëra prej tyre thotë: “Askush nuk mund të ketë sukses rastësisht. Suksesi vjen nga vetëkontrolli i plotë dhe nga vullneti”. Kjo është autonomia financiare, në këndvështrimin tim. Nuk mund të ketë sukses të rastësishëm asnjë universitet, ashtu sikundër asnjë individ. Por nëse duam t’i japim autonomisë universitare të gjithë potencën që ka parimi, duhet një vetëkontroll i plotë dhe një vullnet i hekurt për të përballuar gjithë presionin dhe rezistencën që vjen nga inercia e të shkuarës kundër kësaj autonomie.

Kjo është përgjegjësia juaj në radhë të parë që jeni këtu, sepse jam i bindur që edhe pedagogët tuaj që e kanë kërkuar autonominë i keni në kurriz në momentet kur duhet ta avokoni autonominë si vetëkontroll i plotë dhe jo si mundësi për të bërë anarki, ne emër të, “mos t’ja prishim këtij”, “po shiko se do na mërzitet ai”, “po dëgjo se këtu mund të na shqetësohen ata”, e me radhë. Duke ardhur tek shpenzimet. Nuk e di sa e keni parasysh, Dhori e ka, një raport të Bankës Botërore mbi buxhetin kombëtar për arsimin.

Është një raport i bërë duke analizuar vitin 2011 ku shifra e buxhetit kombëtar për arsimin ishte 3.2 % dhe raporti thotë diçka që është shumë interesante dhe që është e vërtetë; nga 3.2 është shkruar, vetëm 1.9, shpenzohet realisht për nevojat e arsimit. Kjo është diçka për të reflektuar shumë seriozisht. Ne e kemi reflektuar këtë dhe besoj që kemi rritur efektivitetin brenda shifrës së përcaktuar si pjesë e buxhetit kombëtar për arsimin. E besoj këtë bazuar në analizë, jo thjeshtë në dëshirë. Sidoqoftë në 2013-ën, dhe këtu ju jeni të gjithë dëshmitarë, - Dhori këtë nuk do ta thotë se është vit politik, - buxheti i ministrisë së arsimit i akorduar për fakultetet nuk mjaftonte për të mbuluar pagat e pedagogëve dhe personelit mbështetës. E faktikisht shuma e atij viti, sepse ne e kemi përballuar periudhën e fundit të vitit, të 2013-ës, mbulonte vetëm 9 muaj paga, ndërsa për tre muaj të tjerë pedagogët mbeteshin dhe mbetën faktikisht pa paguar. Çfarë mund të flasësh më për autonomi financiare kur universitetit i jep 9 muaj paga dhe si mund të pretendosh nga pedagogët dhe nga trupat e universiteteve që të mos bien pre e tundimeve nga më të ndryshmet që vijnë si rezultat i nevojës.

Nga ana tjetër, qysh në fillim ne bëmë një anketim me pedagogët e universitetit lidhur me buxhetin dhe dy çështjet ishin horizontale, që i thoshin pothuajse gjithë pedagogët; e para humbje besimi sepse duke punuar në universitet mund të marrësh shpërblimin që meriton, çka shtynte masivisht pedagogët që të merreshin me tekste të mbushura me plagjiatura, se tjetër është të bësh tekst shkencor për karrierën tënde, tjetër është të bësh tekste për të plotësuar rrogën, kështu që plagjiaturat që ka prodhuar universiteti në Shqipëri janë me siguri një tjetër rekord botëror. E dyta, financimi i botimeve shkencore bëhej i gjithi ne mënyrë vullnetare.

Për vitin 2017 ne do t’i rrisim pagat e pedagogëve, pra pagat në arsimin e lartë, siç nuk janë rritur asnjëherë me parë dhe kjo do të ndodhë për gjithë arsimin, por këtu jemi për arsimin e lartë. Nëse fondi i përgjithshëm i rritjes për arsimin në paketën financiare të rritjes se pagave dhe pensioneve në Shqipëri, është 18 milionë dollarë, vetëm universiteti do të marrë 5 milionë dollarë për paga. Po të shikoni ecurinë e pagave tuaja në vite, kjo është një rritje shumë më e lartë sesa në çdo vit të mëparshëm që kur ju merreni me këtë punë. Janë 3260 punonjës që do të shpërblehen, që e thënë ndryshe, profesori i universitetit do të marrë 139 mijë lekë të vjetra më shumë në muaj, ndërsa lektori do të marri 103 mijë lekë të vjetra më shumë ne muaj.

Nuk po zbres më poshtë, por rritja do të jetë e përgjithshme.

Ndërkohë gjithë pjesa mbështetëse që ka pagë minimale do të kenë rritjen me të lartë me 35 % në të gjithë shtresën horizontale të punonjësve të këtij shteti që besoj se duhet jo vetëm për faktin se juve keni nevojë për një pagë më të lartë apo se shumë të tjerë kanë nevojë për një pagë më të lartë në përgjithësi, por dhe për një fakt tjetër, që ju jeni garantët e një reforme historikë në arsim, siç janë garantët e reformave tona të gjithë ata që punojnë për këtë shtet, të cilët për fat të keq janë viktimë e një përbaltjeje të madhe të përditshme, bazuar, nxitur, marrë frymëzim edhe nga sjellje tërësisht të papranueshme të njerëzve që punojnë në shtet. Por shumica dërrmuese e atyre që sot shërbejnë si njerëz të këtij shteti, qoftë në universitete, qoftë në të gjithë sektorët, janë palca e këtij vendi, në funksion të zhvillimit dhe janë njerëz që jetojnë me punën e tyre të ndershme.

Dua të kthehem sërish te autonomia. Unë mendoj që është humbur shumë kohë për 1001 arsye që nuk do t’i diskutojmë dot sot këtu, shumë prej të cilave ju i keni të qarta vetë, duke mbijetuar në një universitet shqiptar që bazohet tek lëmosha e shtetit. Ndërkohë që Shqipëria ka nevojë për dije në funksion të gjithë burimeve të rritjes, në radhë të parë dhe po ju marr një shembull. Ne u rritëm në vitet e tranzicionit, kryesisht bazuar tek ndërtimi dhe tek dërgesat e emigrantëve. Të dyja bashkë ato ishin burimet kryesore të rritjes ekonomike të Shqipërisë. Një rritje e paqëndrueshme në kohë dhe mbi të gjitha një rritje pa punësim real. Të dyja kanë mbaruar si burime rritjeje. 

Nuk mundet ne të kemi nga ndërtimi apo nga dërgesat e emigrantëve të njëjtat shifra që garantonin kontributin thelbësor në funksion të rritjes në prodhimin tonë të përgjithshëm. Këtë e kemi thënë që ditën e parë. Ndërkohë që një prej burimeve tona të qëndrueshme është bujqësia. Tani më thoni ju, si përputhet kjo e vërtetë e madhe, sëbashku me çdo përpjekje në këtë drejtim, me universitetin bujqësor të rrethuar dhe të shtrënguar nga të katër anët nga barbaria e këtij zhvillimi të paqëndrueshëm.

Unë kam patur rastin ta vizitoj Universitetin Bujqësor dhe jam mahnitur nga shkatërrimi që i është bërë asaj qendre të ekselencës që duhet të ishte sot pika e parë kryesore e referimit të qeverise sonë për gjithë politikat e zhvillimit në këtë sektor dhe duhet të ishte pika e parë e referimit e të gjithë sipërmarrësve në bujqësi dhe të gjithë atyre që kërkojnë konsulencë për prodhimin bujqësor.

Kur kam parë disa dele atje që kishin mbijetuar nga kasaphana e betejës mes njeriut dhe deles, ku njeriu i merrte territore deleve për ndërtime pa leje e për rrethime pa leje, duke e transformuar një nga degët e qendrës eksperimentale të institutit bujqësor të dikurshëm dhe universitetit të sotshëm, në një farsë, - kam thënë me vete çfarë duhet më shumë se kaq për të treguar se çfarë kemi bërë ne në 20 e kusur vite me bujqësinë.

Pa hyrë në të tjera, duke qënë i bindur që Universiteti Bujqësor është aleati më natyral e nuk konkurrohet dot nga asnjë donator, nga asnjë konsulencë e huaj, nga asnjë lloj grupi ekspertësh që vijnë me paratë e të tjerëve këtu, për të na ndihmuar, bëjnë ato raportet edhe ikin e nuk kanë lidhje me realitetin, - po sikur gjithë ato para, një mal i madh të ishin ndarë me universitetet, ku do ishim sot?  Pse ne duhet t’i drejtohemi të tjerëve përpara se sa të ezaurojmë resurset tona intelektuale, shkencore dhe infrastrukturën tonë?

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për burimet natyrore. Se ka zbuluar asnjë nga ne që jemi të gjallë sot, që Shqipëria është e pasur si askush tjetër në rajon dhe ndër më të pasurat në Europë, për ujë.

Por çfarë roli ka pasur gjithë mendja e universitetit në gjithë procesin e shfrytëzimit dhe administrimit të burimeve ujore në Shqipëri? Zero! Përkundrazi, pedagogët tanë kanë punuar si çirak për grupet e ekspertëve të financuar nga lloj-lloj organizatash shumë të nderuara, ndërkohë që universiteti mund të ishte dhe mund të jetë pika e parë e referimit.

Bëjmë ne punë publike, 25 vjet. Çfarë roli ka pasur universiteti në supervizimin e punëve publike? Zero! Që nga projekti e deri tek realizimi. Dhe rëndom supervizorët ndodh të jenë dhe pedagogë të jashtëm diku, që bëhen supervizorë jo për të supervizuar deri në fund projektin, por për të ndarë ca para me firmat.

Sot, kompanitë e naftës kanë, ose pedagogë të kohës së vjetër të Mynyrit dhe të Dhorit, të marrë nga Kanadaja, ose të huaj. Çfarë roli ka universiteti në këtë proces? Zero! Po energjia? Po mineralet? Zero! E ky nuk është faji i universitetit. Kjo është mënyra se si universiteti është spostuar komplet në gjithë këto vite nga qëllimet e veta, dhe është kthyer në gjithë këto vite vetëm në një institucion indulgjencash, domethënë diplomash, të bazuara jo në dije e meritë, por në demografi.

Autonomia dhe ky moment i reformës duhet parë prej jush i lidhur me tregun e në radhë të parë duhet parë prej jush si një mundësi që ju të jeni ofruesit e parë pranë shtetit.

Po njësitë vendore të reja, sa burime njerëzore kanë për të bërë gjithë politikën e tyre fiskale? Po ju them unë, largohu pak nga Tirana dhe disa qendra kryesore dhe nuk ka më. Atëherë pse mos jetë universiteti konsulenti i bashkive dhe të paguhet nga bashkitë? E me gjithë këto të ardhura, kur them gjithë këto, flas si burime, jo si sasi, universiteti merr para për një kërkim shkencor që është në kushtet tona i lidhur me nevojat e vendit. E ndërkohë ndikon drejtpërdrejt në bashkëpunim, që studentët e ekonomikut, të gjeologjisë, së bujqësisë e me radhë, të mos jenë “elif matrak” kur dalin nga shkolla lidhur me institucionet, e kur shkojnë të konkurrojnë për t’u bërë pjesë e shërbimit civil, por të jenë në të njëjtën kohë njerëz të njohur me eksperiencën e institucioneve. Se këtu u bëmë vendi ku gjëja më e lehtë ishte të bëheshe polic dhe mësues fizkulture, se as për njërën e as për tjetrën nuk të kërkohej asnjë lidhje me policinë apo edukimin fizik. Pashë Ela Tasen këtu dhe mu kujtua fakti që në 20 e kusur vite të tranzicionit, rritëm peshën mesatare të popullit shqiptar me herë, kolesetrolin nuk e di se me sa herë të tjera dhe përjashtuam edukimin fizik nga çdo lloj lidhje me shkollën.

Ndërkohë që sot, në Europë nuk ka asnjë herë mundësi të ketë një diskutim për zhvillimin e qëndrueshëm pa pasur njerëzit e edukimit fizik në tavolinë, por kjo është temë tjetër.

Kështu që, të dashur miq dhe armiq që jeni këtu, unë dua t’ju them se ndjehem jashtëzakonisht besimplotë dhe e them me plot gojën, për çka mund të bëjmë sëbashku duke e thelluar këtë reformë. E po ashtu çfarë mund të bëjmë sëbashku duke mbështetur njëri-tjetrin.

Ne duke ju mbështetur ju për gjithë nevojat tuaja, që nuk mund t’i ezauroni pa mbështetjen tonë, e ju duke na mbështetur ne me dije. Nuk dallohen vendet nga sa kanë, por nga sa dinë. Mund të kesh gjithçka, siç ka Shqipëria, e mund të jesh bishti i fundit i kavallit, mund të kesh asgjë siç nuk ka Izraeli e të jesh në krye të listës së vendeve të zhvilluara, sepse diferencën e bën dija, por nëse asaj që ke i shton gjithmonë e më shumë dije, patjetër që krijon një avantazh të madh. Kështu e shikoj unë reformën në arsim, kështu e shikoj unë dhe bashkëpunimin mes nesh.

Kështu e shikoj unë dhe fuqinë e autonomisë dhe ndërveprimit mes universitetit, qeverisë, tregut e qytetarëve.

 

Shumë faleminderit!

 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin